Ndërlidhjet

Serbia në zgjedhje të parakohshme


Vojisllav Koshtunica
Vojisllav Koshtunica

Kuvendi i Serbisë pritet të shpërndahet të hënën, pas rënies së qeverisë, e cila nuk arriti të përballojë përçarjen në mes të partnerëve në koalicion. Kryeministri Vojisllav Koshtunica ka thënë se ia dorëzon mandatin popullit. Ky veprim është pritur mirë edhe nga partitë tjera serbe.

Qeveria e Serbisë nuk ka arritur të shënojë njëvjetorin e konstituimit të saj dhe është shpërbërë.

Kryeministri i Serbisë, Vojisllav Koshtunica, ka thënë se më nuk ekziston një politikë e përbashkët në mes të partnerëve në koalicion, por ekzekutivi do të vazhdojë punën me një intensitet të vogël deri në zgjedhjet e ardhshme.

Kryeministri aktual ka propozuar që 11 maji, kur do të mbahen zgjedhjet lokale, të jetë edhe dita e zgjedhjeve parlamentare.

Kabineti qeveritar ka qenë vazhdimisht i përçarë dhe në maj të vitit të kaluar është konstituuar vetëm gjysmë ore para skadimit të afatit të paraparë me kushtetutë, pas zgjedhjeve të janarit 2007. Por, përçarja e fundit lidhur me projektrezolutën e Partisë Radikale, e cila do të konfirmonte se Serbia do të shkojë në Bashkimin Evropian vetëm me Kosovën si pjesë të saj, ka qenë goditja e fundit e Qeverisë Koshtunica.

“Qeveria që nuk ka politikë të përbashkët, nuk mund të funksionojë dhe ky është fundi i qeverisë. Kjo do të thotë se duhet t’ia kthejmë mandatin popullit. Meqë janë nënshkruar zgjedhjet lokale dhe krahinore, që të mos humbej kohë dhe energji, është mirë të mbahen zgjedhjet parlamentare. Të gjitha partitë në Serbi kanë dëshirë të shkojmë në Bashkimin Evropian, por dallimet janë me apo pa Kosovën”, ka thënë Koshtunica.

Serbia do të kalojë një fazë të ashpër politike pasi që radikalët kanë rritur përkrahjen e tyre, kurse demokratët do të kenë nevojë për shumë forcë, për t’u përballur edhe me partitë e bllokut popullor, që prej tani janë në anën e kundërt të tyre.

Megjithatë, analistët dhe liderët tjerë serbë kanë vlerësuar se ky vendim ka qenë i drejtë, pasi që Qeveria serbe vuante prej kohësh.

“Ikja nga ndryshimet, patriotizmi i rrejshëm dhe keqpërdorimi i pushtetit kanë dërguar Serbinë në agoni dhe në rënien e qeverisë. Në zgjedhjet e ardhshme nuk do të ndryshohet vetëm kryeministri dhe ministrat, por do të krijohen sisteme të reja vlerash dhe do të ndryshohet politika e gabuar, e cila do t’i ndihmojë vendit për të ardhmen evropiane”, ka thënë Çedomir Jovanoviq, lider i Partisë Liberal-demokratike.

“Ne vlerësojmë se ky është një vendim i ndershëm i Koshtunicës dhe është zgjidhja më e mirë. Më shumë do të humbnim nga ana tjetër, sepse Partisë G-17 plus nuk i intereson të jetë në qeveri që e dërgon në vetëizolim”, ka theksuar ministri i Ekonomisë, Mlagjan Dinkiq.

Për radikalët dhe socialistët ky vendim është i mirë, por ata do të dalin vetëm në zgjedhje.

“Ka pasur zgjidhje tjera. Neve nuk na është drejtuar askush. Nëse ata mendojnë se zgjedhjet janë zgjidhje e mirë, ne do të marrim pjesë në këto zgjedhje. Por, ka mundur shumë më mirë, edhe pse për Koshtunicën me mentalitetin e tij nuk ka pasur rrugë tjetër”, ka thënë zëvendëskryetari radikal Tomisllav Nikolliq.

Megjithatë, analistët mendojnë se tani është një rast i mirë për të treguar politikën e vërtetë të Serbisë.

Jelena Miliq, drejtuese e Qendrës për Studime Euro-atlantike, mendon se rënia e qeverisë do të jetë një sfidë e madhe për partitë që sinqerisht mendojnë për integrimin evropian.

“Ato duhet të tregojnë se kanë një front të përbashkët, i cili mund ta dërgojë Serbinë në Bashkimin Evropian. Ndoshta ata duhet të bashkohen para zgjedhjeve në koalicion ose të mos sulmojnë njëri-tjetrin. Por, kjo ishte një pafuqi politike, megjithatë duhej një fund i këtij problemi. E vetmja gjë këtu që është për keqardhje, është se ministrat e Partisë Demokratike dhe G-17 Plus nuk gjetën forcë të dalin nga qeveria, por këtë e bëri Koshtunica”, shprehet Miliq.

Dejan Anastasijeviq, nga javorja ‘Vreme’, thotë se rënia e qeverisë ka qenë gjë e ditur.

“Kosova ka qenë vetëm një katalizator i rritjes së papajtueshmërisë brenda qeverisë. Kemi pasur një qeveri që nuk ka mundur të takohet, ministrat brenda saj nuk kanë folur në mes vete dhe zgjedhjet janë një mënyrë e natyrshme për një gjë të tillë”, thekson Anastasijeviq.

Zgjedhjet e ardhshme parlamentare do të jenë të katërtat në Serbi pas rënies së Millosheviqit, ndërsa kjo është qeveria e tretë që nuk ka arritur të funksinojë një vit.

XS
SM
MD
LG