Ndërlidhjet

Protestuesit djegin kontejnerë në rrugë pranë Kuvendit të Kosovës.
Protestuesit djegin kontejnerë në rrugë pranë Kuvendit të Kosovës.

Përfundon protesta pas përplasjeve, ndryshimet në ligjin për Specialen s’u miratuan përfundimisht

  • Gjashtë policë u lënduan, 11 qytetarë kërkuan ndihmë mjekësore dhe tre protestues u shoqëruan në stacion, sipas Policisë së Kosovës, gjatë protestës së 5 tetorit në Prishtinë për miratimin e ndryshimeve në Ligjin për Gjykatën Speciale.
  • Situata u qetësua pas përplasjeve disaorëshe, gjatë të cilave policia përdori gaz lotsjellës dhe topa uji, ndërsa protestuesit hodhën shishe dhe mjete piroteknike. Protestuesit u kthyen në sheshin “Skënderbeu”, ku iu bashkuan deputetë të PDK-së dhe AAK-së, para se të shpërndaheshin të qetë pak para mesnatës.
  • Kuvendi miratoi në lexim të parë ndryshimet në Ligjin për Specialen, që parashohin, ndër të tjera, dënim maksimal prej 15 vjetësh burg dhe vuajtjen e dënimeve në Kosovë. Votimi përfundimtar mbetet në pikëpyetje.
  • PDK-ja kërkon miratimin e ndryshimeve para zgjedhjes së presidentit, ndërsa LVV-ja kërkon që presidenti të zgjidhet fillimisht. Afati për zgjedhjen e tij përfundon më 6 tetor.
00:42 6.10.2026

Lexues të nderuar,

Këtu po e mbyllim mbulimin tonë të drejtpërdrejt nga ngjarjet në Kuvendin e Kosovës më 5 tetor dhe një përmbledhje të asaj që ndodhi gjatë protestës për ndryshimin e ligjit për Gjykatën Speciale të Kosovës në Hagë:

Protestues të shumtë u mblodhën përreth institucioneve të vendit, Kuvendit dhe Qeverisë, për të kërkuar kalimin e ndryshimeve të propozuara nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), në opozitë, për ligjin për Specialen.

Ndryshimet kaluan në lexim të parë qysh paradite, por nevojitet miratimi i tyre edhe në lexim të dytë për të pasur efekt.

Megjithatë, mospajtimet mes partisë në pushtet të kryeministrit Albin Kuti, Lëvizja Vetëvendosje (LVV) dhe PDK-së, bënë që gjendja të ndryshonte dhe ndryshimet të mos hidheshin fare në votim, duke zemëruar protestuesit e mbledhur jashtë Kuvendit.

Protestuesit nuk e lejuan një deputetë të largohej nga Kuvendi pasi e kthyen brenda oborrit të tij duke e bartur pezull me forcë.

Protesta që përfundoi me përplasje dhe 17 të lënduar
Ju lutem prisni

Materiali aktualisht nuk është në dispozicion.

0:00 0:01:34 0:00

Ndërkohë, Kurti tha se ndryshimet ishin “të ngutshme” por partia e tij do t’i votonte në parim dhe pastaj kërkoi takim me kryetarin e PDK-së, Bedri Hamza, duke thënë se, para se ato të hidheshin për votim në lexim të dytë, të zgjidhej presidenti i ri i Kosovës, duke ditur se afati kushtetues për këtë mbaron në ditën pasuese, pra më 6 tetor.

Derisa Kuvendi i vazhdoi deri në mbrëmje punimet me kalimin e projektligjeve të ndryshme në agjendë, protestuesit vazhdimisht bënin thirrje për kalimin e ndryshimeve në ligjin për Speciale, madje, duke paralajmëruar se nuk do t’i lejonin deputetët të dilnin nga Kuvendi, pa i miratuar ato.

Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, e hodhi poshtë kërkesën e PDK-së që votimi në lexim të dytë të ndodhte në orën 17:30, duke thënë se më e rëndësishme është zgjedhja e presidentit të vendit.

Pas kësaj pasoi takimi gati dyorësh mes Kurtit dhe Hamzës, i cili nuk dha fryt.

Si rrjedhojë, deputetët e LVV-së u larguan nga ndërtesa e Kuvendit në mbrëmje, duke nxitur zemërim mes protestuesish dhe shtim të forcave policore, përfshire njësite kundër trazirave.

Protestuesit filluan të hedhin mjete piroteknike dhe shishe qelqi në drejtim të Kuvendit dhe policisë, si dhe bllokuan rrugë përreth Kuvendin duke vendosur pengesa, si: kontejnerë të ndezur në zjarr.

Në orët e natës pati përleshje të kohëpaskohshme mes policisë dhe protestuesve, derisa policia ia arriti t’i zmbrapsë nga sheshi pranë institucioneve, “Skënderbeu”, duke përdorur vazhdimisht gaz lotsjellës, si dhe topa uji.

Policia i përzuri ata deri tek sheshi i fundit në bërthamën e katër shesheve qendrore të Prishtinës, “Zahir Pajaziti”, dhe më pas bllokoi hyrjet në sheshin pranë Kuvendit.

Këto përplasje dhe tensione përfunduan me 17 të lënduar, prej tyre 11 protestues dhe 6 policë, si dhe tre protestues të arrestuar. Që të gjithë të lënduarin u mjekuan për lëndime të lehta dhe u liruan më pas.

Ndërkohë, më vonë, deputetë të PDK-së dhe Aleancës, të cilët kishin qëndruar në Kuvend dhe i kishin bërë thirrje atyre në pushtet të ktheheshin për t’i votuar ndryshimet, dolën në shesh dhe iu bashkuan protestës.

Pasi deputetët biseduan me policinë, gjendja u qetësua dhe policia lejoi kthimin e tyre në sheshin “Skënderbeu”, ku ata qëndruan për rreth një orë dhe më pas u shpërndanë të qetë.

Organizata e Veteranëve të Luftës njoftoi në Facebook se protesta do të vazhdojë në orën 9:00 mëngjesin pasues, kur edhe pritet të ketë seancë të re, në ditën e fundit të afatit për zgjedhjen e presidentit të vendit.

Nëse Kuvendi nuk e zgjedh presidentin e ri deri në mesnatë, atëherë vendi do të shkojë në zgjedhje automatikisht. Ato do të ishin zgjedhjet e katërta parlamentare në dy vjet.

23:42 5.10.2026

Përfundon protesta para Kuvendit

Protesta shumëorëshe pranë Kuvendit ka përfunduar rreth gjysmë ore para mesnatës të hënën.

Protestuesit ishin mbledhur në sheshin kryesor pranë institucioneve në mëngjes herët, për të kërkuar kalimin e ndryshimeve në ligjin për Gjykatën Speciale, e cila i dënoi me burim ish-krerët e UÇK-së më 16 shtator.

Protesta u bë e dhunshme në mbrëmje, kur deputetë të partisë në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje u larguan nga Kuvendi dhe ndryshimet nuk u hodhën në votim në leximin e dytë dhe përfundimtar.

Policia i largoi ata duke përdorur gaz lotsjellës dhe topa uji pasi u përball me mjete piroteknike dhe shishe qelqi.

Në orët e fundit, gjendja u qetësua pasi deputetë të PDK-së dhe Aleancës iu bashkuan protestës dhe policia i lejoi ata të kthehen pranë Kuvendit. Në fund, protestuesit u shpërndanë të qetë.

Protesta do të mbahet edhe nesër duke filluar nga ora 9:00.

23:13 5.10.2026

Policia: Gjashtë policë të lënduar, tre protestues të shoqëruar në stacion

Policia e Kosovës tha se gjashtë zyrtarë policorë u lënduan dhe 11 qytetarë kërkuan ndihmë mjekësore gjatë protestës pranë Kuvendit dhe Qeverisë mbrëmjen e 5 tetorit.

Në një njoftim, policia tha se tre protestues u shoqëruan në stacion policor. Veprimet e mëtejme ndaj tyre do të ndërmerren në koordinim me organet e drejtësisë.

Policia konfirmoi përdorimin e gazit lotsjellës dhe topit të ujit, duke thënë se ndërhyri ndaj protestuesve që hodhën mjete piroteknike dhe sende të forta drejt institucioneve dhe zyrtarëve policorë.

Sipas njoftimit, protesta po vazhdonte e qetë në orët e vona.


22:42 5.10.2026

Protestues dhe deputetë kthehen pranë Kuvendit

Protestuesit janë kthyer në numër të madh në sheshin “Skënderbeu” pranë ndërtesave të Qeverisë dhe Kuvendit të Kosovës.

Atyre u janë bashkuar edhe deputetë të dy partive opozitare, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Aleanca.

Mes tyre dhe ndërtesave institucionale po qëndrojnë oficerë të shumtë policorë.

Policia e vendosi kordonin para hyrjes në perimetrin e Qeverisë dhe Kuvendit, siç ka ndodhur në protestat e përnatshme paqësore qëkurse Gjykata Speciale i dënoi me burgim ish-krerët e UÇK-së më 16 shtator.

Gjendja është qetësuar pas përplasjeve disaorëshe dhe policia nuk po tenton t'i largojë ata nga ky shesh.

Shfaq më shumë

​
XS
SM
MD
LG