Ndërlidhjet

Gazetarët në Maqedoni, në favor të propozimeve nga jashtë


Ilustrim
Ilustrim

Partitë politike në Maqedoni u rikthehen bisedimeve për çështjen e medieve, në përpjekje për të arritur një marrëveshje, që vlerësohet si shumë e rëndësishme për mbarëvajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, për datën e të cilave partitë ende kanë qëndrime të kundërta.

Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë i ka bërë thirrje katër partive politike, të përfshira në bisedimet për zgjidhjen e krizës në vend, që t’i pranojnë propozimet e ndërmjetësit Piter Vanhojte.

Sipas kryetarit të kësaj shoqate, Naser Selmani, këto propozime janë të bazuara në përvojat më të avancuara evropiane, por edhe në idetë pozitive të gazetarëve dhe të ekspertëve të fushës mediale në vend.

“Ky propozim do të ndihmojë që të kemi medie të lira dhe të përgjegjshme. Duke i pranuar propozimet e ndërmjetësit Vanhojte , transmetuesi publik maqedonas, MTV, do të jetë në shërbim të qytetarëve, e jo të partive politike, kurse agjencia e medieve do të jetë trup profesional, që do të mbështesë lirinë e medieve. Me këto propozime do të ndërpritet një praktikë e keqe, që pushteti me paratë publike të korruptojë dhe kontrollojë mediet në Maqedoni”, thotë Naser Selmani.

Sipas tij, mbështetja e propozimeve të ndërmjtësve ndërkombëtar do të ndihmonte procesin e integrimit euroatlantik të vendit dhe mbajtjen e zgjedhjeve të lira dhe demokratike pasi përmes një informimi të pavarur dhe objektiv do të raportohej për gjithçka që mund të ndodhë gjatë procesit zgjedhor.

Propozimi i ndërmjetësit belg, Piter Vanhojte, parasheh që Këshilli i Agjencisë së Medieve, i cili do të jetë organi kryesor për mbikëqyrjen e punës së medieve, të përzgjidhet përmes një konkursi publik, me kuadro të dëshmuar në sferën e medieve, ndërsa votimi i tij të bëhet në Kuvend, me dy të tretën e votave të deputetëve.

Propozimi parasheh që e njëjta procedurë të vlejë edhe për organin drejtues të transmetuesit publik,i cili, sipas propozimit, do të kishte një buxhet prej 1 për qind nga buxheti i përgjithshëm shtetëror.

Sa i përket fushatave të qeverisë, propozimi parasheh që ato të mund të emetohen pa pagesë edhe në televizionet komerciale, nëse ato vlerësojnë se janë në interes të opinionit.

Ndërsa, sa i përket tatimeve që paguajnë mediet elektronike, propozimi parasheh uljen e tyre nga 15 në 8 për qind, e gjithashtu parashihet edhe ulja e gjobave. Propozimi gjithashtu parasheh që prodhimi i televizioneve të mos varet nga agjencia e medieve.

Tamara Çausidis, nga Sindikata e Medieve në Maqedoni, thotë se negociatat që tani po zhvillohen janë vendimtare për të ardhmen e profesionit të gazetarisë, por edhe të ardhmen demokratike të vendit.

“Profesioni jonë, gazetaria, ka armiq serioz. Ata janë të zëshëm, të fuqishëm, dhe në duart e tyre janë paratë dhe pushteti. Neve na mbetet vetëm që të shpresojmë se opinioni në këtë shtet, pra qytetarët e Maqedonisë nuk do të heqin dorë nga kërkesat se shtetit i nevojitet gazetari profesionale, me integritet, që do të ishte zëri i tyre kundrejt fuqisë së elitave politike.”

“Sado që të tentojnë të na etiketojnë, margjinalizojnë dhe të na urrejnë, sindikata asnjëherë nuk do të pranojëzgjidhje që do ta legalizojnë këtë degradim të turpshëm të gazetarisë”, tha Çausidis.

Paralelisht me negociatat për rregullimin e sferës së medieve, po publikohen edhe informata mbi keqpërdorimin e medieve për qëllime politike, përmes ndarjes së mjeteve financiare.

Zëvendësministri maqedonas i Shoqërisë Informatike, nga radhët e opozitës, Aleksandar Kiracovski, ditë më parë doli me të dhëna se qeveria u ka ndarë 13 milionë euro tre televizioneve të afërta me pushtetin gjatë tre viteve të fundit, ndërsa vetëm një ditë pas konfliktit në lagjen e trimave në Kumanovë, në llogaritë e tyre janë derdhur 2.6 milion euro.

Kjo, sipas tij, është bërë me qëllim që këto medie t’i heshtin dyshimet e aksionit policor, apo që raportimi i tyre të jetë në vijë me politikat e pushtetit.

Ndryshe, Maqedonia në të gjitha raportet e organizatave ndërkombëtare renditet në grupin e shteteve me liri të kufizuar të shprehjes.

XS
SM
MD
LG