Ndërlidhjet

Trysnia ndërkombëtare për ngjarjet në Kumanovë


Diplomatët e vendeve të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, pas takimit me liderin e Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, kanë përshëndetur rolin konstruktiv të BDI-së gjatë zhvillimeve në Kumanovë...

“Shpresoj që BDI do të vazhdojë në mënyrë të njëjtë konstruktive të punojë me të gjitha palët dhe institucionet. Si pjesë e koalicionit qeverisës, BDI ka përgjegjësi për instalimin e parimeve demokratike në shtet".

"Kjo parti e ka për obligim të ndihmojë ndërtimin e institucioneve demokratike njëhërësh të sigurojë se të gjitha gjërat, të cilat janë bërë në formë të gabuar do të hetohen në mënyrë transparente”, ka deklaruar ambasadori italian në Maqedoni Ernesto Massimo Beleli, pas takimit që patën diplomatët e huaj të vendit me liderin e BDI-së Ali Ahmeti.

Ndërkaq, pas takimit me liderin e opozitës Zoran Zaev të martën, në emër të ambasadorëve të Shteteve të Bashkuara, Bashkimit Evropian, Gjermanisë, Francës, Britanisë së Madhe dhe Italisë, ka folur ambasadorja e Gjermanisë në Shkup, Christine Althauser, e cila ka përshëndetur prezencën e Zaevit në Këshillin e Sigurisë, njëherësh ka kërkuar nga opozita kthimin në Kuvend dhe pjesëmarrjen në institucione.

"I kuptojmë rezervat që ekzistojnë dhe nevojën e opozitës që të ngelet vigjilente deri në një shkallë të rrijë anash, por parlamenti mbetet instrumenti kyç ku opozita mund të merr pjesë në hetime, prandaj e inkurajojmë opozitën që të kthehet në Kuvend".

"I bëjmë thirrje opozitës që të ndihmojë në zgjidhjen e krizës politike dhe gjithashtu e përkrahim edhe të drejtën e protestës së qetë dhe publike”, ka deklaruar në emër të diplomatëve të vendeve të BE-së dhe SHBA-së, ambasadorja gjermane.

Ndërkohë, analistët e marrëdhënieve ndërkombëtare, konsiderojnë se diplomatët e huaj, pas takimit të mbrëmshëm që realizuan me kryeministrin e Maqedonisë Nikolla Gruevski, me porositë drejtuar pushtetit, nuk kanë kursyer fare fjalorin e ashpër.

Madje, siç shprehet Nikolla Dujovski, njohës i çështjeve të marrëdhënieve ndërkombëtare, diplomatët e huaj hapur kanë shprehur dyshimet se qeveria aktuale dhe drejtuesit e institucioneve të shtetit, angazhohen me seriozitet në ndërtimin e shtetit demokratik.

“Është shumë mirë që ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe ambasadorët e vendeve të BE-së u takuan me kryeministrin Nikolla Gruevski dhe në formë shumë të qartë, konkrete, madje dhe jo pak të ashpër, i thanë atij (kryeministrit Gruevski) se çfarë presin të realizojë gjatë periudhës së ardhshme".

"Presioni i faktorit ndërkombëtarë, bëhet ndaj institucioneve atje ku vërtetë gjërat mund të ndryshohen”, thekson Nikolla Dujovski.

Ndryshe edhe Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë, edhe sot nuk ka publikuar identitetet e personave të vrarë, si dhe të atyre të cilët u arrestuan gjatë aksionit në Kumanovë.

XS
SM
MD
LG