Ndërlidhjet

Prioritetet e qeverisë për Konferencën e Donatorëve


Ministria e Ekonomisë dhe Financave, vetëm tri javë para mbajtjes së Konferencës së Donatorëve, ka publikuar Kornizën Afatmesme të Shpenzimeve 2009–2011. Ky dokument konsiderohet si bazë ligjore për Konferencën e Donatorëve, e cila do të mbahet më 11 korrik në Bruksel, thotë Muharrem Shahini, zëdhënës në Ministrinë e Ekonomisë dhe Financave.

Shahini thotë se dokumenti i plotëson të gjitha standardet evropiane dhe njëherësh, sipas tij, është dokument mjaft i rëndësishëm për Konferencën e Donatorëve.

“Prioritetet e paraqitura në Kornizën Afatmesme të Shpenzimeve të qeverisë janë: rritja ekonomike, zbatimi i zgjidhjes së statusit, qeverisja e mirë dhe stabiliteti social. Në rritjen ekonomike kemi infrastrukturën, energjinë, minierat, transportin, sundimin e ligjit, arsimin, bujqësinë dhe politikat fiskale”, thotë Shahini.

Në anën tjetër, ekspertë për çështje ekonomike pohojnë se edhe pse dokumenti është i vonuar dhe ka edhe të meta, megjithatë është i nevojshëm, sepse mungesa e tij do të paraqiste problem tek donatorët.

Eksperti Ibrahim Rexhepi thotë se ky dokument është shumë i ngarkuar dhe, sipas tij, nuk janë të precizuara në mënyrë të qartë prioritetet dhe kërkesat e palës kosovare.

“Këtu ka disa iniciativa, disa ide, projekte, të cilat mund të jenë edhe banale, në kuptimin se nuk duhet të merren donatorët me të gjitha nevojat që ka Kosova. Nuk duhet të merren edhe me disa probleme të infrastrukturës së vendbanimeve të ndryshme”, thotë Rexhepi.

Në bazë të prioriteteve të paraqitura në Kornizën Afat Mesme të Shpenzimeve, Qeveria e Kosovës në Konferencën e Donatorëve do të kërkojë mbi një miliard euro. Por, Ibrahim Rexhepi thotë se duke llogaritur situatën aktuale, kërkesa e kosovarëve është shumë e vogël.

“Është një kërkesë shumë e vogël, një kërkesë minimale, për shkak se vetëm projekti i autostradës dhe projekti ‘Kosova C’ kushton shumë më tepër miliarda, sesa ajo që thuhet. Por, në fakt, çështja e financimit të projekteve dhe zhvillimit të Kosovës nuk duhet të jetë dhe nuk është vetëm problem i donatorëve“,
u shpreh Rexhepi.

Ndryshe, përveç prioriteteve të paraqitura për Konferencën e Donatorëve, Korniza Afatmesme e Shpenzimeve tregon se buxheti i Kosovës për vitin 2009 do të jetë 100 milionë euro më i vogël, krahasuar me buxhetin e këtij viti. Po ashtu, në dokument shkruan se edhe shpenzimet kapitale do të zvogëlohen, ndërkaq do të rriten shpenzimet për paga dhe mëditje.
XS
SM
MD
LG