Ndërlidhjet

logo-print

Buxheti i Republikës së Kosovës i parashikuar për vitin e ardhshëm, nuk do të sjellë zhvillim ekonomik, por thellim të varfërisë, konsiderojnë ekspertët e çështjeve ekonomike.

Përderisa zyrtarë të Qeverisë së Kosovës, kanë thënë se buxheti prek jetën e secilit qytetar të Kosovës dhe adreson objektivat zhvillimore të Qeverisë së Republikës së Kosovës.

Sipas tyre, ky buxhet do të përmirësojë mirëqenien e qytetarëve dhe do të krijojë kushte për zhvillim më të hovshëm ekonomik.

Buxheti i Republikës së Kosovës për vitin 2016 parashihet të jetë 1 miliard e 680 milionë euro, kurse në lexim të parë është miratuar nga deputetët e Kuvendit të Kosovës, nga mesi i këtij muaji, në mes përplasjesh e tensionesh të shumta dhe pa partitë opozitare.

Ekspertë për çështje ekonomike, vlerësojnë se nëse krahasohet me nevojat që kanë qytetarët e Kosovës, buxheti për vitin e ardhshëm është i pamjaftueshëm.

Naim Gashi, e quan të pamjaftueshëm këtë buxhet edhe për kontingjentin e 30 mijë të rinjve që hynë në tregun e punës.

“Megjithatë është provuar nga Qeveria dhe Ministria e Financave që të bëhet maksimumi i mundshëm për racionalizimin e shpenzimeve për vazhdimin e projekteve kapitale që janë jashtëzakonisht të rëndësishme për një zhvillim afatgjatë ekonomik”, tha Gashi.

Buxhet të mbijetesës, ndërkaq e quan buxhetin për vitin 2016, Milazim Abazi, ekspert për çështje ekonomike.

Ai thotë kështu, pasi vlera më e lartë financiare është ndarë për mallra dhe shërbime, kurse për investime kapitale, sidomos projekte të reja, sipas tij, është ndarë një shumë e vogël.

“Nga analizat që i kemi bërë këtij buxheti, shihet se ky buxhet është i mbijetesës, nuk është buxhet zhvillimor. Investimet kapitale janë më të vogla se sa me buxhetin e kaluar".

"Dhe kryesisht ky buxhet do të përdoret për realizimin e projekteve të vjetra. Kurse më pak se një për qind e buxhetit është dedikuar për projekte të reja zhvillimore. Kështu që, qytetarët do të mbesin të zhgënjyer dhe të varfër nga mungesa e investimeve kapitale me këtë buxhet”, thotë Abazi për Radion Evropa e Lirë.

Ai ka shtuar se rritja e shumës me këtë buxhet vërehet te asistenca sociale.

Qeveria e Kosovës ka rritur për 25 për qind shumën e asistencës sociale për 17 mijë familje që janë në këtë skemë. Po ashtu, nga ky buxhet do të përfitojnë edhe pensionistët kontribut-pagues.

Por, Naim Gashi vlerëson se pasi Kosova është një shtet i varfër, dhe rritja e shumë mjeteve për këto kategori është e nevojshme, por që sipas tij, varfëria nuk ulet me skema sociale, por me rritjen e mjeteve për investime në sektorin privat.

“Varfëria në një shtet nuk luftohet përmes skemave sociale, është sektori privat dhe krijimi i vendeve të reja të punës ato të cilat krijojnë vende pune dhe e luftojnë varfërinë në periudhë afatgjatë".

"Prandaj, unë mendoj se mënyra e vetme për të luftuar varfërinë në Kosovë, ashtu siç pretendon edhe buxheti i vitit 2016, është që të forcohet sektori privat, të krijohen vende pune dhe qytetarët të cilët janë në skemat sociale ngadalë të futen në tregun e punës”, thotë Gashi për Radion Evropa e Lirë.

Sa i përket sektorit privat në buxhetin për vitin 2016, do të mbështetet me mbi 16 milionë euro.

Gjatë periudhës 2016-2018, investimet totale do të rriten, nga 27 për qind e Bruto Prodhimit Vendor sa janë sivjet, në 31 për qind kryesisht si rezultat i rritjes së investimeve private, të cilat pritet të jenë trefish më të larta se investimet publike.

Ky është një ndryshim i madh strukturor në ekonomi, ku sektori privat është ai që gjeneron zhvillim ekonomik, bazuar në politikat e favorshme fiskale.

  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG