Ndërlidhjet

Çka është puna e 300 milionëve?


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese
Privatizimi i Postë-Telekomit të Kosovës nuk duhet të lidhet me deficitin buxhetor për këtë vit, thonë zyrtarë të Qeverisë dhe ekspertë të telekomunikacionit. Sipas tyre, debatet e zhvilluara rreth kësaj çështjeje po e ulin vlerën e PTK-së para investitorëve potencialë.


Çështja e privatizimit të Postë-Telekomit të Kosovës, viteve të fundit ka qenë temë debatesh ndërmjet autoriteteve kompetenteve, shoqërisë civile dhe ekspertëve të ekonomisë.

Debatet e zhvilluara rreth privatizimit ose jo të kësaj kompanie, opinionet e opozitës dhe disa ekspertëve të ekonomisë, që kjo kompani do të shitet për të mbuluar deficitin buxhetor për këtë vit, ndikojnë në uljen e vlerës së PTK-së, thonë zyrtarë të Qeverisë dhe ekspertë të telekomunikacionit.

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Besim Beqaj, thotë se vlera e Postë-Telekomit ende nuk dihet dhe se çmimi i saj nuk lidhet më mungesën e mjeteve buxhetore.

Ministri Beqaj thotë se autoritetet përgjegjëse do të mundësojnë arritjen e vlerës maksimale për shitjen e PTK-së dhe shfrytëzimin më të mirë të këtyre mjeteve për një jetë më të mirë dhe më me perspektivë për qytetarët kosovarë.

“Qeveria ka paraparë të hyra në buxhet, të jashtme, të njëhershme deri në 300 milionë euro. Prandaj, asnjëherë në asnjë rrethanë ajo nuk mund të lidhet me shitjen e Postë-Telekomit të Kosovës dhe me tendencën për ta treguar se kjo do të jetë vlera e Postës për t’u shitur”.

“Vlera e PTK-së do të jetë shumë më e fuqishme, atëherë kur të gjithë ne, së bashku, përcaktohemi për model të ekonomisë së tregut dhe nuk tentojmë për të bërë barriera, të cilat realisht janë barriera për qëllime politike”
, thotë Beqaj.

Pikërisht për shitjen e kësaj kompanie në seancën e së premtes të Kuvendit të Kosovës u zhvilluan debate të ashpra ndërmjet pozitës dhe opozitës, pasi privatizimi i PTK-së është futur në një nen të projekt-buxhetit për vitin 2011, buxhet ky i cili nga deputetët u miratua në parim.

Sipas buxhetit, të hyrat për këtë vit do të jenë 1 miliard e 264 milionë euro, ndërsa 1 miliard e 424 milionë euro parashihen të jenë shpenzime.

Opozita kritikoi projektimin e buxhetit, duke pohuar se Qeveria ka menduar që ta shesë PTK-në për ta mbuluar këtë deficit, që arrin në afër 300 milionë euro.

Se debatet e zhvilluara rreth kësaj çështjeje, e kanë nënvlerësuar Postë- Telekomin e Kosovës para investitorëve potencialë, thotë edhe Agron Dida, ekspert i telekomunikacionit, dikur drejtor në këtë kompani.

Sipas Didës, të gjithë investitorët potencialë kur e kuptojnë se shitësi është në pozitë të vështirë materiale, atëherë e ulin çmimin në mënyrë maksimale.

“Ky debat është i kotë, është i panevojshëm. Aspektet tjera, të cilat do të ndikojnë është që tashmë janë caktuar disa parametra. Është që sivjet patjetër duhet të privatizohet. Koha është aspekt tjetër që do të ulë çmimin”, pohon Dida për Radion Evropa e Lirë.

Në anën tjetër, Sindikata e Postë-Telekomit të Kosovës, nuk pajtohet fare me privatizimin e kësaj kompanie, pavarësisht çmimit që mund të ketë.

Milazim Alshiqi, udhëheqës i kësaj sindikate, thotë se PTK-ja ka dëshmuar se është kompani shumë profitabile, pasi që nga viti 2007 e deri më tani, sipas tij, buxhetit të Kosovës i ka dhënë 350 milionë euro.

“I ka paguar 135 milionë euro tatime dhe mbi 5 milionë euro donacione. Atëherë Qeveria, shteti i Kosovës dhe të gjithë ata që janë përgjegjës për këtë çështje, le të na thërrasin në një tryezë të rrumbullakët dhe të dëshmojnë fakte të tjera që i arsyetojnë veprimet e tyre - ne nuk jemi të krisur, ne do t’i përkrahim”
, shprehet Alshiqi.
XS
SM
MD
LG