Ndërlidhjet

A do të ishte e ligjshme ndërhyrja në Siri?


Gjatë një proteste në Angli, kundër ndërhyrjes në Siri...
Gjatë një proteste në Angli, kundër ndërhyrjes në Siri...
Po qe se Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre do të ndërhynin ushtarakisht në Siri, pa miratim të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, a do të ishte një gjë e tillë shkelje e ligjit ndërkombëtar?

Njohësit e çështjeve ligjore janë të ndarë në përgjigje.

Për Geoffrey Robertsonin, gjykatës që ka ndjekur raste të rëndësishme në Gjykatën Evropiane të Drejtësisë, Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe Gjykatën e Kombeve të Bashkuara për Krime Lufte, historia është e mbushur me precedentë që tregojnë se ndërhyrja nuk do të ishte shkelje.

E drejta për të ndërhyrë, për të ndaluar një krim kundër njerëzimit, ka qenë me ne për shumë shekuj, ka datuar para Kombeve të Bashkuara dhe vazhdon pas Kombeve të Bashkuara”, thotë Robertson.

Ai thotë se shumë kohë para krijimit të OKB-së më 1945, Britanisë nuk i është dashur miratimi i botës që të sulmojë portet e huaja për të ndaluar tregtinë e skllevërve, ose që të udhëheqë një koalicion për të ndaluar mizoritë e Perandorisë Osmane dhe për të çliruar Greqinë. Raste ka pasur edhe pas krijimit të OKB-së.

Presidenti i Ugandës, Idi Amin, ka vrarë 75,000 qytetarë të tij dhe është rrëzuar nga një pushtim tërësisht legjitim, që nuk e ka pasur miratimin e Këshillit të Sigurimit. Përdhunimet masive dhe gjenocidi në Bangladesh, më 1971, kanë marrë fund me ndërhyrjen që nuk ka pasur miratim të Këshillit të Sigurimit”, thotë Robertson.

Ai po ashtu përmend Kosovën si precedent të përshtatshëm, i cili po studiohet nga avokatët në Shtëpinë e Bardhë.

Fushata e NATO-s më 1999 në Kosovë ka ndaluar spastrimin etnik të shqiptarëve nga forcat jugosllave, por nuk ka pasur autorizim të Këshillit të Sigurimit.

Komisioni i Pavarur Ndërkombëtar për Kosovën ka vlerësuar më vonë se fushata ka qenë përdorim “legjitim” i fuqisë ushtarake.

Robertson thotë se rasti i Kosovës është i zbatueshëm në Siri, pasi të dyja përfshijnë krime kundër njerëzimit dhe edhe tani, sikurse atëherë, Rusia kundërshton intervenimin dhe përdor veton në Këshillin e Sigurimit për të bllokuar autorizimin e forcës.

Kjo, sipas tij, është pjesërisht arsyeja përse Këshilli i Sigurimit është një “tribunal i pakënaqshëm” për të vendosur rreth çështjeve urgjente morale. Ai mund të dalë joefektiv dhe të gabojë.

Në vitin 2003, ish-sekretari amerikan i Shtetit, Colin Powell, ka bindur Këshillin se Iraku ka armë të shkatërrimit në masë, por pohimi i tillë ka dalë të jetë i rremë.

Robertson do të donte të shihte sekretarin e përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki-moon, duke emëruar një panel të gjykatësve të pavarur ndërkombëtarë, për të shqyrtuar provat mbi fajësinë e Bashar al-Assadit dhe jo t’ia lërë çështjen Këshillit të Sigurimit. Assadi ka mohuar se ka urdhëruar sulmin e dyshuar kimik.

Robertson sheh po ashtu justifikim ligjor për të ndërhyrë në Protokollin e Gjenevës, të vitit 1925, që ndalon armët kimike dhe biologjike dhe që është nënshkruar nga Siria, dhe në Konventën e Armëve Kimike të vitit 1993, e cila është nënshkruar nga 189 vende, por jo edhe nga Siria.

“Nëse duam të kemi rregull kundër përdorimit të armëve kimike, duhet të ketë pasoja për ata që i përdorin ato”, thotë Robertson.

Aty ku Robertson nuk sheh arsyetim ligjor është doktrina e Kombeve të Bashkuara për vetëmbrojtje, të cilën presidenti Barack Obama ka thënë se mund ta zbatojë, pasi përdorimi i armëve kimike përbën kërcënim për Shtetet e Bashkuara.

Mendoj se vërtet është një urë shumë e largët. Nuk mund të thoni se është një akt i vetëmbrojtjes për Amerikën për të sulmuar Sirinë. Mund të thoni se është një akt për të ndaluar një krim të vazhdueshëm kundër njerëzimit – domethënë, vrasje masive nga qeveria e Assadit. Kjo, sipas meje, është pikërisht ajo që mund të bëjë Amerika me të drejtë”, thotë Robertson.

Në anën tjetër të argumentit ligjor është profesori i së drejtës në Universitetin Northwestern dhe eksperti i Kombeve të Bashkuara, Ian Hurd, i cili ka shkruar një editorial për gazetën “New York Times”, të titulluar “Bombardoni Sirinë, edhe nëse është e paligjshme”.

Në artikullin e tij, Hurd ka theksuar se traktati i vitit 1925 që ndalon armët kimike është hartuar me “luftën ndërkombëtare në mendje dhe jo me konfliktet e brendshme”.

Ai thotë se obligim ligjor i të gjitha vendeve në botën e pas vitit 1945 është aderimi në Kartën e OKB-së, e cila e bën të qartë se kur mund të ndërmerret aksion ushtarak kundër një vendi tjetër.

Në ligjin ndërkombëtar është shumë e qartë se vendet nuk lejohet të përdorin forcën kundër vendeve të tjera, pos në vetëmbrojtje ose me miratim të Këshillit të Sigurimit. Kjo është shumë e qartë në Kartën e OKB-së dhe kështu ka qenë pjesë dominuese e ligjit ndërkombëtar qysh në vitin 1945. Nuk ka asnjë përjashtim në këtë ligj për intervenime humanitare”, thotë Hurd.

Ai beson se ndërhyrja ushtarake në Siri është e justifikueshme në baza morale dhe do të donte të shihte Shtetet e Bashkuara teksa marrin aksione vetëm për këtë arsye.

Hurd thotë se në mesin e njohësve të ligjit ka pasur për një kohë debat nëse “ligji i OKB-së ka ndryshuar në mënyrë të natyrshme viteve të fundit, për ta bërë legal përdorimin e forcës për arsye humanitare dhe pa miratim të Këshillit të Sigurimit”.

Kjo është e diskutueshme sepse mbështetet në idenë se ligji ndërkombëtar mund të ndryshojë në përputhje me mënyrën se si vendet duan që ai të ndryshojë dhe në varësi të asaj se si busulla e tyre morale i detyron ato të përgjigjen për gjërat e tilla si gjenocidi.

Hurd thotë se ideja që ligji i Kombeve të Bashkuara është i pamjaftueshëm për t’iu përgjigjur krimeve kundër njerëzimit për herë të parë ka dalë në sipërfaqe pas gjenocidit të vitit 1994 në Ruandë.

“Njëzet vjetët e fundit janë karakterizuar vërtet me jehonat e gjenocidit në Ruandë, ku OKB-ja ka pasur paqeruajtës dhe ka ditur për vrasjen masive të njerëzve të pafajshëm, por në fakt nuk ka bërë asgjë për t’i ndaluar ato, pasi ligji ndërkombëtar ka thënë se nuk mund të bëjë. Mendoj se vazhdojmë të kemi ende pasojat e asaj traume, pasi lidhet me të drejtën ndërkombëtare”, thotë Hurd.

Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, e ka cilësuar sulmin kimik në Siri si “turp moral”. Presidenti i Francës, Francois Hollande, ka thënë se përgjigjja e vetme e papërshtatshme do të ishte “të mos bërit asgjë”.

Hurd thotë se nëse mbështesni qëndrimin se forca është e justifikueshme për të ndaluar mizoritë masive, atëherë ka një varg argumentesh për të verpuar në Siri pa miratimin e Këshillit.

Më 29 gusht, Parlamenti i Britanisë ka hedhur poshtë argumentet e kryeministrit David Cameron për sulme të mundshme ushtarake. Tani, bota pret të dëgjojë fjalën e Obamës.

Përgatiti: Valona Tela
XS
SM
MD
LG