Ndërlidhjet

Vendnumëro: Lufta kundër korrupsionit


Ilustrim

Ilustrim

“Korrupsioni është përhapur aq shumë dhe është bërë kaq i zakonshëm në çdo nivel këtu, sa që e tërë shoqëria e nënkupton gjuhën e tij. Kështu ajo mund të mbetet e pathënë dhe të korruptuarit parapëlqejnë të qëndrojnë në hije”, tha ambasadori amerikan në Kosovë, Kristofer Dell, javën e kaluar në ceremoninë e diplomimit të kandidatëve të Institutit Gjyqësor të Kosovës për gjyqtarë dhe prokurorë.

Dell: Korrupsioni bën kërdinë, porositi ai.

Është pikërisht një prokuror me përvojë disavjeçare një nga ta që dyshohet se “ka qëndruar deri më tani në këtë hije”.

Nën dyshimet për shpërdorim të detyrës ose autoritetit zyrtar dhe ushtrim të ndikimit, u arrestua të hënën, kreu i Task-Forcës kundër korrupsionit, Nazmi Mustafi, i cili bashkë me Reshat dhe Xhelal Zherkën dyshohet të ketë marrë ryshfet në të paktën një rast.

Arrestimi i Mustafit nxiti reagime të ashpra të Kryeprokurorisë së Shtetit, e cila e dënoi rastin, ndërsa ofroi mbështetjen deri në zbardhjen e tërësishme të tij.

Përveç misionit të Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit, EULEX, dhe Task-Forcës kundër korrupsionit, të themeluar nga Qeveria e Kosovës, me detyrë qendrore adresimin e rasteve të korrupsionit, në vend vepron dhe Agjencia Kundër Korrupsionit, ndërsa së fundi u themelua dhe Këshilli Anti-Korrupsion, me iniciativën e presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga.

Zotimet për përmirësimin e sistemit të drejtësisë dhe luftimin e korrupsionit, u shtuan sidomos në vitin 2010, pas vlerësimeve të organizatave ndërkombëtare për ngecjet e Kosovës në betejën e saj kundër korrupsionit.

Në këtë kuadër, më 26 shkurt të vitit 2010, Qeveria e Kosovës vendos krijimin e një departamenti special për luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar.

“Qeveria e Republikës së Kosovës do të vë në dispozicion të këtij departamenti special anti-korrupsion apo Task-force të gjitha resurset e nevojshme, me qëllim të arritjes së rezultateve konkrete në luftë kundër kësaj dukurie negative për institucionet dhe shoqërinë kosovare”, pati thënë kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, me këtë rast.

Mirëpo, shoqëria civile vlerësoi se zotimet e tilla kanë mbetur retorikë boshe, ndërsa mekanizmat e krijuar për luftimin e korrupsionit kanë vendnumëruar.

Avni Zogiani nga Organizata për Demokraci, Anti-korrupsion dhe Dinjitet “Çohu”, tha se në Kosovë nuk mund ta dallosh krimin e organizuar e korrupsionin me vetë qeverisjen e shtetin ngase, siç tha ai, këto veprime janë gërshetuar me njëra-tjetrën. Në vend se ta luftojë korrupsionin, ekzekutivi i vendit, sipas Zogianit, është shndërruar në mbrojtës të tij.

“Hulumtimet tona të derisotshme kanë treguar që fondet publike të shpërndara për kompanitë e afërta me Qeverinë, kanë arritur shkallën e mbi 100 milionëve. Thjesht, Qeveria është shndërruar në motivuesin dhe nxitësin kryesor të korrupsionit në Kosovë”, tha Zogiani.

Për një shumë më të ulët të dëmit që vlerësohet t’i ketë shkaktuar korrupsioni buxhetit të Kosovës, njoftoi, kohë më parë, Agjencia Kundër-Korrupsion. Gjatë publikimit të raportit vjetor të punës për vitin 2011, kreu i kësaj agjencie, Hasan Preteni, ishte shprehur:

“Vlera e përgjithshme e dëmit që ne konsiderojmë se po i bëhet shtetit kalon shifrën 10 milionë - kemi vlerësuar se janë diku 10 milionë e 300 mijë euro. Rasti që ka vlerën më të vogël e ka vlerën prej 2900 euro e deri te rasti më i lartë që kap vlerën prej 1.3 milionë”.

Preteni kishte shtuar se që kur është funksionalizuar ky mekanizëm në prokuroritë vendore dhe ndërkombëtare, janë dorëzuar 240 kallëzime penale me përfshirjen e rreth 700 zyrtarëve.

Nga të gjitha këto raste thuhet se kanë ndodhur 6 arrestime, 76 hetime penale, 12 propozim akuza, se janë hedhur poshtë 66 lëndë, dhe se nuk ka informacione kthyese për 80 raste.

Por, Zogiani e quajti të paefektshme edhe punën që kjo agjenci ka bërë për luftimin e korrupsionit.

“Agjencia Anti-korrupsion është shndërruar në një organizatë joqeveritare, e cila merret me mbushjen e formularëve të deklarimit të pasurisë dhe përfundon me këtë funksion. Agjencia, thjesht, është duke shpenzuar buxhetin e saj që nga viti 2006 pa ndonjë rezultat”, theksoi Zogiani.

Ai u shpreh pesimist edhe për punën që Këshilli Anti-Korrupsion do të mund ta bëjë për luftimin e kësaj dukurie.

“Vetë Këshilli është qesharak, për shkak se presidentja nuk ka fuqi ekzekutive, kurse korrupsioni luftohet vetëm me fuqi ekzekutive”, shtoi Zogiani.

Ndërkaq, Merita Mustafa nga Instituti Demokratik i Kosovës, theksoi rëndësinë që mbështetja buxhetore e organeve ekzekutive t’i dedikohet reformimit të sistemit gjyqësor e jo, siç tha ajo, krijimit të mekanizmave apo task-forcave, puna e të cilave rezulton e pasuksesshme.

“Ajo që ne mendojmë se duhet të bëhet është përforcimi i sistemit tonë të drejtësisë, i cili ka nevojë për një reformë të thellë, sepse i mungon pavarësia, i mungon stafi profesional, i mungojnë prokurorët dhe gjyqtarët”, sugjeroi Mustafa.

Në raportin e fundit të Transparency International, të publikuar në dhjetor të vitit të kaluar, Kosova është renditur e 112-ta në mesin e 183 shteteve të botës, së bashku me Egjiptin, Moldavinë, Senegalin, Vietnamin dhe Algjerinë.

Në krahasim me vendet e rajonit, Kosova është renditur më poshtë, me një vlerësim prej 2.9 pikësh.

Lexoni edhe këto:
Koncesionimi i "kontestueshëm"
Përfitimet nga pronat komunale
XS
SM
MD
LG