Ndërlidhjet

DASH: Trafikantët e ndëshkuar "butë"


Harta e Kosovës
Harta e Kosovës
Raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit mbi Trafikimin e Personave për vitin 2012, e cilëson Kosovën si një vend që është burim, destinacion, dhe ndoshta vend transit për gratë dhe fëmijët që janë viktima të trafikimit për seks, si dhe për fëmijët që i nënshtrohen lypjes së detyruar.

Qeveria e Kosovës, thuhet në raport, nuk përmbush plotësisht standardet minimale për eliminimin e trafikimit, megjithatë, ajo po bën përpjekje domethënëse për ta arritur këtë.

Zyrtarët e Policisë së Kosovës, thonë se në kuadër të planit zhvillimor strategjik për periudhën 2011 – 2015, janë paraparë objektiva të veçanta edhe për luftimin e trafikimit të qenieve njerëzore dhe prostitucionit.

Baki Kelani, zëdhenës i Policisë së Kosovës thotë se si synime dhe objektiva strategjike, janë edhe zbulimi i kryerësve të veprave penale, kapjen dhe dorëzimin e tyre para organeve të drejtësisë.

Për të shtuar efikasitetin, sipas Kelanit, Policia e Kosovës i ka ngritur kapacitetet njerëzore dhe profesionale në drejtorinë për hetimin e trafikimit me qenie njerëzore

Për këtë mund të themi se vërehen të arritura të kënaqshme të kësaj drejtorie, si në arrestimin e kryerësve të veprave penale, e po ashtu edhe në identifikimin e viktimave të trafikuara”.

Në kuadër të planifikimeve operacionale të kësaj drejtorie, është paraparë edhe bashkëpunimi me institucionet tjera përkatëse, siç janë inspektoratet lokale dhe qendrore, e po ashtu edhe qendrat për punë sociale dhe qendrat për strehimin e viktimave të trafikuara”, thotë Kelani.

Sipas zëdhënësit Kelani, gjatë vitit 2011 Policia e Kosovës ka arrestuar mbi 145 persona për trafikim me qenie njerëzore.

Megjithatë, krahasuar rezultatet e 3 muajve të vitit të kaluar me të njëjtën periudhë të këtij viti, Kelani vlerëson se efikasiteti i Policisë së Kosoves në kapjen e trafikantëve të qenieve njerëzore është shtuar dukshëm.

Për periudhën tremujore janar-mars 2011, janë hapur 16 raste, ndërsa në periudhën janar-mars 2012, janë hapur 35 raste. Raste të dorëzuara në prokurori janë 16 në tremujorin e vitit 2011, ndërsa në tremujorin e 2012 janë 29 raste”.

Raste nën hetime nga 2011-janë 14, ndërsa 2012 – tremujori - 47 raste. Raste të hapura dhe të mbyllura me raport të veçantë janë 13 në tremujorin e 2011, ndërkaq 29 në tremujorin e vitit 2012. Mund të them se në tremujori e vitit 2011 janë rreth 50 persona që janë arrestuar, ndërsa në tremujorin e vitit 2012 janë 63 persona”, thekson ai.

Ndryshe, raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit mbi Trafikimin e Personave për vitin 2012, në pjesën ku flitet për Kosovën, e ka quajtur mjaft real dhe të saktë edhe Behxhet Shala, drejtues i Këshillit për Mbrojtjen e Lirive dhe të Drejtave të Njeriut.

Sipas tij, Kosova është vend i burimit, destinacionit dhe transitit të viktimave të trafikimit me qenie njerëzore.

Është një vend transit, për shkak se vijnë qeniet e trafikuara nga shtetet e tjera dhe shkojnë në shtete tjera. Është vend i destinimit, ngase në emër të gjetjes së një vendi të punës, vijnë femra që trafikohen kryesisht nga Moldavia, Ukraina, madje edhe nga Shqipëria dhe disa vende të tjera, të cilat e kanë një status ekonomik më të ulët”.

Është e vërtetë që është edhe i burimit të trafikimit, sepse pikërisht për shkak të gjendjes së rëndë ekonomike dhe sociale, kanë filluar të rekrutohen edhe femrat që trafikohen nga Kosova, të cilat trafikohen edhe përbrenda Kosovës, por edhe në shtetet e tjera”, shprehet Shala.

Ai thekson se Policia e Kosovës, me gjithë angazhimin e shtuar, e ka mjaft të vështirë që ta luftojë dukurinë e trafikimit me qenie njerëzore.

Ai gjithashtu ka kritikuar politikat ndëshkimore, të cilat aplikohen ndaj trafikantëve.

Shumica vijnë nën maskën e kërkimit të një vendi të punë dhe prandaj e krijojnë edhe një alibi. Kryesisht punojnë në disa objekte hoteliere ose motele dhe vetëm kur kapen, atëherë viktimat arrestohen. Por, është një problem. Për shkak se Kosova nuk ka marrëdhënie diplomatike me shtetet, siç janë për shembull: Ukraina, Moldavia dhe disa shtete tjera, ka problem edhe ta bëjë kthimin e tyre”.

Por, as ato nuk mund të vënë kontakt me shtetet e tyre dhe nuk ka kush që të interesohet për to. Ndërkaq, dënimet për trafikim, politika ndëshkimore është shumë e butë. Kjo ka qenë vërejtje e KMDLNJ-së që nga fillimi, sepse me dënime të buta nuk mund të pengohet kjo dukuri dhe besoj se nuk mund të ndikojë në mënyrë parandaluese”.

Sidoqoftë, Raporti mbi Trafikimin e Personave për vitin 2012 thotë se shumica e viktimave të trafikimit seksual të shfrytëzuara në Kosovë, janë qytetare femra të Kosovës.


DASH: Kosova vend burimi e destinacioni për trafikim njerëzish


Sekretarja amerikane e shtetit, Hillari Klinton, paraqiti të martën pasdite Raportin mbi Trafikimin e Personave për vitin 2012. Raporti bën vlerësimin e përpjekjeve të qeverive kudo në botë për të luftuar trafikimin e qenieve njerëzore.

Në pjesën kushtuar Kosovës, raporti shprehet se vendi është burim, destinacion, dhe ndoshta vend tranzit për gratë dhe fëmijët që janë viktima të trafikimit për seks, dhe për fëmijët që i nënshtrohen lypjes së detyruar.

Raporti thotë se qeveria e Kosovës po bën përpjekje domethënëse për të përmbushur plotësisht standardet minimale për eliminimin e trafikimit, por në të veçohet gjithashtu fakti se pavarësisht njoftimeve mbi raste bashkëpunimi në trafikim nga ana e punonjësve qeveritarë, asnjë zyrtar nuk është dënuar për këtë vepër penale.

Raporti mbi Trafikimin e Personave për vitin 2012 thotë se shumica e viktimave të trafikimit seksual të shfrytëzuara në vend, janë qytetare femra të Kosovës.

Fëmijë nga Kosova dhe vendet fqinje shfrytëzohen për lypje të detyruar brenda territorit të Kosovës. Pjesa më e madhe e viktimave të huaja të prostitucionit të detyruar - vazhdon vlerësimin DASH - janë gra të reja nga Evropa Lindore, duke përfshirë Moldavinë, Shqipërinë, Poloninë dhe Serbinë.

Gra dhe fëmijë kosovarë i nënshtrohen prostitucionit të detyruar, martesave shfrytëzuese, dhe punës së detyruar në të gjithë Evropën. Raporti citon policinë e Kosovës për të përmendur se trafikantët shfrytëzojnë më rrallë viktimat e trafikimit të seksit në bare dhe kafene, duke u mbështetur kryesisht tek banesat private.

Qeveria e Kosovës, thuhet në raport, nuk përmbush plotësisht standardet minimale për eliminimin e trafikimit, megjithatë, ajo po bën përpjekje domethënëse për ta arritur këtë. Qeveria ka vazhduar zbatimin e procedurave operative standarde të saj të përqëndruara tek viktimat si dhe standardet minimale për kujdesin e viktimave të trafikimit.

Përpjekjet nga ana e qeverisë së Kosovës për parandalim e trafikimit vazhduan të jenë shumë të forta, duke përfshirë thirrje me bazë të gjerë në media, përqëndrim tek të rinjtë, dhe koordinim qeveritar në disa nivele.

Por, raporti i DASH i referohet organizatave ndërkombëtare duke thënë se është vërejtur se gjyqësori dhe prokurorët mbeten jo plotësisht të aftë për të ndjekur penalisht rastet e trafikimit, duke rezultuar në vënie të pamjaftueshme para përgjegjësisë të autorëve të trafikimit. Pavarësisht njoftimeve mbi raste bashkëpunimi në trafikim nga ana e punonjësve të qeverisë, asnjë zyrtar qeveritar nuk është dënuar për bashkëpunim.

Raporti mbi Trafikimin e Personave për vitin 2012 i Departamentit amerikan të Shtetit rendit edhe disa rekomandime për Kosovën, duke kërkuar që vendi të bëjë përpjekje më të fuqishme për të ndjekur penalisht, fajësuar dhe dënuar autorët e trafikimit për seks dhe për punë, duke përfshirë zyrtarët e përfshirë në trafikim; të rrisë trajnimin specifik për trafikimin të prokurorëve dhe gjyqësorit, të sigurojë që mbrojtja e punës sociale për viktimat e trafikimit të jetë plotësisht e financuar; duke kërkuar gjithashtu që Kosova të zbatojë Planin Strategjik dhe të Veprimit Kombëtar kundër Trafikimit të Qenieve Njerëzore për vitet 2011-2014; të shtojë hetimet e veprave penale të punës së detyruar si dhe të rrisë rastet e zbulimit dhe të mbrojtjes së viktimave të lypjes së detyruar në Kosovë.

Për Departamentin amerikan të Shtetit është e rëndësishme gjithashtu që të sigurohet që të gjitha viktimat e trafikimit të lejohen të lënë vendstrehimet sociale të papërgjuar dhe me vullnetin e tyre e të financohet në mënyrë të përshtatshme në nivel komunal puna sociale e kujdesit për viktimat e trafikimit.

Raporti thotë se Kosova duhet të vazhdojë vlerësimin e programeve të trafikimit për të siguruar efikasitetin e tyre; të sigurojë që emigrantët pa dokumenta të jenë shqyrtuar për të parë nëse janë viktima të trafikimit para se të dërgohen në vendet e tyre; të përmirësojë procedurat e kthimit për t’u lejuar viktimave të trafikimit të kenë mundësi të përdorin këto procedura kthimi; të ndajë të dhënat e autoriteteve ligjore për anti-trafikimin seksual nga ai i punës si dhe të vazhdojë fushatat për ndërgjegjësimin e publikut, duke përfshirë edhe fushata rreth rreziqeve të lypjes. (a.v.)

* huazuar nga Zëri i Amerikës
XS
SM
MD
LG