Ndërlidhjet

logo-print
Çfarëdo projekt-rezolute që paraqet Serbia për Kosovën në Asamblenë e Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, qoftë ajo edhe e modifikuar, për Prishtinën zyrtare konsiderohet si e panevojshme dhe e papranueshme.

Autoritetet kosovare besojnë se përpjekjet e Serbisë do të dështojnë. Sipas tyre, nëse do të miratohet eventualisht ndonjë rezolutë apo deklaratë nga Asambleja e Përgjithshme në lidhje me Kosovën, ajo do të jetë në favor të mendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë dhe në harmoni me vullnetin e qytetarëve të Kosovës për shtet të pavarur e sovran.

Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi beson se rezoluta serbe do të dështojë.

“Për Qeverinë e Kosovës është orientimi i parë që të tërhiqet rezoluta në tërësi, ndërsa në rastin tjetër do të ishte reflektim i vullnetit të qytetarëve tanë dhe mendimit të GJND-së”.

“Çështjet e statusit, tërësisë territoriale dhe organizimi i brendshëm nuk janë çështje, objekt as i diskutimit, por as i mundësisë për diskutim. Besoj, po punohet në çdo drejtim dhe rezoluta serbe, çfarë është tash, nuk ka gjasa të kalojë. Në çdo rast do të jetë e përshtatshme për Kosovën, për mendimin e GJND-së”,
thotë Kuçi.

Ngjashëm me zëvendëskryeministrin Kuçi, edhe zëdhënësi i presidentit, Xhavit Beqiri, thotë se projekti serb, i iniciuar për në Asamblenë e Përgjithshme, ka qëllime destruktive në raport me Kosovën dhe në çfarëdo forme për Prishtinën shihet si i papranueshëm.

“Kjo projekt-rezolutë që është paraqitur nga Serbia për në Asamblenë e Përgjithshme, është tërësisht e pakuptimtë dhe duhet të refuzohet, sepse, pikësëpari, ajo bie ndesh edhe me mendimin shumë të qartë dhe konciz të GJND-së”, deklaron Beqiri.

Ndërkaq, deputeti opozitar nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ardian Gjini, thotë se si Kosova, ashtu edhe Serbia duhet të ndjekin rrugën e integrimeve dhe vetëm atëherë do të vijë deri te ndonjë relaksim eventual i raporteve mes dy shteteve.

Gjini shpreson që Serbia dhe BE-ja, në kuadër të bisedimeve që po zhvillojnë, të gjejnë një zgjidhje, e cila nuk ka të bëjë me Kosovën, por me integrimin e fqinjit verior të Kosovës në BE.

“Për Kosovën është me interes që edhe Serbia të shkojë në rrugën drejt integrimeve evropiane, të gjejë gjuhë të përbashkët me Unionin Evropian. Ndërsa, sa i përket Kosovës, mendoj se ne duhet të fokusohemi në çështjet tona, që kanë të bëjnë drejtpërdrejt me integrimin evropian”.

“Çështjet në Kombet e Bashkuara mund të duken pak më ndryshe, nëse fokusi ynë do të ishte vetëm drejt BE-së”,
thotë Gjini.

Projekt-rezoluta serbe për Kosovën, e iniciuar për në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, nga Prishtina zyrtare është cilësuar si kundërshtim jo vetëm i pavarësisë së Kosovës, por edhe i mendimit të GJND-së.

Në analiza të shumta thuhet se Beogradi po paraqet kërkesa maksimaliste, duke shpresuar se do të nxjerrë për negociata në bisedimet e ardhshme me Kosovën të paktën çështjen e veriut, të banuar me shumicë serbe.

Lexoni edhe këto:
Modifikimi i rezolutës dhe veriu
Optimistë për betejën në OKB
Vota për rezolutën, votë kundër GJND-së
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

XS
SM
MD
LG