Qeveria kroate e ka njohur pavarësinë e Kosovës, pas takimit të mbajtur sot në Zagreb.
Presidenti i Kroacisë, Stjepan Mesiq, i ka dërguar një letër presidentit të Kosovës, Fatmir Sejdiu, në të cilën, vendimin e Qeverisë kroate për ta njohur pavarësinë e Kosovës, ai e cilëson si themel për zhvillimin e marrëdhënieve ndërshtetërore midis dy vendeve, në frymë miqësie, bashkëpunimi dhe mirëkuptimi të ndërsjellë.
"Në rrugën drejt Evropës, Republika e Kroacisë shtrin dorën e miqësisë të gjitha vendeve të rajonit, e gatshme që me to të ndajë përvojat e saj", ka thënë presidenti kroat, duke i uruar Republikës së Kosovës dhe qytetarëve të saj "përparim sa më të shpejtë në paqe, siguri dhe marrëdhënie të mira me të gjithë fqinjët".
Pas vendimit të sotëm të Zagrebit, zëvendëskryeministri i Kroacisë, Slobodan Uzelac, që përfaqëson pakicën serbe në Qeverinë kroate, ka ofruar dorëheqjen e tij në shenjë proteste për njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Zagrebi zyrtar.
Pavarësinë e ka njohur sot edhe Qeveria hungareze. Vendimin e ka bërë të ditur sekretarja hungareze e shtetit për marrëdhënie me jashtë, Marta Fekszi.
"Hungaria e ka njohur Kosovën e pavarur dhe qeveria ka kërkuar nga Ministria e Jashtme të përgatisë dokumentet e nevojshme, në mënyrë që presidenti të mund të vendosë marrëdhënie diplomatike me shtetin e ri të pavarur", u ka thënë Fekszi gazetarëve në Budapest.
Ajo gjithashtu i ka bërë thirrje Serbisë që të garantojë sigurinë e 350.000 hungarezëve etnikë që jetojnë në Vojvodinë, krahinën autonome në veri të Serbisë, të cilët kanë thënë se mund të jenë në shënjestër të nacionalistëve serbë nëse Budapesti njeh Kosovën.
Të mërkurën, Hungaria, Kroacia dhe Bullgaria – të tria vende fqinje me Serbinë – kanë lëshuar një deklaratë të përbashkët, duke thënë se do ta njohin pavarësinë e Kosovës.
Ministri i Jashtëm i Serbisë, Vuk Jeremiq, ka reaguar ftohtë mbi këtë lajm të fundit, duke thënë: "Çdo vend që bën një hap të këtillë, nuk mund të llogarisë në marrëdhënie të mira me ne".
Kosova e ka shpallur pavarësinë nga Serbia më 17 shkurt të këtij viti. Që prej atëherë, 32 vende, përfshirë edhe këto tri të fundit, e kanë njohur shtetin e ri.