Ndërlidhjet

Shkup: Projektligji i "ngrirë" për forcat e sigurimit


Maqedoni...
Maqedoni...
Projektligji i VMRO-DPMNE-së për zhdëmtimin e forcave maqedonase të sigurimit që kanë pësuar në konfliktin e vitit 2001 në Maqedoni, e që kundërshtohet nga partneri i saj në qeveri Bashkimi Demokratik për Integrim, vazhdon të mbajë pezull punën e Kuvendit.

BDI-ja një ditë më parë bllokoi miratimin e ligjeve me shenjën evropiane, por të mërkurën ajo u kthye në Kuvend me arsyetimin se nuk dëshiron të jetë frenuese e agjendës evropiane ndërsa, sipas saj, kur bëhet fjalë për ligjin për forcat e sigurimit, ai do të kundërshtohet me të gjitha format e mundshme që parashihen me rregulloren e punës së Kuvendit.

Tash një javë projektligji nuk mund të kalojë procedurën në komisionet parlamentare për shkak të fjalimeve maratonike të deputetëve të BDI-së, ndërkohë që propozimi është vendosur si pikë e rendit të ditës edhe të seancës plenare përkundër insistimit të opozitës shqiptare për largimin e saj apo bllokimin e miratimit, e që sipas Imer Aliut nga PDSH-ja, mund të arrihet me braktisjen e qeverisë nga ana e BDI-së.

PDSH-ja ‘bllanko’ ua dha përkrahjen me qëllim parandalimin e këtij ligji, por si duhet ata nuk duan ta kuptojnë se çfarë ne nënkuptojmë me parandalim. Me parandalim nënkuptohet bllokimi i miratimit të këtij ligji, parandalim nënkupton të realizohet paralajmërimi i BDI-së ta lëshojë qeverinë me qëllim që ky ligj mos të miratohet”, ka deklaruar kryetari i grupit parlamentar të PDSH-së, Imer Aliu.

Në fakt, paralajmërimin për braktisjen e qeverisë si mundësi e kishte bërë vetë BDI-ja, në rast se propozim-ligji miratohet pa votat e deputetëve shqiptarë.

Nga kjo parti, thonë se një ligj për forcat maqedonase të sigurimit, tashmë ekziston, andaj nuk ka nevojë për ligj të ri, i cili, sipas kësaj partie, “është në kundërshtim me Kushtetutën dhe Marrëveshjen e Ohrit, dhe që nuk i kontribuon ndërtimit të mirëbesimit dhe pajtimit ndëretnik në Maqedoni”.

Njohësit e zhvillimeve politike, duke folur për mundësinë e gjetjes së një zgjidhje për dalje nga situata e krijuar, thonë se ajo vështirë se do të ndodhë, pasi tërheqja e tyre nga kriza e krijuar nga vetë ata, do të dëmtonte imazhin e tyre.

Kriza edhe pse është e imponuar artificialisht, ajo është krizë dhe me vetë faktin se aktorët nuk mund të tërhiqen shumë lehtë prej saj, pra objektivisht e kanë sjellë situatën në krizë. Unë mendoj se palët vështirë se do të tërhiqen nga pozicionet e tyre. Pra, nëse ndonjëra palë do të tërhiqet nga pozicioni, do ta paguajë shumë shtrenjtë para elektoratit. Kështu që nuk shoh mundësinë e ndonjë marrëveshjeje të shpejtë. Pra ky duel, ky ping-pong, mund të zgjasë një kohë më të gjatë, ndoshta deri në zgjedhjet e ardhshme lokale”, u shpreh analisti Mersel Bilalli.

Por, Vlladimir Bozhinovski tha se zgjidhje për dalje nga kriza mund të ketë, por, për këtë duhet të ketë vullnet politik nga të dyja palët, pasi zgjedhjet e parakohshme, sipas tij, si duket nuk parapëlqehen nga asnjëra palë.

Mendoj se tani problemi nuk qëndron në atë se a duhet kompromisi, pasi mendoj se të gjithë aktorët dëshirojnë që të zgjidhet situata, por çështja është se si të arrihet kjo pasi situata është pak më specifike. Ishte e qartë se BDI-ja do të bllokojë punën e Kuvendit, por ajo ndërmori edhe hapa tjerë, duke zëvendësuar emrat e disa shkollave me emra të personaliteteve shqiptare. Të dyja palët duhet të tregojnë vullnet, pra duhet të lëshojnë pe, pasi zgjedhjet e parakohshme mendoj se nuk i konvenojnë askujt”, theksoi Bozhinovski.

Nga tjetër, Mersel Bilalli thotë se është e papranueshme edhe ideja për një qeveri të re të formuar nga partitë opozitare që e kanë numrin e nevojshëm, nëse asaj e bashkëngjitet edhe BDI-ja, e që për kryeministër do të caktonte një shqiptar.

Një propozim të këtillë që qarkullon në opinion së fundi e ka publikuar Lubomir Fërçkovski, kuadër i LSDM-së dhe ish ministër i Jashtëm.

Bilalli thotë se një mundësi të tillë do ta kundërshtonte vetë BDI-ja, e cila, në vazhdimësi ka mbrojtur qëndrimin se qeverisë duhet të formohen nga partitë fituese të zgjedhjeve tek elektorati shqiptar dhe maqedonas.
XS
SM
MD
LG