Ndërlidhjet

Maqedoni: Komisioni i lustrimit, qasje në dosjet e UDB-së dhe KOS-it


Ilustrim

Ilustrim

Komisioni për Verifikimin e Fakteve, i cili është përgjegjës për procesin e lustrimit vlerëson se marrëveshja ndërmjet Maqedonisë dhe Serbisë për shkëmbim dhe mbrojtje të dyanshme të informacioneve të klasifikuara, me atë që të gjitha këto informacione që i ka UDB-ja dhe KOS-i (shërbime të inteligjencës serbe), do të jenë në dispozicion edhe të Komisionit për lustrim të Maqedonisë, paraqet një mundësi të mirë për t`u realizuar në formë më të përpiktë procesi i lustrimit.

Marrëveshja në fjalë ndërmjet Maqedonisë dhe Serbisë është nënshkruar në shkurt të këtij viti dhe tani pritet ratifikimi në Kuvend.

Menjëherë pas kësaj, Komisioni për Verifikimin e Fakteve do të mund të fillojë procedurën për të marrë në dorë disa nga dosjet që shërbimet sekrete jugosllave kanë pasur për maqedonasit, e të cilat kanë mbetur në Beograd.

Nëse në këtë marrëveshje përfshihen dhe dosjet e shërbimeve sekrete dhe për të njëjtat do të ketë qasje Komisioni për Verifikimin e Fakteve, ne do t’i shqyrtojmë ato dosje dhe nëse konstatojmë se personalitete të caktuara të jetës politike kanë bashkëpunuar me shërbimet sekrete, ne do t`i bëjmë publike këto informacione”, deklaron për Radion Evropa e Lirë, kryetari i Komisionit për Verifikimin e Fakteve, Tome Axhiev.

Por, me këtë qëndrim nuk pajtohet kryetari i Shoqatës së ish të Burgosurve Politik Shqiptarë, Shpëtim Pollozhani.

Sipas tij, me vetë fatin që shkëmbimi i informacioneve të klasifikuara, sipas kësaj marrëveshjeje, do të realizohet përmes organeve nacionale të sigurimit të dy shteteve, kjo mundësi paraqet dhe një vegël plotësuese për të komprometuar personalitete të caktuara, që kanë mendime të kundërta me politikën që promovon pushteti.

“Me vetë faktin se shërbimet sekrete, përkatësisht ato të drejtorisë së katërt, ku janë grumbulluar këto materiale, përkatësisht Drejtoria për Siguri dhe Informacione të Klasifikuara, ndërsa në Serbi është Zyra e Këshillit për Siguri Kombëtare dhe Mbrojtje të të Dhënave të Klasifikuara, duhet të komunikojnë mes vete, duke këmbyer informata, tregon se këtu ka dorë Qeveria, duke u bërë një dorë e zgjatur e saj në këtë proces, ngase drejtuesit e këtyre institucioneve i emëron Qeveria”, thekson Pollozhani.

Ai rithekson dhe një herë se procesi i lustrimit është tërësisht i dështuar për gjashtë vjet sa është duke u realizuar në Maqedoni.

“Pavarësisht se emrat e bashkëpunëtorëve kryesorë me shërbimet sekrete nuk i ka bërë publik Komisioni për Verifikimin e Fakteve, ata janë të njohur për ne, sepse i tradhton gjendja e tyre financiare duke jetuar një jetë me standard të lartë”.

Sido që të jetë, unë nga kjo marrëveshje pres një pazarllëk mes Maqedonisë dhe Serbisë natyrisht në dëm të shqiptarëve dhe në asnjë mënyrë ndonjë zhvillim pozitiv në drejtim të zhvillimit të proceseve demokratike të vendit”, potencon Pollozhani.

Ndryshe, Maqedonia që nga viti 2008 prej kur filloi të realizohet procesi i lustrimit, disa herë e ka hapur çështjen për qasjen në arkivat e Beogradit të shërbimeve sekrete, por nuk ka pasur bazë juridike që Serbia t’i japë ato dokumente, të cilat kanë informacione të klasifikuara.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG