Ndërlidhjet

Evropa josh socialistët e Serbisë


Beogradi
Beogradi

Socialistët e Serbisë kanë filluar të ndryshojnë mendimin lidhur me integrimin evropian. Kjo ka bërë që të fillojnë dilema të reja për koalicionin e ri qeveritar. Dragan Markoviq Palma, i Serbisë së Bashkuar në koalicion me socialistët, ka thënë se do të kërkojë ndërprerjen e bisedimeve me kryeministrin Vojisllav Koshtunica, për shkak të kundërshtimeve për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit.


Partia Socialiste e Serbisë ka filluar të diskutojë për integrimin e Serbisë në Bashkimin Evropian më shumë se kurrë më parë. Partia e dikurshme e Sllobodan Millosheviqit është ende në mes të dilemave të mëdha për formimin e Qeverisë së Serbisë, pas ofertave të bëra nga të gjitha palët.

Por, socialistët ende duken të pavendosur brenda tyre, pasi që në parti ka rryma të ndryshme, ajo e dikurshmja e viteve ’90 dhe të rinjtë që i janë bashkuar partisë më vonë.

Nënkryetari i Partisë Socialiste, Milutin Mrkonjiq, që dikur ka qenë i afërt me Millosheviqin dhe një nga personat përgjegjës për rindërtimin e Jugosllavisë së mbetur pas bombardimeve, ka thënë për media se kryeministri i ardhshëm duhet të krijojë kushte evropiane në Serbi.

“Në qeveri duhet të jenë ata që do të bashkojnë njerëzit dhe të heqin dilemat. Të gjithë qytetarët janë edhe për Kosovën, edhe për Evropën
”, ka thënë Mrkonjiq në një intervistë për gazetën ‘Blic’, por, ai nuk ka saktësuar se më kë do të formojë qeverinë kjo parti.

Megjithatë, në nivelin lokal duket se është afër marrëveshjes dhe radikalët, socialistët së bashku me partinë e kryeministrit Koshtunica, do të zgjedhin kryebashkiakun e Beogradit.

Aleksandar Antiq, nga Partia Socialiste, thotë se duhet bërë vetëm edhe pak hapa për koalicionin në nivelin e kryeqytetit.

“Grupet e bisedimeve kanë folur dje dhe rezultatet janë dorëzuar nëpër parti. Partia Socialiste ka pranuar këtë marrëveshje të ofruar dhe ky propozim pret mbledhjen e partisë, ku do të duhej të shqyrtohej për aprovim”.

“Mendoj se nuk do të ketë probleme, sepse në mes të partnerëve ka një mirëkuptim të madh dhe pres që për disa ditë të nënshkruhet kjo marrëveshje”, thotë Antiq.

Megjithatë, shpeshtimi i deklaratave të socialistëve për integrimet evropiane ka bërë që të ndryshohet mendimi për nivelin qendror. Deklaratat e kësaj partie bien ndesh me ato të Partisë Demokratike të Serbisë dhe radikalëve.

Analistët mendojnë se kjo mund të ndikojë në pushtetin qendror në Serbi dhe në një marrëveshje të mundshme të Partisë Socialiste me Partinë Demokratike të presidentit Boris Tadiq.

Por, analisti Aleksandar Vekariq thotë se socialistët kanë problemin kryesor brenda partisë.

“Kjo parti është mjaft e ndarë dhe duhet pritur vërtet se çfarë do të ndodhë. Socialistët janë të ndarë, sepse disa janë për integrimet evropiane dhe disa janë më pak për këtë gjë. Është vetëm një prognozë dhe shumë e vështirë të flitet për këtë situatë”.


“Por, fakti që ata flasin për Evropën, rrit mundësitë që socialistët të bëjnë një koalicion me demokratët në nivel kombëtar. Gjithsesi, gjithçka është në sferën e supozimeve”,
mendon Vekariq.

Mediat serbe kanë spekuluar se ideja e socialistëve është që të jenë me të dyja palët, ashtu siç është paralajmëruar për Beogradin, kurse në nivel qendror të jenë me demokratët. Por, me partinë e presidentit nuk ka pasur biseda serioze.

Dushan Llaziq, nga Forumi për Marrëdhënie Ndërkombëtare, thekson se nëse në Partinë Socialiste dominon rryma e vjetër, duhet pritur një koalicion me forcat nacionaliste, pasi që edhe votuesit e tyre janë të moshuar dhe i takojnë konservativëve. Por, interesat mund të jenë të tjera.

“Pyetja juaj është një milion dollarësh. Mendoj se nëse në këtë parti ekziston shumica e forcave që duan të kenë një politikë më afatgjatë dhe nëse duan të jenë faktorë në skenën politike dhe të transformohen edhe më shumë në atë drejtimin e një partie social-demokratike, që të inkuadrohen në Internacionalen Socialiste dhe të kenë një plan të zhvillimit duke u distancuar gradualisht me politikën e kohës së Millosheviqit, e ky është interesi i tyre, atëherë mund të pritet një koalicion me Partinë Demokratike”, shprehet Llaziq.
XS
SM
MD
LG