Ndërlidhjet

Fatwa në Grozni shkakton kundërthënie


Lideri çeçen, Ramzan Kadyrov
Lideri çeçen, Ramzan Kadyrov

Para dy javësh ushtruesi i detyrës së udhëheqësit të Republikës Çeçene, Ramzan Kadyrov, në kryeqytetin Grozni e ka organizuar një konferencë të intelektualëve islamikë për të diskutuar për dyshimet lidhur me abuzimin e ideve islamike për propagandimin e “ekstremizmit” dhe për të krijuar kritere për përcaktimin se kush janë besimtarët e vërtetë të mësimeve të Profetit Muhamet (Sunna).

Pjesëmarrësit e konferencës, përfshirë Ahmed El-Tayeb, rektor i Universitetit Islamik Al-Azhar në Kajro, e miratuan një ‘fatwa’ që përcakton se pjesëtarë të vërtetë të islamit tradicional janë ata që i nënshtrohen arsimit teologjik Kalam, i cili i takon njërës prej katër mësimeve ligjore (madhhabs) dhe e ndjek rrugën e vetëperfeksionimit moral, me mbështetje nga mësuesit e mëdhenj, para së gjithash, sheikët Sufi.

Kjo ‘fatwa’ e identifikon forcën Salafi të islamit sunit, që praktikohet në Arabinë Saudite, si “sekt i rrezikshëm dhe i gabuar bashkëkohor”, së bashku me grupin ekstremist, Shteti Islamik, Hizb ut-Tahrir dhe Habashis.

Rrjedhimisht, kjo çështje është trajtuar nga teologët e njohur. Raportohet se Asociacioni Ndërkombëtar i Intelektualëve Islamikë e ka kritikuar konferencën si “përpjekje e turpshme për mbjelljen e mospajtimit brenda komunitetit mysliman”.

Profesori saudit, Mohamad bin Abdel Rahmanal-Arefe, e ka përgënjeshtruar një raport se ai e kishte përshkruar Kadyrovin si jobesimtar dhe kishte kërkuar vrasjen e tij.

Konferenca në Grozni ishte organizuar në 65 vjetorin e lindjes s babait të Kadyrovit, Akhmad, ish-myfti çeçen, shërbimi katërvjeçar i të cilit si sundues i instaluar nga Kremlini, pas luftës në periudhën 1999-2000 në Çeçeni, në historiografinë çeçene gjerësisht vlerësohet se ka shënuar disfatën finale të “terroristëve ndërkombëtarë”, që është referencë për forcat lojale ndaj presidentit të atëhershëm çeçen, Aslan Maskhadov, që luftojnë në emër të islamit për “copëtimin e Federatës Ruse”, duke e mbajtur pavarësinë e shpallur të Çeçenisë.

Ramzan Kadyrov nuk ishte i pranishëm në hapje të konferencës, pasi ai më vonë, në mbrëmje të 25 gushtit në Moskë, ishte takuar me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin. Nuk dihet nëse Kadyrov ka marrë pjesë në sesionet e tjera: konferenca i ka zhvilluar punimet në gjuhën arabe, ndërsa ai asnjëherë nuk ka demonstruar publikisht se e flet rrjedhshëm këtë gjuhë.

Mospajtimet në mesin e pjesëmarrësve kishin shpërthyer bile para përfundimit formal të konferencës, më 27 gusht, lidhur me ‘fatwën’ dhe raportohet se kjo ka ndikuar që delegacioni rus të largohej para kohe.

Bordet Shpirtërore Myslimane në Dagestan dhe Osetinë Veriore dhe Bordi Qendror Shpirtëror Rus, qartas nuk i kishin dërguar përfaqësuesit e vet në konferencë në Grozni. Në tubim nuk ka marrë pjesë as myftiu i Rusisë, Sheikh Ravil Gaynutdin. Megjithatë, ‘fatwa’ ishte hartuar që të jetë e obligueshme për të gjithë myslimanët në Rusi.

Pjesëmarrësit në këtë konferencë i kanë miratuar edhe dy dokumente të tjera; i pari ishte një thirrje për Putinin që ta ndalojë Salafizmin në Rusi dhe ta cilësojë si “ekstremizëm” çfarëdo kritike ndaj “islamit tradicional”, ndërsa i dyti ishte një propozim për zgjerimin e këshillit të ekspertëve, që i nënshtrohet Ministrisë Federale të Drejtësisë, ku gjykatat do të duhej të drejtoheshin për referim lidhur me çështjet nëse ndonjë tekst specifik religjioz është “ekstremist”.

Mbetet fakt, megjithatë, se Konferenca në Grozni ishte mbajtur me shprehjen e mbështetjes për presidentin e Rusisë, i cili qartas nuk sheh problem në forcimin e Kadyrovit për të sunduar në vendimet që kanë rëndësi qendrore për jetët dhe mirëqenien e miliona besimtarëve myslimanë në gjithë Rusinë.

Gjatë një fjalimi në Ministrinë e Brendshme çeçene, javën e kaluar, Kadyrovi e ka përshkruar konferencën e Groznit se kishte efekt të njëjtë ndaj jobesimtarëve, që nënkupton salafistët, sikur eksplodimi i bombës, duke pasur parasysh se “intelektualët më autoritativë islamikë dëshmuan se nuk ka bazë shkencore për mbështetjen e ideve të tyre shumë të rrezikshme.

Me fjalë të tjera, Kadyrovi qartas beson se atij i është dhënë e drejtë e patjetërsueshme nga klerikët e respektuar për të ndërmarrë aksion të pandëshkueshëm kur ai dëshiron ta dënojë çdokënd që guxon të shprehë ndonjë pyetje lidhur me pikëpamjet fetare të liderit çeçen.

Përgatiti: Fatmir Bujupi

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG