Ndërlidhjet

Maqedoni: Ligji i diskutueshëm hyn në rend dite


Parlamenti i Maqedonisë
Parlamenti i Maqedonisë
Projektligji i cili rregullon statusin e ish pjesëtarëve të forcave të sigurimit që pësuan në konfliktin e vitit 2001 në Maqedoni, i propozuar nga partia maqedonase në pushtet VMRO-DPMNE, me gjithë rezistimin e deputetëve shqiptarë, është vendosur në rend dite të komisionit parlamentar për punë dhe politikë sociale.

Deputetët shqiptarë, me këtë rast, kanë theksuar se ligji në këtë formë siç është propozuar, shkatërron themelet e shtetit multietnik dhe tensionon edhe më shumë raportet ndëretnike.

Votat e deputetëve shqiptarë, dy të PDSH-së, si dhe ajo e BDI-së, ishin të pamjaftueshme kundrejt shtatë votave të deputetëve maqedonas, për të bllokuar këtë ligj.

PDSH-ja konsideron se ligji në fjalë duhet të tërhiqet, ngase me miratimin e tij, do të pasojnë tensione dhe përkeqësim të marrëdhënieve ndëretnike.

Për nga përmbajtja, ky ligj është nacional dhe kryekëput antishqiptar. Të propozosh ligj që dëmton rëndë marrëdhëniet ndëretnike në vend, ligj që vë në pikëpyetje funksionimin e mëtutjeshëm të Maqedonisë si shtet, është një papërgjegjësi e madhe dhe njëkohësisht është një aventurë shumë e rrezikshme për të ardhmen e Maqedonisë. Sjelljet fëmijërore të kësaj qeverie, paraqesin rrezik real për prishjen e marrëdhënieve ndëretnike, të cilat si pasojë e veprimeve të qeverisjes aktuale, edhe ashtu janë shumë të brishta”, është shprehur Bekim Fazliu, deputet i PDSH-së.

Edhe BDI, që është pjesë e koalicionit qeverisës, është shprehur kundër ligjit të propozuar nga VMRO-DPMNE, pasi me të përjashtohen nga përfitimet pjesëtarët e grupeve të armatosura shqiptare.

Duke vlerësuar në masën morale edhe atë financiare, ju si propozues (VMRO-DPMNE), sipas së cilit është i kopiluar ligji duke favorizuar vetëm njërën anë, vetëm njërin krah, keni denigruar, keni fyer palën tjetër, shqiptarët ata që kontribuuan në arritjen e Marrëveshjes së Ohrit. Ata që vërtetë duan të ndërtojnë një shtet me themele të fuqishme multietnike. Fatkeqësisht, me këtë propozim dhe arsyetimin që i bëhet nga propozuesi, shkatërrohen themelet e shtetit multietnik”, ka deklaruar deputeti i BDI-së Arben Llabënishta.

Kjo parti, edhe të mërkurën ka përsëritur se në ligj duhet të përfshihen të dyja palët të cilat kanë qenë të përfshira në konfliktin e vitit 2001, në të kundërtën nuk do të ketë ligj që do të mund të miratohet në Parlament, ngase kjo parti do t’i shfrytëzojë gjitha mekanizmat juridike që lejohen nga Rregullorja e Parlamentit, për ta bllokuar këtë duke përfshirë këtu dhe mekanizmin e votimit të dyfishtë.

Ndërkohë, deputeti i RDK -së (Rilindjes Demokratike Kombëtare), Izet Zeqiri, ka theksuar se ligji i propozuar në këtë formë nga VMRO-DPMNE-ja, bie ndesh drejtpërdrejt me dispozitat ligjore të Marrëveshjes së Ohrit dhe frymës për bashkëjetesë që promovon dokumenti kornizë.

Nga ana tjetër, deputeti i VMRO-së Vele Gjeorgjievski, gjersa ka arsyetuar ligjin e partisë së tij, ish ushtarët e UÇK-së i ka quajtur grupe paramilitare ekstremiste, pas çka ka pasuar debat i ashpër mes deputetëve shqiptarë dhe atyre maqedonas.

Ky ligj nuk duhet parë si ligj që fyen shqiptarët sepse me të rregullohen të drejtat e pjesëtarëve të forcave të sigurisë, struktura e të cilave përbëhet jo vetëm nga maqedonasit”, është shprehur Gjeorgjievski

Edhe deputetët e partisë më e madhe opozitare, LSDM janë shprehur pro ligjit në fjalë, por njëkohësisht kanë qartësuar se nëse BDI paraqet amendamente plotësuese ku do të përfshihen privilegje edhe për ish përfaqësuesit të UCK-së, ata nuk do të votojnë për të njëjtin.
XS
SM
MD
LG