Ndërlidhjet

AI denoncon krime të mundshme të luftës në Ukrainë


Donjeck, shtator 2014.
Donjeck, shtator 2014.

Organizata “Amnesty International” (AI) thotë se ka “dëshmi në rritje” se milicitë pro-qeveritare në Ukrainë dhe forcat separatiste, janë përgjegjëse për krime të luftës në pjesën lindore të këtij vendi. “Amnesty International”, po ashtu, e akuzon Rusinë për nxitje të konfliktit.

Duke i dokumentuar incidentet e “sulmeve joproporcionale me predha, rrëmbimet, torturën dhe vrasjet”, kjo organizatë me seli në Londër, ka njoftuar tw dielwn se të gjitha palët në luftë kanë treguar “mospërfillje për jetët e civilëve” dhe kërkon që të gjitha palët t’i ndalin shkeljet e ligjeve të luftës.

Kjo deklaratë ishte përgatitur para arritjes së armëpushimit, më 5 shtator.

Studiuesja e organizatës “Amensty International”, Heather McGill, i tha Radios Evropa e Lirë, se palët kishin treguar “mospërfillje” për jetët e civilëve.

Mund të themi se atje ka pasur shumë granatime të ndërtesave civile, që mund të jenë joproporcionale dhe mund të paraqesin krime të luftës. Nëse kjo do të mund të dëshmohet, se atje ka pasur bombardime joproporcionale në ndërtesat e civilëve, atëherë ato do të ishin krime të luftës”, tha McGill.

Heather McGill së fundi i ka kaluar dy javë në Ukrainë dhe është takuar me njerëzit e zhvendosur brenda vendit, ndërsa kërkuesit e tjerë të “Amnesty International” i kanë intervistuar refugjatët ukrainas në rajonin Rostov në Rusi.

“Amnesty International” i ka cituar dëshmitarët që kanë thënë se lagjet e tyre ishin subjekte të sulmeve me “granatime të rënda” nga ana e forcave qeveritare të Ukrainës.

Duke cituar “raporte kredibile” të rrëmbimeve dhe rrahjeve të kryera nga batalionet e vullnetarëve, që operojnë së bashku me forcat e rregullta të armatosura të Ukrainës, “Amnesty International” u ka bërë thirrje autoriteteve të Ukrainës, që të zhvillojnë hetime për këto akuza dhe ata që janë përgjegjës t’i sjellë para drejtësisë për krime të luftës.

Studiuesja McGill thotë se ishte takuar edhe me një banor të qytetit Krasnodor.

“Atje është qyteti i quajtur Krasnodor, që është në kufi me Rusinë. Unë bisedova me një banor, që i kishte filmuar kolonat e pajisjeve ushtarake, që po e kalonin kufirin nga Rusia, nëpër Krasnodor, për në Luhansk. Ai këtë e kishte filmuar prej muajit qershor”, tregoi McGill.

Më tutje ajo theksoi se pamjet satelitore të publikuara kohëve të fundit, tregojnë “vendosje shumë mirë të organizuar të armatimit afër kufirit rus me Ukrainën” dhe kjo, sipas saj, “duket se indikon se atje ka vendosje të ushtrisë së rregullt”.

Heather McGill tha se kishte pasur indikacione se atje gjendeshin edhe ushtarë profesionalë, me gjasë rusë.

“Dëshmitarët, me të cilët kamë biseduar, po ashtu, thanë se duke pasur punë me separatistët, ata kanë theksuar disa kategori të njerëzve. Ka pasur njerëz lokalë që i kanë njohur, ushtarë profesionistë meshkuj, të cilët ata i kanë parë si tejet profesionalisht të stërvitur, dhe të tjerët nuk ishin lokalë. Kjo mund të duket se indikon se ata ishin ushtarë profesionalë, me gjasë rusë, në mesin e forcave separatiste”, theksoi McGill.

“Amensty International”, po ashtu, i ka cituar dëshmitarët që kanë thënë se luftëtarët separatistë pro-rusë “i kanë rrëmbyer, torturuar dhe vrarë fqinjët e tyre”.

Më 5 shtator, organizata “Human Rights Watch”, me seli në Nju Jork, ka kërkuar nga kryengritësit që ta ndalin detyrimin e civilëve, që të punojnë me forcë në “brigadat ndëshkuese” dhe t’i ekspozojnë ata ndaj rreziqeve të linjave të frontit, duke thënë se ato ishin “shkelje serioze e ligjeve të luftës”.

Sekretari i përgjithshëm i “Amnesty International”, Salil Shetty, tha se të gjitha palët ishin duke “i shkelur në mënyrë të paturpshme” obligimet e tyre ndërkombëtare.

Ai ka kërkuar nga Rusia që ta ndalë “rrjedhjen e vazhdueshme të armatimit dhe mbështetjen tjetër për kryengritësit, për të cilët tha se janë të implikuar në “shkelje të mëdha të të drejtave të njeriut”.

Rusia vazhdimisht i ka hedhur poshtë pohimet për çfarëdo involvimi në luftimet në Ukrainë.

“Amensty International” thotë se pamjet satelitore, raportet për zënien e trupave ruse brenda Ukrainës, dhe deklaratat e dëshmitarëve për trupat ruse dhe pajisjet ushtarake që e kalojnë kufirin e Ukrainës, paraqesin dëshmi se konflikti është shndërruar në “konflikt të armatosur ndërkombëtar”. (f. bujupi)

XS
SM
MD
LG