Partitë flasin për rezultatet e zgjedhjeve lokale

Qytetarët duke pritur për të votuar në një qendër votimi në Prishtinë.

Pas mbylljes së vendvotimeve në zgjedhjet lokale në Kosovë, partitë politike kanë mbajtur konferenca për të diskutuar lidhur me rezultatet.

Komisoni Qendror i Zgjedhjeve është duke bërë publikimin e rezultateve preliminare në kohë reale.

PDK: Pa balotazh fituam pesë komuna

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka shpallur fitoren garën pa balotazh në pesë komuna të Kosovës, në Mitrovicë, Ferizaj, Skenderaj, Kaçanik dhe në Han të Elezit.

Kryetari i PDK-së Memli Krasniqi në një konferencë për media tha se edhe në komunat ku janë në balotazh si në Prizren, Drenas, Vushtrri , Klinë e të tjera do ta fitojnë garën në raundin e dytë.

“PDK në këto zgjedhje lokale ka shënuar rezultat të jashtëzakonshëm. Qytetarët u bashkuan për të mbajtur e për rikthyer qeverisje të mira në komunat e Kosovës me PDK-në. PDK ka qenë e fortë dhe mbetet e fortë dhe do të bëhet edhe më e fortë”, tha Krasniqi.

I pyetur se me kënd do ta përkrahin në garën për Prishtinën pasi PDK-ja nuk do të jetë në balotazh me kandidatin e tyre, Krasniqi tha se i mbetet Uran Ismailit të vendosë.

LVV: Do të jemi fitues në komunat më të fuqishme


Lëvizja Vetëvendosje (LVV), tha se në zgjedhjet komunale të 17 tetorit LVV do të jetë fituese në komunat më të fuqishme dhe do të jetë në balotazh në numrin më të madh të komunave.

Në një konferencë për media, Fitore Pacolli nga LVV tha se rezultatet finale do të dëshmojnë se LVV, do të dyfishojë votat nga zgjedhjet e komunale të vitit 2017.

“Në krahasim me rezultatin e zgjedhjeve komunale të vitit 2017, nga partia e tretë do të jemi bindshëm partia e parë. Rezultatet finale do të qartësojnë ngritjen e Vetëvendosjes në raport me zgjedhjet e fundit në nivel lokal. Numri i përgjithshëm i votave dhe besimit të qytetarëve presim të dyfishohet”, tha Pacolli

Në komunën e Prishtinës Pacolli ka thënë se janë të parët dhe do të fitojnë pa balotazh.

Zgjedhjet e 17 tetorit në Kosovë sipas Pacollit janë shembull për gjithë rajonin

LDK: Prijmë dhe jemi në garë në 11 komuna

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK, Lumir Abdixhiku ka thënë se në këto zgjedhje lokale LDK prin ose është në garë në 11 komuna.

“LDK këtë mbrëmje të 17 tetorit e sheh si datë të rikthimit të madh. Ky rikthim është arritje, por edhe përgjegjësi të cilën duhet ta ushtrojmë me kujdes”, tha Abdixhiku.
Në Prishtinë, Abdixhiku ka thënë se do kandidati Përparim Rama do të jetë në balotazh.

Ai ka vlerësuar procesin e zgjedhjeve lokale të 17 tetorit si një proces demokratik dhe të qetë.

Your browser doesn’t support HTML5

Mbyllen vendvotimet

Haradinaj: AAK-ja ka shënuar rezultatin më të mirë

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj tha se partia e tij, në zgjedhjet lokale të 17 tetorit ka shënuar rezultatin më të mirë.

“Të dhënat tona flasin se kemi fituar në gjashtë komuna: Gjakovë, Suharekë, Rahovec, Klinë, Deçan e Junik. Po ashtu shkojmë në balotazh në të paktën një komunë, është Istogu”, tha ai dhe shtoi se kanë vërejtur rritje të votave për partinë e tij edhe në komuna të tjera.

Ai këto zgjedhje i cilësoi si të lira, demokratike dhe të organizuara sipas “standardeve më të larta”.

Sipas të dhënave preliminare të mbi 95 për qind e vendvotimeve, numri i qytetarëve me të drejtë vote që kanë votuar është rreth 43 për qind.

Ndërkaq në zgjedhjet komunale të vitit 2017 përqindja ishte 43.5 për qind.

Koalicioni i organizatave joqeveritare, Demokracia në Veprim, pas nisjes së mbylljes së vendvotimeve tha se në zgjedhjet lokale nuk ka pasur incidente serioze, që do të mund të komprometonin integritetin apo kredibilitetit zgjedhor.

Eugen Cakolli nga DnV në një konferencë për media, tha se në zonat rurale ka pasur më shumë shkelje, qoftë të masave kundër koronavirusit, por edhe kanë parë persona që kanë qëndruar pranë qendrave të votimit.

“Në pjesën veriore të vendit, procesi i votimit ka rrjedhur i qetë dhe nuk ka pasur ndonjë incident që do të mund ta cenonte integritetin e procesit zgjedhor”, tha Cakolli.

Zgjedhjet përmes fotove

Sipas të dhënave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), për kryetarë të komunave të Kosovës janë certifikuar 166 kandidatë.

Në garën për asamblistë në kuvendet e të gjitha komunave janë certifikuar 5,198 kandidatë.