Ndërlidhjet

logo-print

Rivotimi në veri, policia nxjerr mësim


Mitrovicë

Mitrovicë

Mos u kushtoni shumë vëmendje atyre, sepse janë kah e shkatërrojnë vetveten”, thotë Nikolla Jovanoviq, duke bërë me gisht në drejtim të paqeruajtësve të NATO-s në Kosovë, që po patrullonin rrugëve të Mitrovicës së Veriut të enjten.

Këtë përgjigje dha pensionist serb, Nikolla Jovanoviq, kur e pyetëm nëse ndihet i sigurt që të dalë për të votuar më 17 nëntor, kur është caktuar data për rivotim në Mitrovicën Veriore.

Zgjedhjet e 3 nëntorit në tri qendrat e votimit në këtë pjesë të ndarë të qytetit të minatorëve, u përdhosën pak para përfundimit, pasi një grup djemsh me maska hynë brenda sallave dhe demoluan gjithçka brenda.

Pavarësisht këtij incidenti, një banore e Mitrovicës Veriore, zonja Millena Radulloviq, thotë se të drejtën e saj për të votuar do ta shfrytëzojë.

Çka do të zgjidhë Beogradi, këtu unë sigurisht se nuk mund të ndikoj. Por, mua nuk do t’më vijë keq dhe do të votoj”, thotë ajo për Radion Evropa e Lirë.

Tensionet janë shtuar së fundi në veri të lumit Ibër, që ndan qytetin në jugun e banuar me shumicë shqiptare dhe serbët që dominojnë në veri, ku personat e përfshirë në procesin zgjedhor, kanë qenë cak i sulmeve brutale, bashkë me familjet e tyre.

Në veri serbët janë të ndarë në dysh, për dhe kundër zgjedhjeve, kurse më të zëshmit për muaj të tërë kanë qenë nga blloku anti-zgjedhor, që ftonin për bojkot të procesit, pasi vlerësojnë se me daljen e serbëve në votime, Serbia e humb veriun dhe me automatizëm kjo nënkupton njohjen e pavarësisë së Kosovës.

“Këtu te ne, në pjesën veriore, mendoj se njerëzit flasin me një zë, askujt prej nesh nuk i shkon mendja të dalë në votime. Së pari, vlerësoj se nuk është patriotike të dilet në këto zgjedhje. Së dyti, ata që mendojnë se duhet të dalin, nuk është se kam dëgjuar dikë duke u bërë presion që të mos dalin në votime, ose të dalë, gjithkush merr vendimin vetë”, shprehet Petar Marinkoviq.

Kosova ka marrë një notë pozitive nga vëzhguesit e zgjedhjeve të 3 nëntorit, pavarësisht sulmit të kryer në veri dhe incidenteve që ndodhën atje nga frikësimi dhe kërcënimi i votuesve.

Prokuroria e Mitrovicës ka arrestuar një person, i cili dyshohet se ka penguar procesin zgjedhor më 3 nëntor në veri të Kosovës dhe i njëjti është nën kujdestari të forcave të rendit, bën të ditur për Radion Evropa e Lirë kryeprokurori rajonal, Shyqri Syla.

“I arrestuari është identifikuar nga njëri kandidatët për kryetar të komune. Ai është arrestuar për pengim në zgjedhje. Ai i ka penguar njerëzit të shkojnë ntë votojnë, u ka bërë thirrje të mos dalin në votime”, thekson Syla.

Zgjedhjet në katër komunat veriore, Zubin Potok, Leposaviq, Zveçan e Mitrovicë të Veriut, u ndërprenë dy orë para mbylljes zyrtare të vendvotimeve, pasi sulmues me maska u futën në shkollën fillore “Shën Sava”, atë të mesme teknike dhe në Shkollën e Mjekësisë dhe thyen kutitë e votimit.

Sipas kryeprokurorit të Prokurorisë themelore të Mitrovicës, Shyqri Syla, për dhunimin e votave në tri qendrat e votimit në Mitrovicën e Veriut janë hapur rastet dhe policia po i heton provat që ka mbledhur.

Ata kanë hyrë me maska, shihet në fotografitë amatore që i ka bërë dikush. Ata kanë hyrë me maska dhe është vështirë t’i identifikosh personat përnjëherë, nëse ata kanë maska. Mirëpo, policia është duke punuar intensivisht, sepse dihet përafërsisht se kush e ka bërë atë [sulmin], por përgjegjësia është individuale”, shpjegon Syla.

Vëzhguesit e huaj të zgjedhjeve kanë thënë se siguria në veri ka pësuar çarje në ditën e zgjedhjeve, mirëpo Ministria e Brendshme këtë vlerësim e sheh si të pabazë dhe i ka dalë në mbështetje policisë atje.

Zëvendëskomandant i policisë për veriun e Kosovës, Besim Hoti, thotë për Radion Evropa e Lirë se forcat e rendit kanë marrë mësim nga 3 nëntori, megjithëse vlerëson se incidentet në Mitrovicën e Veriut ishin të izoluara.

“Me datën 17 nëntor ne do të kemi këtë prezencë më të shtuar të personelit tonë. Kemi marrë disa mësime nga e kaluara dhe do të mundohemi edhe që t’i evitojmë ose më mirë të them që t’i përmirësojmë disa nga ngecjet që janë evidentuar pas vlerësimit të datës 3 nëntor - e kam fjalën për planin operativ policor, dhe gjithsesi do të mundohemi që këto elemente negative t’i minimizojmë në shkallën më të ulët”, deklaron Hoti.

Dyqindedyzet policë të Kosovës punojnë në veri të vendit, ndërsa në ditën e zgjedhjeve, sipas Besim Hotit, mund të ndodhë që të ftohen edhe forca shtesë, nëse e kërkon situata.

Por, zëvendësdrejtori i Policisë për veriun shton se këtu nuk llogariten edhe forcat e EULEX-it, që kanë rol dytësor në ruajtjen e sigurisë.
XS
SM
MD
LG