Vuçiq shpërndan Kuvendin, zgjedhjet e jashtëzakonshme në Serbi më 25 tetor

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Fotografi nga arkivi.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, nënshkroi më 9 shtator dekretet për shpërndarjen e Kuvendit dhe shpalljen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare, të cilat do të mbahen më 25 tetor.

Qeveria e Serbisë miratoi më 7 shtator propozimin e kryeministrit Gjuro Macut që Vuçiqit t’i kërkohet shpërndarja e Kuvendit, hap i nevojshëm për shpalljen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme.

Këto do të jenë zgjedhjet e 15-ta parlamentare që nga vendosja e sistemit shumëpartiak në Serbi dhe të 11-at të jashtëzakonshme.

Zgjedhjet mbahen pothuajse tre vjet pas zgjedhjeve të mëparshme parlamentare të dhjetorit 2023, të cilat u shoqëruan me pretendime nga opozita, organizatat joqeveritare dhe vëzhguesit ndërkombëtarë për parregullsi serioze, presion ndaj votuesve, keqpërdorim të burimeve publike dhe përfshirje të zyrtarëve shtetërorë në fushatë.

SHIKONI EDHE:

Në çfarë kushtesh do të mbahen zgjedhjet parlamentare në Serbi?

Që atëherë janë miratuar një sërë ndryshimesh ligjore, të cilat përfaqësuesit e pushtetit në Serbi i paraqesin si përgjigje ndaj rekomandimeve të Zyrës së OSBE-së për Institucione Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut (ODIHR), ndërsa disa organizata vendase vlerësojnë se problemet kryesore nuk janë zgjidhur.

Zgjedhje të jashtëzakonshme kërkojnë që nga maji i vitit 2025 studentët në bllokadë, të cilët për muaj të tërë udhëhoqën protesta kundër Qeverisë serbe. Ata kanë kërkuar përgjegjësi për vdekjen e 16 personave në Stacionin Hekurudhor në Novi Sad.

Përfaqësuesit e pushtetit kishin paralajmëruar disa herë shpalljen e zgjedhjeve, ndërsa Vuçiq kishte deklaruar gjithashtu se do të tërhiqej nga posti i presidentit para përfundimit të mandatit të tij në prill të vitit 2027.

SHIKONI EDHE:

A do të bëhet Vuçiq sërish kryeministër i Serbisë?

Ligji në Serbi parashikon që zgjedhjet parlamentare shpallen nga presidenti i shtetit dhe se nga dita e shpalljes deri në ditën e mbajtjes së tyre nuk mund të kalojnë më pak se 45 dhe më shumë se 60 ditë.