Ndërlidhjet

Ka ligje anti-korrupsion, por s’ka vullnet


Ilustrim

Ilustrim

Kosova ka ligje të mjaftueshme për ta luftuar korrupsionin, por nuk ka vullnet politik, thonë ligjvënësit kosovarë.

Luftimi i dukurive negative, si krimi i organizuar e korrupsioni, është cilësuar si prioritet, jo vetëm në agjendat e institucioneve, por ka qenë kërkesë e vazhdueshme e faktorit ndërkombëtar. Megjithatë, në të gjitha raportet e deritashme, kryesisht të Komisionit Evropian, flitet për mungesë rezultatesh gjatë luftimit të këtyre dukurive.

Gjatë zotimeve të bëra, zyrtarë të Qeverisë thonë se lufta kundër korrupsionit do të jetë e pa-kompromis. Zëvendëskryeministri dhe ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, në deklarimet e tij pati thënë se Ministria e Drejtësisë, përkatësisht Qeveria, është e gatshme të procedojë ligje që ndihmojnë në luftimin e këtyre dukurive, por nga të cilat nuk do të mund të ikin as subjektet që nuk janë në pushtet dhe organizatat joqeveritare.

Hajredin Kuçi

Hajredin Kuçi

“Do ta bëjmë ligjin që respekton standardet ndërkombëtare dhe që funksionon në Kosovë. Nuk i frikësohemi asnjë ligji, por ligji do të vlejë edhe për shoqëri civile, edhe për qeveritarë, edhe për opozitë, edhe për të gjithë ata që janë vetëm qytetarë të rëndomtë”, pati deklaruar Kuçi.

Ndërkohë, kryetari i Komisionit Parlamentar për Legjislacion, deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, thotë se Kosova ka ligje të mjaftueshme për ta luftuar korrupsionin, por mungojnë kapacitetet institucionale, si dhe vullneti politik për ta bërë një gjë të tillë.

“Ligje ka të mjaftueshme, por vullnet politik të pamjaftueshëm, kapacitete të pamjaftueshme nga pushteti në Kosovë”, thotë Gashi.

Në anën tjetër, deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Burim Ramadani, thotë se korrupsioni është një dukuri që përfshin një spektër të gjerë veprimi të pushtetit aktual. Ai, madje, mendon se, nëse kjo qeveri do të merrte përsipër luftën kundër korrupsionit, kjo do të nënkuptonte shpallje lufte ndaj vetvetes.

“Problemi, përfundimisht, mbetet te mungesa e vullnetit për ta luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar nga ana e Qeverisë dhe duhet ta themi qartë se po ta luftonte krimin dhe korrupsionin kjo qeveri, atëherë ajo do të duhej ta luftonte vetveten dhe shokët e vetvetes”, thekson Ramadani.

Në kuadër të luftimit të dukurive negative, krimi i organizuar konsiderohet se paraqet një shqetësim të madh për Kosovën. Deputeti Ramadani mendon se në këtë aspekt, Kosova duhet të nxjerrë pakon e ligjeve anti-mafia, ku një rol vendimtar aty do të kishte edhe ligji për konfiskimin e pasurisë së paligjshme.

“Ligji që mungon është ai për konfiskimin e pasurisë së supozuar dhe të llogaritur të përfitimit nga ana e aktiviteteve kriminale në mënyrë që të përfshijë të gjithë ata që kanë bërë kapital apo pasuri në bazë të aktiviteteve kriminale që nga paslufta në Kosovë”, shton Ramadani.

Përderisa thuhet se ligjet ekzistojnë, por ato nuk po zbatohen, në shumë vende me demokraci të përparuar, monitorimin e zbatimit të ligjeve e bën Parlamenti, si organi më i lartë ligjvënës. Në Kosovë, legjislativi megjithatë nuk ka arritur ta bëjë një gjë të tillë.


Kryetari i Komisionit për Legjislacion, Arben Gashi, mendon se edhe në këtë aspekt, Parlamenti nuk mund të bëjë shumë pasi që aty shumicën e kanë partitë në pushtet, të cilat i bllokojnë nismat.

“Kuvendi i Kosovës ka monitoruar shumë ligje, por në fund të fundit Kuvendi nxjerr rekomandime dhe ato rekomandime nuk po zbatohen nga Qeveria”, shprehet Gashi.

Ndryshe, në Kosovë funksionon ende një sistem i përzier, ku me rastet e cilësuara si raste të rënda, merret misioni i BE-së për sundim të ligjit, kurse me rastet tjera merren institucionet vendore të drejtësisë. Javën e fundit, ishte ambasadori amerikan Kristofer Dell, ai i cili tha se në Kosovë korrupsioni tolerohet nga e tërë shoqëria kosovare, duke apostrofuar se të gjitha partitë politike janë të përfshira në këtë problem, por në shkallë të ndryshme.

Lexoni më shumë:
Koncesionimi i "kontestueshëm"
Përfitimet nga pronat komunale
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

XS
SM
MD
LG