Ndërlidhjet

Në Prishtinë mbyllen pikat e shitjes së derivateve



Kuvendi Komunal i Prishtinës ka marrë vendim t’i mbyllë të gjitha pikat e shitjes së derivateve që gjenden në kryeqytet. Ky vendim është marrë pas një shpërthimi të një cisterne gazi, që ka ndodhur të dielën në Prishtinë, ku si pasojë një person ka vdekur dhe dy të tjerë janë lënduar rëndë.

Asdren Osaj, zëdhënës në Kuvendin Komunal të Prishtinës, pohon se në Prishtinë ekzistojnë mbi 40 objekte shitëse për qarkullimin e naftës dhe derivateve të saj.

“Sot, bordi i drejtorëve të Kuvendit Komunal do të marrë vendim që të mbyllen të gjitha ato pika të karburantit dhe gazit, të cilat janë në vendbanime të populluara me qytetarë dhe të cilat paraqesin rrezik për qytetarë”, tha Osaj.

Megjithatë, Xhelal Llonqari, profesor në Fakultetin Teknik në Universitetin e Prishtinës, thotë se autoritetet kompetente është dashur të jenë më rigoroze në dhënien e lejeve për fillimin e kësaj veprimtarie. Vendosja e cisternave të gazit në mjedise të banuara është rrezik permanent për qytetarët, thotë Llonqari.

“Natyrisht, derisa ato nuk i përmbahen rregullave dhe ligjit për lejen e punës, a kanë pëlqim apo jo, gjithsesi paraqesin rrezik permanent”, theksoi Llonqari.

Por, Komuna e Prishtinës dhe Ministria e Tregtisë dhe Industrisë akuzojnë njëra-tjetrën për licencimin e këtyre veprimtarive. Asdren Osaj thotë se Komuna e Prishtinës nuk e ka dhënë asnjë leje për këtë veprimtari.

“Komuna vazhdimisht i ka paraqitur vërejtje këtyre pikave të karburanteve, që janë duke shkelur ligjin, që janë duke vepruar jashtë normave. Mirëpo, komuna nuk e ka pasur fuqinë e veprimit ndaj këtyre pikave të karburantit. Kuvendi Komunal i Prishtinës nuk ka dhënë asnjë leje për këto veprimtari. Por, këto i ka dhënë Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, pasi ajo e bën këtë punë”, thotë Osaj.

Ndryshe, zyrtarë në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë pohojnë se kjo ministri deri më tash ka licencuar vetëm 30 pika të shitjes së karburanteve në rajonin e Prishtinës.

Ndërkaq, brenda në kryeqytet, asnjë pompë e benzinës apo pika të shitjes së gazit nuk janë licencuar.

Xhevdet Leci, kryesues i Këshillit për rregullimin e industrisë së naftës, pohon se përgjegjëse për këtë çështje është Komuna e Prishtinës.

“Të gjitha pikat e shitjes që janë në pjesët e urbanizuara në Prishtinë, janë të refuzuara. Ndërkaq, këto bombolat e gazit që janë vendosur në Prishtinë, as që kanë aplikuar dhe për ne janë plotësisht ilegale. Shpeshherë edhe nuk e dimë se ku janë të vendosura. Janë organet komunale që duhet të merren me këtë çështje”, thotë Leci.

Zyrtarë të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë pohojnë se edhe pika e shitjes, ku të dielën ka ndodhur shpërthimi, nuk ka qenë e licencuar. Ndryshe, ky shpërthim përveç që ka shkaktuar lëndime të rënda shëndetësore te tre persona, ka dëmtuar disa vetura dhe shtëpi përreth.
XS
SM
MD
LG