Ndërlidhjet

logo-print

Përgjegjësi e kujt ishte siguria në qendrat e votimeve në veri?


Mitrovicë, ura qendrore mbi lumin Ibër, 3 nëntor

Mitrovicë, ura qendrore mbi lumin Ibër, 3 nëntor

Ministria e Punëve të Brendshme, konkretisht Policia e Kosovës, si dhe misioni EULEX, deri më 13 nëntor duhet ta informojnë Komisionin Parlamentar për Punë të Brendshme dhe Siguri, se çka ka ndodhur në veri të Mitrovicës më tre nëntor.

Këtë ditë, grupe të caktuara serbësh kanë prishur procesin zgjedhor në tri qendra votimi dhe policia nuk ka intervenuar me kohë.

Kryetari i komisionit, Ahmeti Isufi, nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës tha se më 3 nëntor është dashur të merren masa adekuate nga ana e Policisë së Kosovës, EULEX-it dhe Prokurorisë, në mënyrë që mbarëvajtja e zgjedhjeve të mos devijojë.

Isufi theksoi se më 17 nëntor, kur përsëriten votimet në tri qendra votimi në Mitrovicën e veriut, institucionet e sigurisë duhet të përkujdesen, e të mos lejojnë hyrjen e individëve që cenojnë integritetin territorial dhe destabilizojnë një pjesë të territorit të Kosovës.

“Kërkesa jonë, si komision, është që institucionet e sigurisë më 17 nëntor të jenë të përgatitura, në mënyrë që procesi zgjedhor atje të shkojë në mënyrë normale, i parashikuar sipas Komisionit Qendror Zgjedhor”.

“Gjithashtu edhe procesi të jetë i mbikëqyrur nga OSBE-ja dhe po ashtu të kemi një gjendje të zhvillimit normal të zgjedhjeve në veri, në mënyrë që Kosova në tërësinë e vet të ketë krijim të institucioneve të rregullta në bazë të votës së lirë”, tha Isufi.

Kurse, anëtari i komisionit, Rexhep Selimi nga Vetëvendosja, vlerësoi se Policia e Kosovës ka kapacitete të mbajë rend dhe ligj në gjithë territorin e Kosovës dhe mund të sigurojë zgjedhje të lira.

Por, sipas tij, ato kapacitete do të duhej t’i fuste në veprim Qeveria e Kosovës gjatë ditës së zgjedhjeve në veri të vendit, gjë që siç thotë ai, nuk e ka bërë më 3 nëntor.

“Policia gjithmonë reagon, por ajo është pjesë e zinxhirit komandues të udhëhequr nga Qeveria. Ky vullnet dhe kjo kërkesë nuk erdhi nga eprorët e tyre. Nëse do të vinte nga eprorët e tyre, policia do të reagonte dhe kam shumë besim te Policia e Kosovës. Mirëpo, ajo s’mund të reagojë krye më vete”, u shpreh Selimi.

Kurse, Fatmir Xhelili nga Partia Demokratike e Kosovës tha se mënyra e sjelljes së policisë gjatë sulmeve në disa qendra votimi në veri të Mitrovicës, mund të ketë pasur dy lloje motivesh. Sipas Xhelilit, ekziston mundësia që policia ka pasur tendencë të mos shkaktojë ndonjë tollovi më të madhe, apo ka pritur sulme më të ashpra të serbëve, siç ka ndodhur me mbylljen e gjykatës.

“Nuk mund të jetë përgjegjësia vetëm e Policisë së Kosovës, në asnjë mënyrë, sepse dihet se përgjegjës për sigurinë publike në atë pjesë është EULEX-i. Policia është bashkëvepruese dhe ndihmuese në atë proces. Por, besoj që policia e Kosovës deh EULEX-i tani do të marrin masa shtesë që zgjedhjet e 17 nëntorit të shkojnë në rregull”, theksoi Xhelili.

Ndryshe, kryetari i komisionit Ahmet Isufi, tha se autoritetet e rendit, si ato vendore, ashtu edhe ato ndërkombëtare, në raportin informues duhet të tregojnë se çfarë masa shtesë do të ndërmarrin për të pasur siguri më të madhe në veri, më 17 nëntor, kur edhe do të përsëritën zgjedhjet.

Zgjedhjet e 3 nëntorit në tri qendrat e votimit në veri të Mitrovicës u dëmtuan pak para përfundimit të procesit zgjedhor, pasi një grup personash me maska hynë brenda sallave dhe demoluan gjithçka brenda.
  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG