Ndërlidhjet

Kërkohet krijimi i një departamenti të veçantë të Gjykatës në Shkup


Protestë antiqeveritare në Shkup
Protestë antiqeveritare në Shkup

Kërkesës së protestuesve të “revolucionit shumëngjyrësh” për krijimin e një departamenti të veçantë në kuadër të Gjykatës penale në Shkup, që do të shqyrtonte lëndët e Prokurorisë Speciale të Maqedonisë, nuk i janë përgjigjur ende forcat politike në vend.

VMRO-DPMNE në pushtet nuk e ka komentuar asnjëherë këtë kërkesë, megjithëse më herët e ka akuzuar Prokurorinë Speciale për, siç ka thënë, vënie në shërbim të opozitës. Për Lidhjen Social Demokrate dhe BDI-në, kërkesa është e mirë.

“Bashkimi Demokratik për Integrim në tryezën e bisedimeve nuk do të ngrejë një iniciativë të tillë, pasi respekton marrëveshjen politike të Shkupit. Mirëpo, nëse një ide e këtillë shtrohet në tryezën e bisedimeve mes palëve, Bashkimi Demokratik për Integrim, si parti në parim, nuk është kundër kësaj iniciative”, ka theksuar për Radion Evropa e Lirë zëdhënësi i BDI-së, Bujar Osmani.

Analistët politikë thonë se Kushtetuta nuk lejon formimin e Gjykatave Speciale, po ajo nuk e ndalon krijimin e një departamenti të veçantë, në kuadër të Gjykatës Penale, me një trup të zgjedhur të gjykatësve.

Albert Musliu, drejtues i Institutit për Zhvillimin e Demokracisë, konsideron se krijimi i një departamenti të veçantë, në kuadër të gjykatës penale, reflekton presionin në vazhdimësi ndaj Prokurorisë Speciale.

“Sado i vështirë të jetë themelimi i një departamenti të veçantë në Gjykatën Penale, kjo do të bëhet jo vetëm për shkak të presionit ndërkombëtar, por edhe atij të brendshëm, sepse rezultatet e anketave tregojnë qartë se nga të gjitha institucionet në shtet, Prokuroria Speciale Publike ka besueshmëri më të lartë dhe pritshmëria e qytetarëve nga ky institucion është gjithnjë në rritje”, thotë Musliu.

Ndërkaq, Temellko Ristevski, njohës i çështjeve juridike, konsideron se në Maqedoni ka gjykatës të cilët me dinjitet e kanë kryer punën e tyre, edhe përkundër presionit të fuqishëm nga ana e politikës.

Mendoj se në Maqedoni ka gjykatës të ndershëm, ekspertë në lëmin e tyre, të cilët nuk janë të lidhur me këtë ose atë tabor politik,por punojnë për ta vënë në vend drejtësinë,megjithëse tek këta gjykatës nuk shkojnë lëndët të cilat lidhen me aferat korruptive që i heton Prokuroria Speciale”, ka thënë Ristevski.

Ndryshe, organizatorët e “revolucionit shumëngjyrësh”, në mbështetje të partive në opozitë, për të hënën mbrëma kanë paralajmëruar protesta masive. Kërkesave të tyre për deklarimin e Gjykatës Kushtetuese rreth kushtetutshmërisë së Prokurorisë Speciale i janë shtuar edhe krijimi i një departamenti të veçantë në kuadër të Gjykatës Penale në Shkup, që do të trajtonte lëndët e Prokurorisë Speciale. (REL)

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG