Partitë politike në Kosovë janë duke pritur që presidenti i vendit, Hashim Thaçi ta fillojë procesin e konsultimeve, për të caktuar kalendarin zgjedhor për, siç kanë thënë, zgjedhjet e parakohshme, pas dorëheqjes së kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, të premten e javës së kaluar.
Kryeministri i dorëhequr, Haradinaj, tashmë ia ka dorëzuar letrën formale Kuvendit të Kosovës dhe Zyrës së Presidentit, përmes të cilës zyrtarisht ka paraqitur dorëheqjen, siç e ka quajtur ai, të parevokueshme.
Në rastet kur kryeministri jep dorëheqje, me Kushtetutën e Kosovës nuk është përcaktuar afati kohor, kur presidenti duhet të nisë procedurat dhe të shpallë zgjedhjet e parakohshme.
Enver Hoxhaj, zëvendëskryeministër në Qeverinë e kryeministrit të dorëhequr, Haradinajt, dhe njëkohësisht nënkryetar i Partisë Demokratike të Kosovës, subjektit politik më të madh brenda koalicionit qeverisës, thotë për Radion Evropa e Lirë që hapat që do t’i ndërmarrë partia e tij, por edhe partitë tjera të spektrit politik, janë të definuara qartë në Kushtetutën e vendit.
Ai thekson që presin që presidenti i vendit të nisë konsultat me partitë politike dhe rrjedhimisht të qartësohet se kur do të mbahen zgjedhjet e parakohshme. Vullneti politik i PDK-së, sipas tij, është që zgjedhjet e parakohshme janë të pashmangshme, por se si do të duket kalendari i zhvillimeve lidhur me zgjedhjet, siç thotë ai, mbetet në dorën e presidentit që ta definojë këtë.
“Unë mendoj që çfarë duhet, është që të ketë konsulta të mirëfillta ndërmjet subjekteve politike, rreth asaj se si do të duket kalendari gjatë ditëve të ardhshme, se kur eventualisht presidenti mund të fillojë konsultat me subjektet politike në mënyrë të veçantë. Pastaj i takon presidentit që të zbatojë Kushtetutën. Nuk dua të spekuloj se cili hap do të duhej të ishte i pari apo i dyti, por më shumë ky proces është aktualisht në dorën e presidentit. Nga ana jonë, si PDK, ka vendosmëri të plotë dhe jemi të gatshëm që të shkojmë në zgjedhje”, theksoi Hoxhaj.
SHIKONI EDHE: Dy opsionet politike e kushtetuese pas dorëheqjes së HaradinajtIlir Dedaj, deputet i pavarur i Kuvendit të Kosovës, duke folur për Radion Evropa e Lirë, thekson që presidenti i vendit shuam shpejt do të duhej të niste konsultat me partitë politike të vendit, për të parë mundësinë se a mund të krijohet një qeveri e re dhe nëse një gjë e tillë do të jetë e pamundur, atëherë duhet të shpallë zgjedhjet e reja.
“Kjo, ma merr mendja që mund të përfundojë - nëse ka vullnet politik - brenda kësaj jave. Me Kushtetutë, në zgjedhje të parakohshme shkohet menjëherë në rast se votohet mocioni i mosbesimit. Ndërsa, kur ka dorëheqje të kryeministrit, atëherë janë dy raunde të konsultimeve. E para, presidenti i thërret partitë politike që të sheh se a ka mundësi që të krijohet qeveria e re, si dhe raundi i dytë, i cili ka të bëjë me caktimin e datës së zgjedhjeve”, tha Deda.
Zgjedhje të parakohshme ka kërkuar edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, lider i së cilës është Haradinaj, Nisma Socialdemokrate, por edhe partitë opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje. Ato i kanë bërë thirrje presidentit Thaçi, që të mos i zvarris procedurat në procesin drejt zgjedhjeve të parakohshme.
Por, a përjashtohet krejtësisht mundësia e krijimit të një qeverie të re?
VOX: Sa shihen zgjedhjet si zgjidhje nga qytetarët?
Hoxhaj thekson se qëndrimi i PDK-së është që tashmë ekziston një situatë e re.
“Presidentit i takon që të ketë konsulta me subjektet politike dhe unë nuk dua që t’i japë këshilla atij se cili opsion do të duhej që të derivojë pas një konsulte të tillë. Por, në situatën e zgjedhjeve të parakohshme, ne jemi të gatshëm”, u shpreh Hoxhaj.
Ndërkaq, deputeti Deda shpreh mendimin se në situatën e krijuar, nuk ka hapësirë për krijimin e një qeverie të re.
“Kuvendi, në qoftë se do ta zgjidhte një qeveri të re, pa zgjedhje, ajo do të ishte qeveri politike. Por, nuk ka hapësirë për krijimin e një qeveri të re dh do të shkohet në zgjedhje të parakohshme. Për mua është kyçe se a do të ketë kohezion opozitar dhe agjendë të përbashkët opozitare dhe listë të përbashkët opozitare për zgjedhjet në shtator, ashtu siç po i presim të gjithë”, theksoi Deda.
Sidoqoftë, se kur do të nisë procesi i konsultimeve të presidentit me partitë politike për një qeveri të re apo për zgjedhje të parakohshme, ende nuk ka ndonjë përgjigje nga presidenti i vendit. Pavarësisht përpjekjeve të Radios Evropa e Lirë për të kontaktuar me zyrtarët e Zyrës së Presidentit Thaçi, ata nuk kanë qenë të qasshëm.
Ramush Haradinaj, ka dhënë dorëheqje nga detyra e kryeministrit, të premten e kaluar, për shkak se është ftuar për tu intervistuar nga Gjykata speciale për krime të luftës në Kosovë, në cilësinë e të dyshuarit.