Ndërlidhjet

(S’)ka produkte të dyshimta në Kosovë


Tregu kosovar ka mundësi të jetë i furnizuar me produkte me prejardhje të dyshimta, të cilat rrezikojnë shëndetin e konsumatorëve.

Sipas zyrtarëve të qeverisë dhe ekspertëve për çështje ekonomike, kjo mund të ndodhë në mungesë të kontrollit doganor në kufijtë që lidhin Kosovën me Serbinë, pas djegies së pikave kufitare në pjesën veriore të Mitrovicës.

Mimoza Kusari-Lila, drejtoreshë ekzekutive në Odën Ekonomike Amerikane në Kosovë, pohon se përderisa nuk ka një kontroll në të gjitha pikat kufitare në Kosovë, produktet me origjinë të dyshimtë janë të pranishme në tregun kosovar.

Ajo pohon se kjo vërtetohet edhe nga vetë tregtarët kosovarë, të cilët ankohen për shkak të konkurrencës jo të barabartë.

“Edhe nga vetë tregtarët ka ankesa mbi mosekuilibrimin e çmimeve, mbi konkurrencës jo të barabartë, mu për faktin se bëhet konkurrencë me mallra që i ikin obligimeve fiskale që kanë ndaj shtetit, respektivisht ndaj doganave të Kosovës. Dhe, ndoshta konsumatorët kosovarë nuk e kanë të qartë prejardhjen e mallit dhe përbërësit e mallrave që ata i konsumojnë”, thotë Kusari–Lila.

Në anën tjetër, Besfort Gunga, nga Agjencia Veterinare dhe e Ushqimit të Kosovës, e cila funksionin në kuadër të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, pohon se në ato pika kufitare, ku mallrat kontrollohen nga inspektorët e agjencisë, nuk ka mundësi që produktet me prejardhje dhe origjinë të dyshimtë të hynë në Kosovë.

Por, ai nuk garanton se në treg nuk ka mallra të dyshimta, pasi thotë se ka mundësi që mallrat të hynë në Kosovë pa iu nënshtruar procedurave të rregullta doganore.

Gunga, ndërkaq thotë se në pikat kufitare në veri të Kosovës me Serbinë, nuk ka inspektorë të agjencisë.

“Në ato vende që ne bëjmë kontrollet, mallra të dyshimta nuk ka, por ne nuk mund të garantojmë për ato mallra që nuk i nënshtrohen kontrolleve tona dhe nuk kalojnë nëpër vija institucionale dhe nëpër vija të autorizuara të kalimit kufitar. Në këtë rast, në G 31 dhe G1, momentalisht nuk kemi inspektorë që bëjnë një kontroll të tillë atje. Kështu që ne nuk mund të garantojmë, se në ato pika mund të futet ndonjë mall që nuk është i cilësisë së mirë, që mund të rrezikojë popullatën në përgjithësi”, tha Gunga.

Naim Huruglica, drejtor i Shërbimit Doganor të Kosovës, thotë se sipas informatave nga pikat kufitare të Kosovës, pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës nuk ka hyrje të mallrave me origjinë të dyshimtë.

Me gjithë faktin se në veri të Kosovës nuk funksionin Shërbimi Doganor, Huruglica thotë se çdo maune që hyn në ato pika, pjesëtarët e Shërbimit Policor të Kosovës i dërgojnë në terminalin doganor në jug të Mitrovicës.

“Ne kemi udhëzuar policinë që për çdo dërgesë, e cila futet përmes dy vendkalimeve kufitare në veri, të merren shënime dhe të gjitha ato maune janë orientuar në terminalin doganor të Mitrovicës”, thotë Huruglica.

Megjithatë, Mimoza Kusari-Lila kërkon nga konsumatorët që në këtë periudhë të kenë kujdes të shtuar në konsumimin e produkteve ushqimore.

“Të jenë të vëmendshëm mbi atë se çka konsumojnë, të shikojnë sa më mirë prejardhjen e produkteve dhe nëse mund të shihet vërtetësia e produkteve. Edhe pse është shumë vështirë që konsumatori të vendosë vetë për këto gjëra, duhet të ketë mbrojtje institucionale. Duhet të jenë inspektorët e tregut ata që verifikojnë origjinën dhe prejardhjen e mallit dhe ata të cilët mallrat e caktuar i largojnë nga tregu”, tha Kusari-Lila.

Ndryshe, edhe zyrtarë të administratës ndërkombëtare në Kosovë tashmë kanë pohuar se në Kosovë po hyjnë mallra të pakontrolluara, posaçërisht në pikat kufitare të Leposaviqit dhe Zubin Potokut, që gjenden në pjesën veriore të Mitrovicës, që lidh Kosovën me Serbinë.

XS
SM
MD
LG