Ndërlidhjet

Qytetarët e (pa)kënaqur me njohjen e vendit


Prishtinë - Sheshi Nëna Terezë
Prishtinë - Sheshi Nëna Terezë

Qytetarë të Kosovës japin mendime të ndryshme rreth numrit të vendeve që kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Disa nga ta shprehen të kënaqur me dinamikën e njohjes, ndërkaq të tjerët mendojnë se institucionet e Kosovës nuk kanë bërë shumë në lobimin e njohjes.

Qytetarë të Kosovës japin mendime të ndryshme rreth dinamikës së njohjes së pavarësisë së Kosovës. Leonart Sinani, nga Prishtina, pohon se është i kënaqur me numrin e vendeve që kanë njohur Kosovën, pavarësisht asaj se, siç thotë ai, kohëve të fundit, ka rënë dukshëm dinamika e njohjes. Megjithatë, ai pohon se tashmë pas fuqizimit të Kushtetutës së Kosovës, shpejt do të rritet numri i vendeve që do ta njohin shtetin më të ri në botë.

“Pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, ka pasur një intensitet më të madh të njohjes së pavarësisë; tash shihet qartë se ai intensitet ka ra. Mirëpo, besoj se tashmë pas fuqizimit të Kushtetutës, disa shtete do të kenë një program më të qartë të Qeverisë se Kosovës dhe besoj se brenda një intervali të shkurtër kjo njohje do të ketë një përkrahje dhe mbështetje më të madhe”, thotë Sinani.

Edhe Valdet Shatri është i kënaqur me numrin e shteteve që deri më tani kanë njohur shtetësinë e Kosovës.

“Ka skepticizëm tek njerëzit, por unë jam shumë i kënaqur. Edhe shtetet tjera që kanë dalë nga ish-Jugosllavia, nuk janë pranuar me ritëm më të shpejtë. Unë jam shumë i kënaqur. Kroacia dhe Sllovenia, 4-5 muaj pas shpalljes së pavarësisë, nuk janë njohur as nga katër shtete. Do të thotë, jam shumë i kënaqur”, thotë Shatri.

Ndërkaq, Blerina Qyqalla thotë:

"Po, jam e kënaqur. Mendoj se duhet edhe më shumë më pas, por...“, shprehet Qyqalla.

Edhe Elmaze Gjyshinca, nga Prishtina, mendon se është i mjaftueshëm numri i vendeve që deri më tani kanë njohur Kosovën.

“Jemi të kënaqur. Për një kohë shumë të shkurtër, e kanë njohur mjaft krahasuar me vendet tjera; atje ka shkuar më ngadalë puna, këtu ka shkuar shumë më shpejt”, pohon Gjyshinca.

Por, ndryshe mendon Rexhep Garaj:

“Aspak. Pikërisht për shkak të mosangazhimit të lidershipit shqiptar, që merret me karriget e veta për t’i siguruar më mirë, ne kemi mbetur kaq mbrapa me njohjen e Kosovës së pavarur”, thotë Garaj.

Ahmet Ahmeti, ndërkaq, ka pritur se prej kohës së shpalljes së pavarësisë së Kosovës deri më tani, numri i vendeve të jetë më i madh, por, megjithatë, edhe me situatën aktuale ai është i kënaqur.

“Ky numër me atë që kemi pritur ne, është shumë i vogël, por, realisht, duke marrë parasysh kundërshtarët, mund të jemi të kënaqur, sepse ata po punojnë më shumë se ne për të mos e njohur”, thotë Ahmeti.

Ndryshe, që nga 17 shkurti, kur Kuvendi i Kosovës ka shpallur pavarësinë, Kosovën si shtet të pavarur e kanë njohur 43 vende.
XS
SM
MD
LG