12 të lënduar në protestë
Shefi i Qendrës Emergjente në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, Naser Syla, i tha Radios Evropa e Lirë se 12 persona – një polic dhe 11 civilë – kanë kërkuar ndihmë mjekësore nga protesta e sotme.
Sipas tij, kërkesat për trajtim mjekësor kishin të bënin kryesisht me gazin lotsjellës.
Tre prej të lënduarve, sipas Sylës pësuan “plagë prerëse në pjesë të ndryshme të trupit”.
Sipas tij, të gjithë pacientët e trajtuar janë liruar nga spitali pasi nuk janë në rrezik për jetën.
Deputetë të PDK-së dhe Aleancës dalin në shesh në mbështetje të protestuesve
Disa deputetë të dy partive opozitare, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Aleanca, kanë dalë në sheshet e kryeqytetit për t’i mbështetur protestuesit mes tensionesh përreth Kuvendit të Kosovës.
Në mesin e atyre ishte edhe Ramush Haradinaj nga Aleanca, emri i të cilit u brohorit nga protestuesit.
Deputeti i PDK-së, Enver Hoxhaj, u dëgjuan duke u thënë oficerëve të policisë se “e keni tepruar”, raporton gazetarja e REL-it, Flaka Zogu.
PDK është ankuar se policia ka përdorur dhunë ndaj protestuesve, të cilët i ka shpërndarë nga sheshi më i afërt me Kuvendin duke përdorur gaz lotsjellës dhe topa uji.
Protestuesit kanë hedhur vazhdimisht mjete piroteknike dhe kanë tentuar t’i pengojnë deputetët të largohen nga Kuvendi pasi kërkojnë që të miratohen ndryshimet në ligjin për Gjykatën Speciale.
Deputetët e PDK-së dhe Aleancës vazhdojnë të qëndrojnë në Kuvend, duke u bërë thirrje deputetëve të parisë në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, të kthehen në Kuvend për t’i kaluar ndryshimet edhe në leximin e dytë dhe përfundimtar.
PDK i kërkon Qeverisë të ndalë “dhunën” ndaj protestuesve
Partia Demokratike e Kosovës (PDK) tha se e “dënon ashpër” përdorimin e dhunës ndaj qytetarëve që po protestojnë për miratimin e ndryshimeve në ligjin për Gjykatën Speciale, i cili “mbron UÇK-në”.
Në një komunikatë për media, partia opozitare që i inicioi këto ndryshime që kaluan në parim, tha se kërkon nga Qeveria “përgjegjësi të menjëhershme dhe nga organet shtetërore ndaljen e çdo veprimi joproporcional që po cenon rëndë të drejtën e qytetarëve për protestë”.
Ajo i bëri thirrje partisë në pushtet të kryeministrit Albin Kurti, Lëvizja Vetëvendosje, të kthehet në Kuvend për miratimin e ndryshimeve në lexim të dytë.
“PDK rithekson se nuk ka asnjë pengesë ligjore për miratimin e ligjit që mbron UÇK-në dhe përmbylljen e këtij procesi. Këtë e ka konfirmuar edhe vetë Qeveria në opinionin e saj. Prandaj, zvarritja e mëtejshme është e pajustifikueshme dhe përbën shpërfillje të drejtpërdrejtë të kërkesës së qytetarëve”, tha ajo.
Kuvendi i miratoi në parim ndryshimet në ligjin për Specialen, por ato duhet të kalojnë edhe në lexim të dytë për të pasur efekt.
Ndryshimet nuk u hodhën në votim pasi partia në pushtet e Kurti kërkon që, fillimisht, Kuvendi ta zgjedhë presidentin e ri të vendit, afati për të cilin mbaron pas rreth 24 orëve.
PDK-ja ka thënë se do ta mbështeste zgjedhjen e presidentit, por kërkon që së pari të kalojnë ndryshimet në ligjin për Specialen.
Sa për t’jua kujtuar, Kurti dhe lider i PDK-së, Bedri Hamza, zhvilluan takim disa orë më parë për këto dy çështje, por nuk arritën pajtueshmëri.
Policia largon protestuesit deri tek sheshi “Zahir Pajaziti”
Policia e Kosovës i ka larguar protestuesit nga sheshi më i afërt me Kuvendin e Kosovës, “Skënderbeu”, duke i përzënë deri tek sheshi i fundit në bërthamën e katër shesheve qendrore të Prishtinës, “Zahir Pajaziti”, raporton gazetarja e Radios Evropa e Lirë, Flaka Zogu.
Gjatë përpjekjeve të policisë për t’i shpërndarë protesuesit sa më larg ndërtesës së Kuvendit, protestuesit hodhën shishe qelqi dhe mjete piroteknike në drejtim të tyre.
Sipas gazetares Zogu, sheshet nga ai “Skënderbeu” deri tek “Zahir Pajaziti” janë zbrazur, teksa policia vazhdon të përdorë gaz lotsjellës, topa uji dhe sprej ndaj protestuesve që tentojnë të kthehen në sheshe nga rrugët anësore.