Ndërlidhjet

Beograd – Vazhdojnë protestat


Pamje nga protesta në Beograd
Pamje nga protesta në Beograd

Protestat në Serbi kundër pavarësisë së Kosovës kanë qenë të dhunshme. Cak i akteve të dhunës kanë qenë edhe pronat e shqiptarëve. Liderët serbë kanë apeluar për qetësimin e situatës.



Nxënësit e shkollave të mesme kanë protestuar në shumicën e qyteteve në Serbi kundër pavarësisë së Kosovës. Megjithatë, pas dy ditësh protesta agresive në Beograd, situata është qetësuar dhe qytetarët i janë kthyer jetës normale.

Liderët serbë kanë apeluar për qetësimin e situatës, por një pjesë e tyre kanë thënë se reagimet kanë qenë normale, duke pasur parasysh atë që i ka ndodhur Serbisë.

Kryetari i Kyvendit të Serbisë, Oliver Dulliq, ka ftuar qytetarët dhe demonstruesit të ndalen dhe të mos demolojnë objektet dhe pronat, pasi këto nuk i ndihmojnë Serbisë të dërgojë një pamje të drejtë në botë.

“Nuk duhet folur me gjuhën e urrejtjes ndaj qytetarëve që nuk kanë përgjegjësi për situatën që ka ndodhur në Kosovë”, ka thënë Dulliq.

Pronari i një furre në Beogradin e ri, një shqiptar nga Prizreni, është kërcënuar nga disa persona me maska dhe është urdhëruar ta lëshojë vendin brenda 48 orësh. Por, mënjëherë është reaguar.

Dyqanet e ushqimit të shpejtë McDonalds janë mbyllur përkohësisht, kurse në dyert e tyre është përkujtuar populli serb se kjo kompani punon për 20 vjet në Serbi dhe se bashkëpunon me shumë kompani lokale dhe se aty janë punësuar mbi 700 të rinj.

Një alarm i rrejshëm për bombë ka nxjerrë mbrëmjen e së hënës të gjithë konsumatorët nga qendra tregtare sllovene Merkator, por kjo kompani vazhdon punën.

Nga ana tjetër, Gjykata Kushtetuese e Serbisë ka vazhduar radhën e reagimeve kundër pavarësisë. Kjo gjykatë ka thënë se pavarësia e njëanshme e Kosovës është në kundërshtim me Kushtetutën e Serbisë. Ndërkohë që Qeveria e Serbisë ka kërkuar kthimin e tre ambasadorëve deri tani pas njohjes së pavarësisë nga shumë shtete.

Zëvendëskryeministri Bozhdiar Gjelliq ka thënë se Serbia duhet të reagojë, por nuk është mirë të izolohet.

"Është një mënyrë reagimi sikurse çdo shtet tjetër demokratik evropian dhe të gjitha shtetet do të bënin këtë që ne jemi duke bërë. Në marrëdhëniet ndërkombëtare nuk ekziston dashuria, por vetëm interesat. Megjithatë, ne duhet të mendojmë se si t'i bëjmë ata që po punojnë kundër nesh, të punojnë për ne. Duhet të kemi komunikim, nuk është e thënë në nivel ambasadorësh, por nuk është mirë për Serbinë të izolohet", ka thënë Gjelliq.

Ndërkaq, ministri për Kosovën, Sllobodan Samarxhiq, ka thënë se do të pritet edhe pak kohë që të shihen të gjitha reagimet diplomatike të Serbisë.

"Të gjitha vendimet do të llogariten dhe do të shqyrtohen, duke pasur parasysh nivelin e ndikimit që mund të kemi te secili shtet. Nuk mund të thuhet më parë se çfarë do të bëhet me shtetet tjera. Pra, duhet të jeni të durueshëm", ka thënë Samarxhiq.

Një protestë në qendër të kryeqytetit është paralajmëruar nga ana e Qeverisë dhe e partive të mëdha për të enjten, por kjo pritet të kalojë më e qetë, ndonëse masive.

XS
SM
MD
LG