Ndërlidhjet

Pozita mbështet programin qeverisës, opozita kritikon atë


Deputetët në Kuvendin e Kosovës
Deputetët në Kuvendin e Kosovës

Në Kuvendin e Kosovës edhe sot është zhvilluar debat lidhur me programin e Qeverisë së Kosovës. Ndërsa partitë në pushtet, me vërejtje të caktuara, i kanë dhënë mbështetje programit qeverisës, opozita i ka vazhduar kritikat, duke e cilësuar atë si një program që nuk ka bazë implementuese.


Pozita dhe opozita në Kuvendin e Kosovës kanë vazhduar debatin në lidhje me programin qeverisës, të cilin kryeministri Hashim Thaçi e prezantoi në pjesën e parë të kësaj seance, të premten e kaluar. Ndërsa partitë në pushtet, duke përjashtuar disa qasje kritike nga disa deputetë që kryesisht vijnë nga radhët e LDK-së, i dhanë mbështetje programit qeverisës duke besuar se ai garanton një zhvillim të gjithëmbarshëm në Kosovë, opozita e ka konsideruar atë si koncept dhe plan dëshirash, por jo edhe si program qeverisës.

Deputeti i partisë në pushtet, PDK-së, Fehmi Mujota, tha se qeveria e tashme ka trashëguar shumë probleme nga qeveritë e kaluara. Prandaj, sipas tij, është krijuar një huti në lidhje me programin e qeverisë aktuale. Mujota i cilësoi disa nga akuzat e disa deputetëve opozitarë si naive, të pabaza dhe jo të obligueshme për qeverinë që t’i përfillë.

“Po dëgjojmë njerëz që janë fëmijë, fillestarë në politikë dhe të motivuar politikisht nuk është gjë e duhur dhe nuk është mirë të përgjigjet ndaj tyre. Po të dëgjoni njerëz të pjekur në politikë që provojnë politikë frusrtuese, që për pasojë kanë frustrimin, nuk kisha dashur që qeveria dhe pozita të përgjigjen në asnjë mënyrë. Të falënderojmë të gjithë ata njerëz që kanë konstruktivitet opozitar dhe njerëz të cilët e ndihmojnë realizimin e programit të Qeverisë së Kosovës”, tha Mujota.

Për dallim nga deputetët e PDK-së, një pjesë e deputetëve nga partneri në koalicion, përkatësisht nga LDK-ja, kishte dhe disa qasje kritike ndaj programit qeverisës. Deputeti
Sabri Hamiti u ndal sidomos në pjesën e programit që ka të bëjë me ekonominë. Ai tha se aty nuk artikulohet asgjë, vetëm përmenden çështjet e caktuara. Sipas Hamitit, është dashur po ashtu që të bëhet një prerje në mes asaj që është bërë deri më tash në realizimin e projekteve kapitale dhe asaj që parashihet të bëhet në mandatin ekzistues.

“Nuk zbatohen planet kapitale. Ne bërtasim, nuk kemi të holla, ndërsa këshilltarët tanë të jashtëm thonë ngadalë, bëni vepër ato të holla që i keni ju në buxhetin tuaj të konsoliduar. Në këtë kohë, qeveria na del si një tagrambledhës i zellshëm që parat i çon në shtëpi, por nuk di si t’i harxhoj dhe ky është një problem i hatashëm zhvillimor”, tha Hamiti.

Ndërkohë, deputetja nga tabori opozitar, Besa Gaxherri, nga LDD-ja, tha se programi qeverisës për katër vjetët e ardhshëm ka krejtësisht 56 faqe, ndërkaq edhe si përmbajtje, ajo tha se ai nuk përmban kurrfarë baze për zhvillimin ekonomik të Kosovës. Deputetja Gaxherri tha se Qeveria po e shfrytëzon Kuvendin për propaganda politike, në vend se Kuvendi ta kontrollojë ekzekutivin. Sipas Besa Gaxherrit, programi i Qeverisë Thaçi është vetëm një përshkrim i gjendjes dhe i dëshirave, por nuk ka kurrfarë baze implementuese.

“Është një material, i cili përshkruan gjendjen reale, aktuale në Kosovë si dhe dëshirat se si do të ishte mirë të jetë Kosova në të ardhmen. Në këtë program, në asnjë nga ministritë nuk përmendet ndonjë projekt konkret dhe ndonjë afat i përkufizuar për realizimin e tyre. Është qesharake që ky program me këtë përmbajtje, me vetëm 56 faqe, përfshin periudhën 2008 – 2011”, tha Gaxherri.

Kurse deputeti i AAK-së, Bajram Kosumi, tha se ky debat nuk solli asnjë dobi në lidhje me programin qeverisës, pasi që, sipas tij, ndërsa opozita kritikon, pozita vetëm e mbron programin dhe nuk pranon asgjë nga kritikat.

“Unë nuk po e cilësoj tash programin, as nuk po them që është i mirë e as që është i keq. Por, po them që ka disa kundërshti që janë pengesë për pozitën në radhë të parë; për qeverinë janë pengesë dhe qeveria duhet t’i marrë shumë seriozisht diskutimet që të shikojë dhe t’i eliminojë ato kundërshti”, tha Kosumi.

Debati në lidhje me punën dhe programin qeverisës për dy ditë ka sjellë për herë të parë në Kuvend qëndrime krejt kundërthënëse ndërmjet partive në pushtet dhe opozitës. Ndërsa pozita, megjithatë ka mbështetur programin qeverisës të prezantuar nga kryeministri Thaçi, opozita në vazhdimësi ishte e mendimit se ky plan, në formën se si është prezantuar, nuk do të duhej të kishte as përkrahjen e pozitës.
XS
SM
MD
LG