Ndërlidhjet

SHBA: Shqyrtohet mundësia për aksion juridik kundër hakerëve rusë


Ilustrim
Ilustrim

Shtëpia e Bardhë po përpiqet ta përgatis një rast juridik kundër hakerëve rusë, që besohet se kanë dorë në rrjedhjet aktuale me synim të shkatërrimit të zgjedhjeve presidenciale në Shtetet e Bashkuara, ndërsa Kongresi amerikan po vështron lidhur me sanksione si mjet eventual, është njoftuar të enjten.

Agjencia Reuters ka raportuar se Buroja Federale e Hetimit (FBI) po përpiqet të mbledhë prova të mjaftueshme për t’i akuzuar hakerët rusë, por kjo po paraqitet si një çështje e vështirë, meqë dëshmitë më të mira që i ka administrata janë të nivelit të fshehtësisë së lartë.

Zyrtarë të Departamentit amerikan të Shtetit mendojnë se aksioni juridik është mënyra më e mirë për t’u përgjigjur ndaj asaj që ata besojnë se paraqesin përpjekje të shtuara ruse për shkatërrimin dhe diskreditimin e zgjedhjeve të nëntorit, duke mos shkaktuar një konfrontim të hapur me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin.

Administrata amerikane beson se dy agjenci të inteligjencës ruse, GRU-ja ushtarake dhe FSB-ja (agjenci civile e inteligjencës së jashtme), kanë dorë në sulmet kibernetike aktuale, që janë bërë gjithnjë e më të shpeshta dhe të paturpshme, bën të ditur agjencia e lajmeve Reuters.

Disa zyrtarë besojnë se qeveria e Rusisë ka krijuar një sistem të garës ndërmjet agjencive të veta ushtarake dhe civile të inteligjencës, për të parë se cila mund të vjedhë dhe shpërndajë material sa më dëmtues.

Derisa caqet e hakerëve janë të llojllojshme, përfshirë Komitetin Kombëtar Demokrat dhe ish-diplomatë të lartë republikanë, zyrtarët amerikanë kanë konkluduar se qëllim i Rusisë nuk është thjeshtë vetëm promovimi i njërit apo kandidatit tjetër, por për t’i diskredituar zgjedhjet dhe demokracinë, që praktikohet në Shtetet e Bashkuara, raporton Reuters.

Sekretari për shtyp i Shtëpisë së Bardhë, Josh Earnest, ka pranuar se administrata ballafaqohet me detyrë të vështirë për formulimin e përgjigjes përkatëse ndaj hakerëve rusë.

“Ne jemi në një territor të paeksploruar dhe presidenti është tejet i interesuar për krijimin e normave ndërkombëtare”, tha Earnest.

Departamenti amerikan i Drejtësisë më herët ka ndërmarrë rast juridik kundër hakerëve kinezë, të cilët kishin depërtuar në sistemet e qeverisë amerikane dhe të korporatave dhe do të dëshironte që këtë qasje ta ketë edhe ndaj Rusisë.

“Do të pres që FBI të tregojë se çfarë dëshmi ka mbledhur”, tha Josh Earnest duke shtuar se “mendoj se ata, po ashtu, e kuptojnë faktin se sa më shpejtë që të bëhet deklarata e tillë, pjesa më e madhe e njerëzve do të jetë të interesuar t’i shohin ato dëshmi, ndërsa disa nga këto dëshmi ndoshta nuk do të jenë diçka që ne dëshirojmë t’i tregojmë”.

Derisa Shtëpia e Bardhë kërkon rrugë juridike, e përditshmja Washington Post ka raportuar se anëtarët e Kongresit të Shteteve të Bashkuara po e shikojnë mundësinë e sanksioneve shtesë, si opsioni më i mirë në përgjigje ndaj Rusisë.

Politikanë të lartë demokratë dhe Komitetet e Inteligjencës në Dhomën Përfaqësuese dhe Senat po punojnë në përgjigje ndaj Rusisë, që mund të përfshijë sanksione, ka raportuar Washington Post.

Anëtari i Dhomës Përfaqësuese, Adam Schiff, tha se presidenti Barack Obama, duhet të fillojë “ta emërojë dhe turpërojë” Rusinë.

“Tash ekziston një urdhër ekzekutiv që lejon që presidenti të administrojë sanksione si rezultat i ndërhyrjeve kibernetike”, u tha Adam Schiff gazetarëve, duke theksuar se nëse Rusia vazhdon me shkelje kundër grupeve politike në Shtetet e Bashkuara, Obama duhet të “shikojë në një varg të përgjigjeve, që mund të fillojnë me sanksione ekonomike”.

Përgatiti: Fatmir Bujupi

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG