Ndërlidhjet

Pozita e komunitetit rom në Kosovë



Përfaqësuesit e komunitetit rom në Kosovë japin mendime të ndryshme rreth gjendjes së romëve që jetojnë në Kosovë. Përderisa deputetë të përkatësisë rome në Kuvendin e Kosovës pohojnë se pozita e romëve është e volitshme, udhëheqës të organizatave joqeveritare thonë se romët në Kosovë janë të diskriminuar dhe njëherësh nuk respektohen të drejtat e tyre. Por, problem kryesor për të dyja palët mbetet niveli i ultë i arsimimit dhe shkalla e lartë e varfërisë dhe papunësisë.

Në ditën Ndërkombëtare të Romëve, Haxhi Zylfi Merxha, deputet në Kuvendin e Kosovës, thotë se gjendja e komunitetit rom në Kosovë është volitshme, edhe pse u mungojnë shumë gjëra. Ai thotë se problemet e këtij komuniteti janë të përbashkëta me problemet e popullatës shumicë.

"Pozita e romëve në Kosovë momentalisht është në nivel, sepse romët e kanë sigurinë, e kanë lëvizjen e lirë, e kanë gjuhën e lirë dhe janë të barabartë me krejt qytetarët me kornizën ligjore të Kosovës”, shprehet Merxha.

Por, ndryshe mendon Bashkim Ibishi, udhëheqës i organizatës joqeveritare Qendra për Integrim Ndërkombëtar. Ai thotë se pjesëtarët e komunitetit rom jetojnë në kushte jashtëzakonisht të vështira. Në vendbanimet ku jetojnë romët, Ibishi thotë se mungon infrastruktura dhe plani urbanistik. Për këtë, shton ai, ky komunitet është i diskriminuar në Kosovë.

“Kosova është nënshkruese e disa marrëveshjeve ndërkombëtare; është marrëveshja e Vjenës që është zotuar për të hartuar një legjislacion përmes të cilit do të legalizohen këto vendbanimet joformale dhe ajo ende nuk ka ndodhur”, thotë Ibishi.

Problem tjetër me të cilin ballafaqohet ky komunitet, është shkalla e lartë e papunësisë. Përfaqësuesit e këtij komuniteti kërkojnë punësimin e romëve edhe në institucionet shtetërore. Përderisa Haxhi Zylfi Merxha pohon se në institucionet kosovare dhe ndërkombëtare nuk punon asnjë rom, përfaqësues tjerë të romëve shprehin shqetësimin se ata nuk kanë arritur të punësohen as në ndonjë punë më të thjeshtë.

Fehmi Gashi, përfaqësues i komunitetit rom në Fushë Kosovë, pohon se prej të gjithë banorëve në Fushë Kosovë që janë të aftë për punë, vetëm njëri prej tyre ka arritur të punësohet.

“Në Fushë Kosovë i kemi 160 familje rome me 1050 anëtarë, ndërkaq vetëm një punon. Ky është problemi kryesor”, pohon Gashi.

Nxënëse e komunitetit rom
Por, mungesa e vendeve të punës lidhet ngushtë me nivelin e ultë të arsimimit. Haxhi Zylfi Merxha pohon se arsyeja e nivelit të ultë të arsimimit është mungesa e shkollave dhe librave në gjuhën rome. Ai, ndërkaq, thotë se këtë çështje e ka ngritur edhe në Kuvendin e Kosovës, por, deri më tani, në këtë kuadër nuk ka përmirësim.

"Gjendja në arsimim është zero, sepse më herët romët e kanë pasur shkollën në gjuhën rome, ndërkaq tash nuk e kanë. Do të përmirësohet, sepse tashmë ekziston ligji që parasheh që të gjitha minoritetet t'i kenë kushtet e njëjta. Turqit dhe boshnjakët mësojnë në gjuhën e tyre amtare, ashkalinjtë dhe egjiptasit gjuhë amtare e kanë gjuhën shqipe, vetëm romët kanë mbetur. Besoj se edhe kjo çështje do të rregullohet“, thotë Merxha.

Në anën tjetër, institucionet e Kosovës në vazhdimësi kanë bërë përpjekje për përmirësimin e kushteve dhe të pozitës së komunitetit rom, thotë Habit Hajredini, nga Zyra për qeverisje të mirë, e cila funksionon në kuadër të Kryeministrisë.

“Jemi duke punuar me një strategji gjithëpërfshirëse dhe me plan të veprimit të këtij komuniteti. Secila ministri do të jetë kompetente që në objektivat dhe veprimet e tyre, të marrë hapa konkretë në bazë të këtij plani, që pritet brenda vitit 2008 të aprovohet nga institucionet tona”, thotë Hajredini.

Ndryshe, nga 170 mijë banorë romë, që vlerësohet të kenë jetuar në Kosovë në vitet e 90-ta, Haxhi Zylfi Merxha thotë se aktualisht në Kosovë jetojnë mbi 50 mijë banorë të komunitetit rom.
XS
SM
MD
LG