Ndërlidhjet

Paga mesatare në Kosovë llogaritet në bazë të pagës mesatare në sektorin publik, për shkak se mungojnë të dhënat për pagat në sektorin privat. Paga mesatare në sektorin publik në Kosovë, sipas të dhënave të dhjetorit të vitit 2011 të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, është 368 euro.

Drejtori i Departamentit të Politikave Sociale në Agjencinë e Statistikave të Kosovës, Bashkim Bellaqa, thotë për Radion Evropa e Lirë se paga mesatare në sektorin publik nga viti 2007 deri në vitin 2011, është rritur për 169 euro, shprehur në përqindje 84 për qind.

“Paga mesatare në sektorin publik në vitin 2007 deri në vitin 2011 është rritur për 169 euro, apo 84 për qind. Sipas gjendjes së dhjetorit të vitit 2007 paga neto mesatare në sektorin publik ka qenë 199 euro, kurse sipas dhjetorit të vitit 2011, 368 euro”, thekson Bellaqa.

Njohësit e çështjeve ekonomike, ndërkohë kanë kërkuar që paga të caktohet në bazë të nivelit të çmimeve, sepse në Kosovë, proporcioni në mes nivelit të çmimeve dhe pagave është shumë i lartë. Ata kanë theksuar se pagat mesatare në Kosovë janë të nivelit të ulët, madje nuk mjaftojnë për një jetë të dinjitetshme.

Krahasuar me vendet e rajonit, si Shqipëria, Maqedonia, apo Mali i Zi, sipas drejtorit të Departamentit të Statistikave Sociale, Bashkim Bellaqa, Kosova ka pagën mesatare më të voglën në rajon.
Kosova mbetet me pagën mesatare më të ulëtën në krahasim me Evropën Juglindore...

“Kosova mbetet me pagën mesatare më të ulëtën në krahasim me Evropën Juglindore, por prapë duhet të theksojmë se këto krahasime nuk janë ekzakte, për shkak se të gjitha vendet kanë boshllëqe në të dhënat e pagave dhe baza për llogaritjen e pagave nuk është unike. Shifrat për Kosovën i referohen vetëm sektorit publik”, sqaron Bellaqa.

Me një vendim të Qeverisë së Kosovës, pagat në sektorin publik ishin rritur në vitin 2011. Sipas këtij vendimi, i cili kishte hyrë në fuqi më 1 janar të vitit 2011, punonjësit në sektorin publik kanë filluar të marrin paga me ngritje nga 30 deri në 50 për qind.

Drejtori ekzekutiv në Institutin për Studime të Avancuara (GAP), Agron Demi, thotë për Radion Evropa e Lirë thotë se pas kësaj rritjeje të pagave në sektorin publik, kishte pasur ngritje të çmimeve të konsumit dhe një mori vendime të Qeverisë së Kosovës, të cilat kishin ndikuar që kjo pagë mesatare mos të reflektojë në rritjen e fuqisë blerëse.

“Këtë vit Korporata Energjetike e Kosovës ka kërkuar ngritjen e çmimit të energjisë elektrike për 23 për qind dhe kjo i prek edhe ata, të cilët janë duke punuar në sektorin publik, si në atë privat, si dhe ata që nuk punojnë fare. Rritja prej 23 për qind do ta rrisë shumë koston e jetesës për këta qytetarë. Një vendim tjetër është ngritja e tatimit në pronë që do të prekë të gjithë qytetarët pa dallim”, thekson Demi.

Po ashtu, Ligji për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar, i cili është aprovuar në vitin 2008, sipas Agron Demit, favorizon ata që kanë paga më të larta, kurse i ngarkon ata që kanë paga më të ulëta. Po ashtu, Demi thekson se jo gjithçka varet edhe nga politikat qeveritare, për shkak se Kosova ka një ekonomi të hapur dhe një deficit të lartë tregtar dhe çdo lëvizje e çmimeve në tregjet ndërkombëtare, ndikon në ngritjen e çmimeve në Kosovë.

“Krejt kjo bën që ky nivel i pagës të jetë shumë i ulët dhe të mos e mbulojë as koston elementare të jetës në Kosovë, pasi që është papunësi e lartë dhe nëse krahasohet edhe me pagën minimale që Këshilli Ekonomik Social e ka vendosur, kjo është shumë e ultë për shkak të ngritjes së çmimeve”, vlerëson Demi.

Ndryshe, të dhënat e fundit të publikuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, tregojnë se shporta e konsumit u shtrenjtua për rreth 3 për qind në muajin janar, në krahasim me fillimin e vitit të kaluar, ndërsa në krahasim me dhjetorin, artikujt e nevojshëm të konsumit u shtrenjtuan për 0.7 për qind.
  • 16x9 Image

    Luljeta Krasniqi - Veseli

    Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG