Ndërlidhjet

Korrupsioni, vepra e pandëshkuar penale


Ilustrim

Ilustrim

Dukuria e korrupsionit në Kosovë thuhet se është përhapur në të gjitha fushat dhe vërehet në të gjitha nivelet e qeverisjes, si në nivelin lokal, po ashtu edhe në atë qendror, thonë përfaqësues të shoqërisë civile, duke shtuar se për këtë dukuri negative dënimet mbesin shumë të ulëta.

Në Instituti Demokratik të Kosovës shprehen të pakënaqur me formën se si Gjyqësori kosovar po trajton veprat korruptive dhe çështjet e krimit të organizuar.

Isuf Zena, hulumtues i projektit të monitorimit të prokurimit publik, në këtë institut, thotë se ka një numër shumë të kufizuar të zyrtarëve që janë dënuar dhe atë me dënime minimale.

Duket se organet kompetente, siç thotë Zena, po kënaqen vetëm me hetime të rasteve të korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe nuk po i dërgojnë deri në fund raste për t’i gjykuar.

“Ne mendojmë se veprat korruptive, të cilat po trajtohen dhe gjykohen, nuk janë të nivelit të lartë, por janë të nivelit të mesëm apo të ulët, për shkak se Prokuroria vendore, por edhe Gjyqësori në përgjithësi nuk ka vullnetin e duhur për të goditur korrupsionin në nivelet më të larta”, tha Zena.

Edhe këshilltari ligjor në organizatën joqeveritare “Çohu”, Artan Demahasaj, tha se personat e dyshuar për korrupsion nuk po hetohen nga Prokuroria.

“Ato lëndë që po shkojnë nga Prokuroria në gjykata për t’u dënuar, shumë pak shqyrtohen, dhe ato që shqyrtohen, një numër shumë i vogël i tyre pasojnë me dënime me burgim. Shumica prej tyre kanë një dënim me gjobë, ose lirohen krejt të pafajshëm, ose dënohen me kusht. Prej 100 për qind të lëndëve të shqyrtuara, as 10 për qind prej tyre nuk dënohen me burgim, por shumica prej tyre dënohen me gjobë, ose lirohen si të pafajshëm”, u shpreh Demhasaj.

Agjencia Kosovare Kundër-korrupsion, është agjenci që merret me luftimin e dukurisë së korrupsionit. Hasan Preteni, drejtor në AKK, në përgjigjen nëpërmjet postës elektronike, vlerëson se trajtimi i rasteve nga prokuroritë është shumë negativ. Derisa prokuroritë e EULEX-it në këtë drejtim janë më aktive, sipas tij, ato vendore janë shumë të plogështa.

Vetëm vitin e kaluar kjo agjenci ka pranuar shumë informata për dyshime se persona të caktuar mund të jenë përfshirë në veprime korruptive. Në 164 raste, AKK-ja ka gjetur elemente bazë për fillimin e hetimeve ndaj tyre.

Ndërsa, pas përfundimit të procedurave hetimore paraprake, AKK-ja ka konstatuar se prej 164 rasteve të raportuara për korrupsion, në 52 ka të dhëna të mjaftueshme apo dhe dyshim të arsyeshëm se rasti mund të përbëjë vepër penale.

Në këto 52 raste ku përfshihen 159 persona agjencia ka ushtruar kallëzime penale dhe të njëjtat i ka përcjellë te Policia e Kosovës dhe prokuroritë kompetente për procedim të mëtutjeshëm penal për këto vepra të dyshuara me natyrë korruptive.

Mosndëshkimi i rasteve korruptive, ka krijuar hapësirë të mjaftueshme që
personat e dyshuar për korrupsion lirshëm të ushtrojnë këtë veprimtari.
Isuf Zena, nga Instituti Demokratik i Kosovës, tha:

Përderisa nuk ka një dorë që ndëshkon personat që janë të përfshirë në korrupsion, atëherë kjo dukuri vetëm sa do të intensifikohet, sepse kemi një mos zbatim efektiv të legjislacionit penal në Kosovë dhe me siguri se numri i rasteve të korrupsionit vetëm sa do të pësojë rritje”.

Mosdënimi i personave të dyshuar për korrupsion mund të rrisë ende nivelin e kësaj dukurie në vend, konsideron Artan Demhasaj, nga organizata “ÇOHU”.

“Ky është një precedent që në një farë mënyre, kur tjerë persona nuk shohin se personat që janë të korruptuar, nuk dënohen, kjo është një nxitje që edhe personat tjetër që nuk kanë qenë të korruptuar, të korruptohen. Kur shohin se nuk po luftohet dhe nuk po dënohen personat e korruptuar është precedent të shtohet numri i rasteve të personave korruptuar”, theksoi demhasaj.

Se Kosova ka nivel të lartë të korrupsionit është thënë disa herë edhe në shumë raporte ndërkombëtare.
  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

XS
SM
MD
LG