Protesta para Kuvendit
Ndërkohë që pritet nisja e seancës së Kuvendit, para ndërtesës së tij janë mbledhur protestues në mbështetje të ndryshimeve në Ligjin për Dhomat e Specializuara.
Protesta me thirrjet "Votojeni ligjin" po zhvillohet në të njëjtën kohë kur deputetët pritet ta shqyrtojnë projektligjin në lexim të parë.
Seanca nuk ka nisur ende
Ndonëse ishte paralajmëruar të niste në orën 09:00, seanca e Kuvendit të Kosovës për shqyrtimin e ndryshimeve në Ligjin për Dhomat e Specializuara nuk ka filluar ende.
A mund të përfundojë ligji para afatit për presidentin?
Miratimi i mundshëm i projektligjit në lexim të parë nuk nënkupton se ai ka përfunduar procedurën parlamentare.
Pas votimit në parim, projektligji duhet të kthehet në komisionin përgjegjës për shqyrtim nen për nen dhe për amendamente, para se të rikthehet në seancë për lexim të dytë dhe votim përfundimtar.
Rregullorja e Kuvendit lejon shmangien nga afatet e zakonshme procedurale në raste të caktuara, nëse këtë e propozojnë së paku gjashtë deputetë dhe e mbështesin dy të tretat e deputetëve të pranishëm, me kusht që shmangia të mos jetë në kundërshtim me Kushtetutën.
Komisioni i hap rrugë projektligjit për Specialen
Komisioni për Legjislacion e ka miratuar projektligjin për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara.
Nëntë deputetë të pranishëm votuan në favor, pa asnjë votë kundër apo abstenim.
Projektligji pritet të kalojë tani në seancën e Kuvendit, e cila është caktuar të nisë në orën 09:00.