Mirëmëngjesi, të nderuar lexues,
Radio Evropa e Lirë do të përcjellë në kohë reale seancën e Kuvendit të Kosovës, ku sot shqyrtohen ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara.
Unë jam Valona Tela dhe do t’ju mbaj të informuar për gjithçka që ndodh.
Qëndroni me ne!
Ndryshimet për Specialen para Kuvendit
Kuvendi i Kosovës shqyrton sot ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara - nismë që është lidhur edhe me përpjekjet për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit.
Seanca është caktuar të nisë në orën 09:00, ndërsa shqyrtimi i parë i projektligjit për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar është pika e parë e rendit të ditës.
Nisma është paraqitur nga Partia Demokratike e Kosovës më 21 shtator, pesë ditë pasi Dhomat e Specializuara në Hagë kanë shpallur aktgjykimin ndaj katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Më 16 shtator, Hashim Thaçi dhe Jakup Krasniqi janë dënuar me nga 25 vjet burgim, Kadri Veseli me 18 vjet dhe Rexhep Selimi me 13 vjet për krime lufte.
Të katërt janë shpallur të pafajshëm për krime kundër njerëzimit.
Mbrojtja ka paralajmëruar apelimin e pjesës dënuese të aktgjykimit.
Çfarë synon të ndryshojë PDK-ja?
Projektligji i propozuar prek disa elemente të funksionimit dhe juridiksionit të Dhomave të Specializuara.
Ndër të tjera, nisma parasheh që rastet që konsiderohen jashtë juridiksionit të Dhomave të Specializuara, të mund të procedohen në Kosovë.
Ajo parasheh gjithashtu mundësinë e ankesës në Gjykatën Supreme të Kosovës, kufizimin e dënimit maksimal me burgim në 15 vjet, si dhe mundësinë që dënimet të mbahen në Kosovë.
Një tjetër ndryshim i propozuar do t’u mundësonte personave të dënuar nga Dhomat e Specializuara të jenë subjekt i faljes presidenciale.
PDK-ja ka argumentuar se ndryshimet janë të nevojshme për të rritur mbikëqyrjen dhe llogaridhënien ndaj punës së Dhomave të Specializuara.
Kryetari i kësaj partie, Bedri Hamza, ka shprehur optimizëm se projektligji do të marrë mbështetje të gjerë në Kuvend.
Ai ka thënë se nisma nuk synon shpërbërjen e Dhomave të Specializuara dhe ka bërë thirrje që deputetët ta mbështesin atë.
Sipas tij, PDK-ja nuk është kundër hetimit dhe gjykimit të krimeve të luftës, por kundërshton atë që e konsideron padrejtësi në proceset e zhvilluara në Hagë.
Qeveria e Kosovës i ka hapur rrugë procedimit të nismës më 2 tetor.
Në një mbledhje elektronike, ekzekutivi ka dhënë vlerësimin e kërkuar nga Kuvendi për projektligjin, përfshirë opinionin për përputhshmërinë me legjislacionin e Bashkimit Evropian, ndikimin buxhetor dhe aspektet juridike të tij.
Qeveria ka konstatuar se nuk ka pengesa ligjore për procedimin e nismës.
Protesta në mbështetje të ndryshimeve për Specialen
Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK) ndryshoi orarin e protestës së paralajmëruar për sot, duke e zhvendosur atë në orën 09:00, kur pritet të nisë edhe seanca e Kuvendit për ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara.
Protesta ishte paralajmëruar fillimisht për në orën 12:00, para ndërtesës së Kuvendit të Kosovës.
Organizatorët e protestës “Jo në emrin tim” ftuan, po ashtu, qytetarët që t’u bashkohen nga ora 08:00 e mëngjesit në sheshin “Skënderbeu”.
Kërkesa e tyre është që deputetët t’i miratojnë ndryshimet e propozuara në Ligjin për Dhomat e Specializuara.
Protestat “Jo në emrin tim” kanë nisur pas aktgjykimit të 16 shtatorit ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së.
Të dielën është mbajtur protesta e 19-të.