Ndërlidhjet

Medvedevi viziton Serbinë në kulmin e konfliktit me Perëndimin


Kryeministri serb Koshtunica me zëvendëskryeministrin rus Medvedev, 25 shkurt 2008
Kryeministri serb Koshtunica me zëvendëskryeministrin rus Medvedev, 25 shkurt 2008
"Shpallja e pavarësisë së Kosovës shkatërron sistemin ndërkombëtar të sigurisë dhe sistemin ligjor ndërkombëtar që njerëzimit i është dashur mbi 100 vjet për ta krijuar."
Ishte ky qëndrimi i Dmitry Medvedevit, zëvendëskryeministrit të parë rus, që të hënën vizitoi Beogradin.

Medvedev, i zgjedhuri i Putinit dhe favoriti kryesor në zgjedhjet presidenciale ruse që mbahen më 2 mars, zyrtarisht vizitoi Serbinë për të diskutuar çështjet e bashkëpunimit energjitik.
Por vizita e parë e madhe në politikën e jashtme e Medvedevit vjen në kohën kur mosmarrëveshjet mes Rusisë dhe Perëndimit rreth Kosovës janë ashpërsuar së tepërmi.

Analistët mendojnë se kjo vizitë synon të tregojë solidaritetin e Moskës me aleatët sllavë.
"Mendoj se ka një kontekst të thellë politik. Kjo është një përpjekje për të dëshmuar mbështetjen për Serbinë në kohën e përballjeve të Beogradit me Perëndimin rreth Kosovës. Është solidaritet me Serbinë në kohën kur kjo e fundit nuk pranon njohjen e Kosovës. Rusia e sheh hapin e marrë nga Prishtina si të papranueshëm dhe planifikon të bashkëpunojë me Serbinë", thotë për REL Jevgeni Volk, drejtuesi i Fonadacionit Heritage në Moskë.

Vizita e Medvedevit në Serbi, synon edhe shfaqjen e tij për publikun rus si presidenti i ardhshëm.
Kjo është tregues i qartë se politika e jashtme ruse me Medveevin si president nuk do jetë e ndryshme nga ajo e kreut aktual të Kremlinit, Vladimir Putinit.

"Kjo është një përpjekje për të demonstruar vazhdimësinë në poliitkën e jashtme ruse dhe faktin se Medvedevi nuk do lëvizë nga linja e Putinit. Bëhet fjalë për një mbështetje natyrale të politikës së jashtme ruse nga Medvedevi", thotë Volk nga Fondacioni Heritage në Moskë.

Por Medvedevi nuk është vetëm zëvendëskryeministri i parë i Rusisë dhe favorit për president, ai është njëherësh edhe në krye të Gazprom-it, gjigantit rus të naftës dhe gazit. Në këtë pozicion ai nënshkroi marrëveshje të rëndësishme me Serbinë.
Zëdhënësi i kompanisë ruse, Gazprom bëri të ditur se ndërtimi i pjesës serbe të transportuesit të gazit "Rryma e Jugut" do të fillojë më 2012.

Gjatë vizitës së Medvedevit u nënshkrua marrëveshja për krijimin e kompanisë së përbashkët që do merret me ndërtimin e gazsjellësit. Projekti 10 miliadë euro i kompanisë ruse Gazprom dhe asaj italaine ENI, synon sjelljen e gazit rus nga Siberia në Evropë. Marrëveshja që e lejoi Serbinë të bëhej pjesë e projektit "Rryma e Jugut" i dha Gazpromit kontrollin mbi kompaninë serbe NIS, që kishte monopolin e karburanteve në Serbi.

"Kjo marrëveshje është në interes të Rusisë dhe Serbisë dhe vë bazat për sigurinë energjitike në Evropë", tha kryeministri serb Koshtunica.

Bashkimi Evropian ka shprehur shqetësimet e veta për këtë projekt, për shkak të konkurrencës ndaj projektit evropian Nabucco dhe rritjes së varësisë ndaj gazit rus.
XS
SM
MD
LG