Ndërlidhjet

Politika para humanitetit


Mur me emrat e të pagjeturve nga lufta në Kosovë...
Mur me emrat e të pagjeturve nga lufta në Kosovë...
Përfaqësuesit e organizatave për të drejtat e njeriut në Prishtinë e Beograd theksojnë nevojën për presion të shtuar për ndriçimin e fatit të rreth 1800 personave të pagjetur që nga paslufta në Kosovë.

Ata thonë se autoritetet kosovare kanë mbetur duarkryq, për shkak të mungesës së vullnetit të palës serbe për të dhënë informata për varrezat e dyshuara masive dhe çështjeve të tjera që ndërlidhen me krimet e luftës në Kosovë.

Drejtori ekzekutiv në Këshillin për Mbrojtjen e Lirive dhe të Drejtave të Njeriut në Prishtinë, Behxhet Shala, thotë se bashkësia ndërkombëtare aktualisht po u kushton më shumë vëmendje zgjidhjes së problemeve politike ndërmjet Kosovës e Serbisë, duke i lënë anash ato humanitare.
Bashkësia ndërkombëtare e di se, në qoftë se u bën një trysni më të madhe të dyja palëve, atëherë do ta rrezikonte
procesin politik.

“Bashkësia Ndërkombëtare e di se, në qoftë se u bën një trysni më të madhe të dyja palëve, atëherë do ta rrezikonte procesin politik. Prandaj familjet e personave të pagjetur janë duke pësuar për shkak të një oportuniteti politik të Bashkësisë Ndërkombëtare, e cila është e vetmja që duke kushtëzuar të dyja palët, do t’i detyronte të japin informacione për fatin e personave të pagjetur”, thotë Shala.

Me gjithë premtimet se çështja e personave të pagjetur do të futet në kuadër të dialogut teknik me shtetin serb, që nga nisja e këtij procesi në muajin mars të vitit të shkuar, ajo nuk është përmendur pothuaj fare në deklarimet zyrtare e krerëve të delegacioneve përkatëse.

Mënyrat anësore për komunikim me Bashkimi Evropian, si ndërmjetësues i dialogut, sipas udhëheqëses së Fondit për të Drejtën Humanitare në Serbi, Natasha Kandiq, duhet të përdoren si mjet presioni ndaj palës serbe.

Kandiq vlerëson se i takon Kuvendit të Kosovës ta trajtojë urgjentisht çështjen e personave të pagjetur.
Natasha Kandiq
Natasha Kandiq

“Shoqatat e viktimave në Kosovë duhet t’i kërkojnë Parlamentit të Kosovës ta trajtojnë çështjen e personave të pagjetur si çështje të rëndësishme për marrëdhëniet ndërmjet Serbisë dhe Kosovës”, thekson Kandiq.

Kontaktet dhe takimet ndërmjet komisionit serb dhe atij kosovar për krime lufte thuhet se kanë vazhduar edhe gjatë vitit 2011, por pa rezultuar me ndonjë informatë të re për këtë çështje.

E pyetur nëse për këtë do të duhej të miratohej një rezolutë nga legjislativi kosovar, Kandiq thotë:

“Rezoluta nuk ka ndonjë fuqi, por institucionet kosovare do të duhej t’i shfrytëzonin takimet me politikanët dhe përfaqësuesit e Bashkimit Evropian, për të diskutuar çështjen e personave të pagjetur, sepse ajo është e rëndësishme për familjet shqiptare, sikurse për ato serbe”.

Pas diku dhjetë seancave publike të mbajtura që nga paslufta për personat e pagjetur, Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq kishte kritikuar mekanizmat përgjegjës për ritmin e ngadalshëm të punës në këtë proces.

Mësohet se nga 6 019 persona të raportuar në këtë komitet, si të zhdukur nga familjet e tyre, 1 799 ende konsiderohen të pagjetur.

Pa i gjetur informatat për rreth 1800 persona që vazhdojnë të mbesin të pagjetur në Kosovë që nga paslufta, nuk mund të normalizohen raportet ndërmjet Kosovës e Serbisë, thonë në organizatat për të drejtat e njeriut.

Këtu mund të shikoni fotot nga shënimi i Ditës për Persona të Pagjetur, në prill të vitit 2011...

Fotot e të pagjeturve të vendosura para Kuvendit të Kosovës...
XS
SM
MD
LG