Ndërlidhjet

Autoritetet e Kosovës kanë intensifikuar aktivitetet e tyre lobuese për tërheqjen e investitorëve ndërkombëtarë. Në konferenca të ndryshme të mbajtura së fundi, ata e kanë paraqitur Kosovën si një vend mjaft atraktiv për të investuar.

Megjithatë, ekspertët e çështjeve ekonomike konsiderojnë se Kosova ende nuk ka arritur të krijojë ambient të favorshëm biznesor. Sipas tyre, Kosova ende mbetet një vend, i cili nuk arrin t’i mbrojë investitorët.

Mungesa e sigurisë, thotë për Radion Evropa e Lirë Lumir Abdixhiku, drejtor i Institutit “Riinvest”, ka bërë që në Kosovë të bien investimet e huaja.

Sipas tij, nëse në vitin 2007, Kosova ka pasur brenda viti rreth 500 milionë euro investime të huaja, ato kanë rënë në 250 milionë euro në vit.

Për Abdixhikun, këto shifra dëshmojnë që Kosova ka dështuar në tërheqjen e investitorëve ndërkombëtarë.

“Kosova i trajton investitorët si të dorës së dytë, përveç që ballafaqohen me probleme të një tregu të vogël dhe të pamjaftueshëm në Kosovë, si çdo biznes tjetër në vend, ata ballafaqohen edhe me korrupsion, burokraci dhe përftime individuale dhe ky trajtim i investitorëve, përfundon me rënie të vazhdueshme të investimeve”, thotë Abdixhiku.

Kosova së fundi ka amendamentuar Ligjin për investime të huaja. Ligji i ri ka hyrë në fuqi në fillim të këtij viti. Sipas këtij ligji, përgjegjës për mbrojtjen dhe promovimin e investimeve është Agjencia për Investime, e cila është në kuadër të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë.

Kryeshefi ekzekutiv i kësaj agjencie, Valdrin Lluka, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë tregon se Kosova ka krijuar një bazë të mirë ligjore dhe me standarde evropiane për investitorët e huaj.

“Çdo investitori të huaj, qoftë edhe kosovar nga diaspora, investimet e tyre janë të garantuara tërësisht. Për më tepër, ne kemi shkuar edhe një hap më tej duke nënshkruar marrëveshje bilaterale për mbrojtje të investimeve me disa shtete. Deri tani është nënshkruar me tetë shtete”, thekson Lluka.

Ai bën të ditur edhe disa problem që investitorët e huaj i kanë hasur në Kosovë, por të cilat janë zgjidhur në bashkëpunim me mekanizmat e sigurisë në vend. Njëra nga ankesat që është paraqitur nga investitori ka të bëjë edhe me kërkim ryshfeti.

“Njëra ka pasur të bëjë me probleme me partnerin lokal vendor që ka pasur dhe tjetra ka qenë problem i natyrës kërkim-ryshfeti. Këto kanë qenë probleme që i kanë shqetësuar investitorët. Ne kemi reaguar shumë shpejt dhe duke dërguar edhe persona përgjegjës në burg dhe në këtë formë është evituar problemi dhe ata investitorët janë në Kosovë si rezultat i reagimit të shpejtë të Policisë së Kosovës”, tregon Lluka.

Ndryshe, kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, në konferencën e shtatë të kryeministrave të vendeve anëtare të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, kishte theksuar se reformat ekonomike që janë bërë në Kosovë, siç janë zonat e lira ekonomike, shpenzimet më të ulëta operative në Evropë, tatimet ndër më të ulëta në Evropë, qasje e lirë në tregun e Bashkimit Evropian, janë vetëm disa nga arsyet pse Kosova duhet të konsiderohet si vend i përshtatshëm për realizimin e investimeve të huaja.

Lumir Abdixhiku

Lumir Abdixhiku

Sidoqoftë, Lumir Abdixhiku vlerëson se Kosova është prapa vendeve të rajonit edhe sa i përket atraksionit të politikave fiskale karshi investitorëve të jashtëm.

Kosova, siç thekson ai, nuk ka asnjë favorizim, asnjë lloj lehtësimi në drejtim të këtyre investitorëve për të ardhur në Kosovë.

“Investitorët e huaja kanë problem me licenca, kanë probleme me vendosje në lokacione të caktuara, kanë probleme me shërbime komunale, gjitha kushtëzohen vetëm pse janë investitorë të huaj. Është pak e çuditshme meqenëse secili vend rajonal bën çmos për t’i tërhequr këta investitorë, e Kosova bën çmos për të marrë sa më shumë prej tyre”, vlerëson Abdixhiku.
  • 16x9 Image

    Luljeta Krasniqi - Veseli

    Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

XS
SM
MD
LG