Ndërlidhjet

Kusari Lila: Hyrja në institucionet ndërkombëtare financiare ka elemente politike


Mimoza Kusari Lila
Mimoza Kusari Lila

"Anëtarësimi i Kosovës në institucionet financiare ndërkombëtare është më se i nevojshëm për një zhvillim më të qëndrueshëm ekonomik", thotë Mimoza Kusari Lila, drejtoreshë ekzekutive në Odën Ekonomike Amerikane në Prishtinë.



RADIO EVROPA E LIRË
Zonja Kusari-Lila, një nga sfidat kryesore për Kosovën si shtet i pavarur do të jetë zhvillimi ekonomik. Mundësia për këtë zhvillim shihet tek anëtarësimi i Kosovës në institucionet financiare ndërkombëtare. Si e shihni ju këtë proces?

MIMOZA KUSARI LILA
Esenciale për Kosovën është qëndrueshmëria e shtetit më të ri në Evropë dhe në botë. Në këtë rast, zhvillimi ekonomik merr rolin primar.

Është përmendur edhe më herët anëtarësimi i Kosovës në institucionet e ndryshme financiare botërore. Megjithatë, me këtë anëtarësim që do të ishte një shtysë për zhvillimin e ekonomik, mu për shkak të statusit të veçantë që Kosova mund ta merrte në institucionet e tilla, edhe përkrahjes financiare që do ta marrë, është edhe elementi politik i saj, se sa do të jetë e lehtë për Kosovën, duke marrë parasysh se ende ka shtete që e kontestojnë pavarësinë e saj, të jetë pjesë e këtyre proceseve.

Në këtë rast, mendoj se duhet shkuar në procese që janë më të garantuara, në institucionet ku shanset janë më të mëdha për t’u anëtarësuar. Domethënë, mos të vonohet të përgatitet aplikacioni nga institucionet qeveritare. Por, në të njëjtën kohë, edhe të punohet me agjencitë ndërkombëtare për zhvillim të vendeve të fuqishme, të zhvilluara botërore, në projektet konkrete, që Kosova mund t’ua paraqesë këtyre agjencive për financim të mëtutjeshëm. Kjo do të jetë shtysë esenciale për krijimin e një infrastrukture, që mandej do të mundësonte zhvillimin ekonomik në kuptimin e tërheqjes së investimeve të huaja.

Kosova do të ketë nevojë dhe ka nevojë për investime nga jashtë, edhe të sektorit privat. Këto investime do të vijnë në kohën kur do të shihet se Kosova ka institucione funksionale dhe ka një infrastrukturë mbështetëse, e cila do të jetë dhe është inkurajuese për këdo që dëshiron të vijë dhe të investojë në Kosovë.

RADIO EVROPA E LIRË

Sa mendoni se janë të përgatitura institucionet për ta bërë këtë rrugë?

MIMOZA KUSARI LILA
Nga ajo që kemi parë deri më tani, domethënë nga qeveritë e kaluara, kemi treguar ndoshta jo kompetencë të plotë dhe nuk ka pasur ndonjë lloj mase; kjo është edhe si pasojë e veprimit të vazhdueshëm edhe të administratës ndërkombëtare.

Është vërejtur se përgjegjësitë në tërësi nuk qëndrojnë në institucionet vendore. Andaj, ka qenë e pamundur të shihet përgjegjshmëria dhe kompetenca e plotë.

Tani do të varet se di do të kalojë procesi i kalimit të kompetencave nga administrata ndërkombëtare në atë vendore. Dhe, tek atëherë, do të shohim se sa kompetente do të paraqiten institucionet kosovare për ta marrë atë rrugë.

Por, gjithsesi, nuk duhet shikuar si situatë konfliktuoze, në kuptimin që duhet ngritur konflikte të reja me administratën ndërkombëtare, por duhet shikuar si proces të përbashkët, në të cilin, skenari më i mirë do të ishte sikur së bashku do të bashkëpunojmë dhe gradualisht nga një proces dhe pozitë vendimmarrëse, institucionet, në këtë rast Kombet e Bashkuara, e më pastaj edhe institucionet e reja të Bashkimit Evropian që janë në proces të vendosjes në Kosovë, do të kalojnë në pozitën këshillëdhënëse dhe monitoruese.

Kjo do t’u mundësonte institucioneve kosovare të marrin më tepër përgjegjësi, por edhe të jenë më të ndërgjegjshme dhe më të vetëdijshme për kompetencat që kanë, çka nuk ka qenë rasti deri më tani, sepse në shumicën e rasteve, institucionet kosovare kanë pasur arsyetimin se e kanë ditur se ekziston një ombrellë vendimmarrëse në një shkallë më të lartë se e tyre dhe për ato përgjegjësi, të cilat nuk kanë dashur t’i marrin ose që nuk kanë qenë të tyre dhe nuk janë marrë, ose nuk kanë qenë përgjegjës të vendosin.

RADIO EVROPA E LIRË
Përmendët projektet e nevojshme. Mendoni se institucionet kosovare kanë projekte konkrete?

MIMOZA KUSARI LILA
E di se ato janë në proces të përgatitjes së projekteve. Nuk kam informata se sa janë të përgatitur, në çfarë shkalle. Kemi të bëjmë me një periudhë 2-3 mujore, që ata janë duke u përgatitur deri në Konferencën e donatorëve. Andaj, shpresoj se kjo periudhë do të jetë e ngjeshur me aktivitete që do të shkojnë në konkretizimin e këtyre projekteve.

Deri tash, Qeveria ka bërë publike vetëm sektorët, që faktikisht përfshijnë të gjithë sektorët në tërësi, nuk përfshin një sektor në veçanti, por të gjithë sektorët relevantë që janë për zhvillimin e përgjithshëm ekonomik dhe shoqëror. Andaj, nuk di të them nëse konkretisht kanë punuar në një sferë ose në një projekt konkret për të nxjerrë projektet që do të jenë interesante dhe konkurruese për institucionet ndërkombëtare.

RADIO EVROPA E LIRË
Cilat janë pengesat që ju i shihni në këtë drejtim?

MIMOZA KUSRARI LILA
Pengesë mund të jetë edhe mungesa e kapaciteteve ekzistuese në institucione. Pengesë do të jetë kalimi apo periudha e tranzicionit. Gjendemi në një moment shumë kritik, që ndoshta edhe në vendet më të zhvilluara se Kosova do të ishte problem balancimi i procesit të transferimit të kompetencave dhe në të njëjtën kohë krijimi i projekteve dhe krijimi i planeve për një të ardhme.

Domethënë, Qeveria është duke u ballafaquar me 2-3 përgjegjësi shumë të mëdha në të njëjtën kohë. Andaj, duhet pasur edhe shumë ndihmesë edhe nga institucionet ndërkombëtare, por edhe shumë përgjegjësi nga ana e Qeverisë.

Ndërsa, kapacitetet administrative të stafit civil nuk janë aq të larta. E dimë nga raportet dhe nga vlerësimet që janë bërë, se kemi të bëjmë me një kapacitet mjaft të ultë. Domethënë, pengesë esenciale do ta shihja menaxhimin me projekte kapitale të mëdha dhe mundësinë e absorbimit të donacioneve apo ndihmës që do të vinte nga jashtë.

Pra, kemi shumë nevojë, por jo edhe domosdoshmërish i kemi kapacitetet menaxhuese që mund ta administrojnë atë ndihmë apo asistencë që vjen nga jashtë. Duhet zgjeruar apo duhet pasur kapacitete apo resurse njerëzore më profesionale, me shkallë më të avancuar si të shkollimit, si të përvojës.

RADIO EVROPA E LIRË

Sipas jush si mund të zgjidhet ky problem?

MIMOZA KUSARI LILA
Do të zgjidhet me reformë të menjëhershme të administratës publike. Ndoshta ai si projekt i tillë mund të prezantohet edhe vetë në Konferencën e donatorëve, sepse kemi të bëjmë me një kapacitet mjaft të ultë, pasi që dihet se 70 për qind të administratës publike në Kosovë mbajnë vetëm diplomat e shkollave të mesme, pa diplomë të lartë universitare. Kjo është e para.

E dyta është me përgatitjen apo me koordinimin e asistencës që vjen nga institute të ndryshme, që mund t’i ofrojnë projekte të gatshme qeverisë, që ajo do t’i përdorte për përgatitjen apo prezantimin para institucioneve financiare.

RADIO EVROPA E IRË
Në anën tjetër, Kosova u ka borxh këtyre institucioneve, që prej kohës së ish-Jugosllavisë. Si mendoni se do të zgjidhet kjo çështje?

MIMOZA KUSARI LILA
Kjo çështje është e paraparë edhe me pakon e Ahtisaarit. Në rast të pamundësisë së marrëveshjes me Serbinë, që me siguri do të jetë duke e parë atmosferën politike në Serbi, atëherë do të vendoset një arbitër ndërkombëtar.

Edhe unë pajtohem me këtë se do të jetë mënyra më e mirë për të shikuar se ku është vija ku ndahet ajo çka i ka takuar vërtet Kosovës ose çfarë ka shkuar në Serbi, sepse me garanci dihet se Serbia do ta paraqesë borxhin më të madh sesa që e ka në realitet.

Ndërsa, ekziston edhe ana tjetër që Kosova nuk është ende trashëguese e pasurisë së mbetur nga ish-Jugosllavia, që domethënë se do të bëhet njëfarë balancimi se çfarë janë borxhet, por edhe çfarë janë pasuritë që i takojnë Kosovës, që nuk janë bërë me ndarjen e pasurisë që vetëm është kryer midis 6 republikave të ish-Jugosllavisë.

Forma tjetër është programimi i këtij borxhi, në kuptimin e ndarjes së pagesave vjetore, të cilat do të ishin të kapshme dhe të durueshme për buxhetin e konsoliduar të Kosovës.

Kosova, ende sot e kësaj dite, është vendi më i varfër në Evropë, me buxhetin më të vogël. Andaj, e di se këto institucione nuk do të kërkonin menjëherë që Kosova t’i kthejë të gjitha borxhet e mbetura, por jam më se e bindur se ato do të punojnë bashkë me institucionet kosovare që të bëhet njëfarë forme e riprogramimit dhe Kosova ta paguajë këstin që do të jetë i përballueshëm për të në baza vjetore.


XS
SM
MD
LG