Ndërlidhjet

Kontrabanda e mallit nga Mitrovica rrit tregun e zi



Në pjesën veriore të Mitrovicës, në masë të madhe po vazhdon të rritet kontrabanda e mallit, dukuri kjo që po ndikon edhe në rritjen e tregut të zi në Kosovë. Kështu thonë ekspertë për çështje ekonomike, sipas të cilëve, djegia e pikave doganore në Jarinë dhe Zubin Potok ka çrregulluar tregun kosovar.

Agim Shahini, udhëheqës i Aleancës Kosovare të Biznesit, pohon se tregu i zi dhe kontrabanda e mallit është rritur si rezultat i mosmenaxhimit të kufijve nga ana e Shërbimit Doganor të Kosovës, që nga muaji shkurt.

Ai pohon se shumë njerëz tashmë janë angazhuar në këtë ekonomi të zezë, duke fituar nga koftrabandimi i mallrave që hyjnë nga Serbia në Kosovë, pa iu nënshtruar procedurave të rregullta doganore.

“Ka bërë një çrregullim total të tregut, ka krijuar një turbulencë, gjë që po i paraqet në pozitë jo të barabartë bizneset formale me ato joformale. Nga dita në ditë është në rritje dhe kjo po shkakton humbje të mëdha, qoftë në financa, në buxhet të shtetit ku janë miliona euro, qoftë prodhuesve vendore - po u krijon një pabarazi të madhe dhe një konkurrencë jolegale”, tha Shahini.

Eksperti tjetër, Bedri Selmani, thotë se që nga viti 2000, ekonomia informale është e njohur në tregun kosovar, por përmasat janë të jashtëzakonshme pas 19 shkurtit, kur në shenjë pakënaqësie ndaj pavarësisë së Kosovës, serbët i kanë djegur pikat kufitare në veri të Mitrovicës.

“Bizneset që kanë filluar të stabilizohen dhe të merren me ato produkte, të cilat thjesht janë kontrabanduar, janë dobësuar dhe kanë ardhur në pozitë jolegale. Më një fjalë, ato nuk janë konkurrente. Si mund të jetë konkurrent kur në shumë produkte u ik 40 për qind obligimeve që duhet paguar ndaj shtetit?”, thotë Selmani.

Megjithatë, Selmani thotë se pas 15 qershorit, kur edhe hyn në fuqi Kushtetuta e Republikës së Kosovës, institucionet e vendit duhet të bëjnë përpjekje që pushtetin e tyre ta shtrijnë në tërë Kosovën, në mënyrë që të ndikojnë, siç thotë ai, edhe në zbutjen e kësaj dukurie, që po i kushton shumë edhe buxhetit të konsoliduar të Kosovës.

“Unë mendoj se pas 15 qershorit duhet të funksionojë ligji dhe Kushtetuta. Dhe, të gjithë qytetarët që janë banorë të Kosovës, e kanë të dënueshme në qoftë se merren me punë ilegale”, u shpreh Selmani.

Ndryshe, edhe zyrtarë të administratës ndërkombëtare në Kosovë tashmë kanë deklaruar se mosfunksionimi efektiv i Shërbimit Doganor të Kosovës në atë pjesë të Kosovës, ka rezultuar me shtim të kontrabandës së mallit.

Nga kjo dukuri, ndërkaq, buxheti i Kosovës humb deri në 2 milionë euro në muaj, kanë pohuar zyrtarë të Shërbimit Doganor të Kosovës.
XS
SM
MD
LG