Ndërlidhjet

Të drejtat e punëtorëve



Të drejtat e punëtorëve kosovarë shkelen në mënyrë drastike, e sidomos të atyre që punojnë në sektorin privat, thonë përfaqësues të sindikatave.

Haxhi Arifi, kryetar i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, thotë se në shumicën e rasteve, punëtorët kosovarë punojnë pa kontrata pune, nuk kanë siguri në vendet e tyre të punës dhe njëherësh nuk kanë as mbrojtje shëndetësore.

Në sektorin privat, punëtorët, përveç se ballafaqohen me vështirësi për marrjen e pagës, Arifi thotë se ata janë të detyruar të punojnë edhe më gjatë se 40 orë në javë, sa është e paraparë me rregullore të punës.

“Atje kemi shkelje drastike, shkelen të drejtat më elementare që i garantojnë edhe konventat ndërkombëtare. Punohet pa orar, nuk kanë kontrata të punës, merren kur të duan, largohen kur të duan, nuk kanë sigurime dhe gjëra të tjera që i takojnë një punëtori”, thotë Arifi.

Por, Shukrije Rexhepi, udhëheqëse e Rrjetit të Grave Sindikaliste të Kosovës, problem kryesor në këtë fushë përmend pasigurinë në vendet e punës dhe mungesën e mbrojtjes shëndetësore.

Ajo thotë se ka shumë raste që punëtorët janë lënduar apo kanë vdekur në vendet e tyre të punës dhe më pas këta punëtorë, respektivisht familjet e tyre, kanë mbetur në mëshirë të fatit.

“Kërkesa jonë nga kjo do të ishte që të krijohen kushte më të mira për punë, të cilat do të ishin si preventivë që mos të vihet deri tek lëndimet, sëmurjet dhe te më e keqja - vdekja”, thotë Rexhepi.

Haxhi Arifi, nga BSPK-ja, ndërkaq, pohon se e gjithë kjo po ndodh për shkak të mungesës së infrastrukturës ligjore.

“Së pari, nuk e kemi ligjin e punës, i cili sanksionon. Dhe, në mungesë të atij ligji, shkelen të gjitha të drejtat elementare të punëtorëve”, thekson Arifi.

Ndryshe, të drejtat e punëtorëve në Kosovë mbrohen në bazë të një rregulloreje të punës, ndërkaq ligji i punës është përgatitur nga qeveria e kaluar dhe disa herë ka kaluar në Parlament, por nuk është miratuar.

Megjithatë, Gjergj Dedaj, zëvendësministër i Punës dhe Mirëqenies Sociale, pohon se gjasat për miratimin e këtij ligji janë shumë të vogla, për shkak të mungesës së mjeteve financiare.

“Edhe po të miratohej, është vështirë që për shkak të buxhetit të mangët të zbatohet. Do të thotë, është tepër diskutabile dhe ka mundësi që ai përkohësisht të tërhiqet nga procedura e mëtejme, sepse të miratosh një ligj, e në anën tjetër nuk mund të zbatosh dhe të mbetet vetëm në letër, atëherë nuk ka logjikë dhe arsye të aprovohet”, tha Dedaj.

Ndryshe, përfaqësues të BSPK-së pohojnë se punëtorët kosovarë, sidomos ata që punojnë në sektorin privat, ende nuk i njohin të drejtat e tyre dhe procedurat e kërkimit të të drejtave në rast se u mohohen ato.
XS
SM
MD
LG