Ndërlidhjet

Ekonomia në 100 ditët e para të qeverisë



Ekspertë për çështje ekonomike japin mendime të ndryshme rreth 100 ditëshit të parë të Qeverisë së Kosovës, sa i përket sferës ekonomike. Ibrahim Rexhepi thotë se në raportin mbi 100 ditët e punës së Qeverisë, më se paku mund të diskutohet për sferën ekonomike, pasi, sipas tij, Qeveria e Kosovës në një mënyrë ka anashkaluar këtë çështje, duke u fokusuar në zhvillime tjera politike. Ai thotë se Qeveria e Kosovës ka angazhuar të gjitha kapacitetet e veta rreth shpalljes së pavarësisë së Kosovës dhe rreth njohjes së saj, ndërkaq në sferën ekonomike ka pasur vetëm deklarata dhe jo veprime konkrete.

“Në sferën ekonomike ka pasur deklarata pompoze, ka pasur presione në ndërmarrjet publike, mirëpo ka ngecur në veprimet konkrete drejt avancimit, drejt krijimit të ambientit më të shëndoshë për biznes, drejt animimit të investitorëve të jashtëm”, thotë Rexhepi.

Por, eksperti tjetër i ekonomisë, Bedri Selmani, pohon se duke pasur parasysh rrethanat në të cilën është gjendur Qeveria e Kosovës, në 100 ditët e para të qeverisjes nuk ka pasur mundësi që të merret me problemet ekonomike. Selmani është optimist se në të ardhmen qeveria do t’i kushtojë më shumë rëndësi zhvillimit të përgjithshëm ekonomik.

“ Wshtë shumë me rëndësi qw kjo qeveri i ka homogjenizuar problemet, ka bërë dedikimin e tyre, thjesht e di realisht se ku janë problemet. Dhe, tashmë e ka rastin në bazë të programit ekonomik që e posedon dhe unë besoj se në ditët e ardhshme këta do të kenë rastin të jenë efektivë; gjithçka do të funksionojë siç duhet”, shprehet Selmani.

Mosangazhimin e Qeverisë në rrafshin ekonomik, Selmani e arsyeton me faktin, siç thotë ai, në mungesë të kompetencave të plota.

“Kalimi i kompetencave në duart e institucioneve shtetërore të Republikës së Kosovës është një proces në veri. Prandaj, pa dashur për të arsyetuar se çka kanë mundur të bëjnë, unë them se ky është ai realiteti objektiv”, thotë Selmani.

Por, Ibrahim Rexhepi thotë se problem në këtë kuadër është se Qeveria e Kosovës nuk ka pasur koncept të qartë se çfarë do të punojë në 100 ditët e para, pasi, thotë ai, Qeveria e Kosovës deri më tani ka punuar pa program qeveritar.

“E vërteta është se Qeveria nuk ka ofruar asnjë program para Kuvendit dhe as që ka përcaktuar obligimet e veta, të cilat duhet t’i realizojë jo vetëm gjatë 100 ditëshit, por gjatë tërë mandatit të saj. Ajo pikërisht kur e ka 100 ditëshin, do të dalë edhe me programin e vet, i cili kryesisht fokusohet në ekonomi”, tha Rexhepi.

Megjithatë, Rexhepi thotë se sfida më e madhe pas shpalljes se pavarësisë, është zhvillimi ekonomik dhe krijimi i vendeve të reja të punës.

“Nuk kam shpresa se ne do të kemi standard evropian, por së paku të ketë lëvizje në krahasim me situatën që jemi tash. Programi, sado që është i përgjithësuar, sado që është jo në mënyrë serioze i shtruar, megjithatë jep disa indikacione që mund të bëhet diçka. Unë pres që ai të konkretizohet më shumë dhe të jetë shumë më i qartë sesa në versionin që i është dërguar Parlamentit”, thotë Rexhepi.

Ndryshe, nesër në Kuvendin e Kosovës do të paraqiten informata për punën e qeverisë në 100 ditët e para. Po ashtu, nesër, Qeveria e Kosovës do të paraqesë edhe programin qeveritar.
XS
SM
MD
LG