Ndërlidhjet

Ndikimi i Konferencës së Donatorëve në arsim


Sistemi i arsimit është në mesin e gjashtë prioriteteve të Qeverisë së Kosovës që kanë nevojë urgjente për investime. Dhe, për përmirësim në këtë fushë, institucionet qendrore dhe ato lokale të arsimit kanë përgatitur një numër të madh projektesh, të cilat do të paraqiten në konferencën e javës së ardhshme të donatorëve për Kosovën, që zhvillohet në Bruksel, nën drejtimin e Komisionit Evropian.

Kështu thotë Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Enver Hoxhaj, duke shtuar se një ndër kërkesat kryesore në këtë konferencë, sa i përket fushës së arsimit, do të jetë ndërtimi i infrastrukturës shkollore.

“Ndër kërkesat e para në Konferencën e Donatorëve do të jetë mundësia që shtetet e ndryshme të na ndihmojnë në përmirësimin e infrastrukturës shkollore, në ndërtimin e shkollave të reja. Por, në të njëjtën kohë, edhe në modernizmin e tyre përmes qendrave kompjuterike, përmes pajisjeve laboratorike, me qëllim që mësimi të ndërlidhet edhe me aspektet praktike të tij”,
tha Hoxhaj.

Ministri Hoxhaj, zgjerimin e hapësirës shkollore e konsideron si prioritet, për shkak se, siç thotë ai, Kosova ka gjysmë milioni njerëz në baza ditore në sistemin arsimor.

“Mbështetja në Konferencën e Donatorëve do të ketë ndikime direkt në përmirësimin jo vetëm të cilësisë së arsimit, por edhe në jetën e gjysmë milioni njerëzish dhe çdo familjeje në Kosovë. Kështu që kjo konferencë do të mundësojë që të fillojë me reforma në rrafshin kualitativ, që të investohet në arsim, meqë ky investim do të jetë më i sigurti, i cili do t’i kthehet Kosovës mbrapa”, thotë Hoxhaj.

Donacionet e mundshme nga Konferenca e Donatorëve, ministri Hoxhaj beson se do të ndikojnë në aftësimin profesional dhe në rritjen e nivelit të cilësisë së arsimit.

“Qëllimi ynë kryesor është që vërtet edukimin ta shndërrojmë në një prioritet ekonomik, ta ndërlidhim sistemin arsimor me nevojat që ka ekonomia dhe të kemi një fuqi punëtore të kualifikuar, e cila mund të jetë atraktive për investitorët e huaj në Kosovë; njerëz të edukuar, të cilët mund të jetojnë, punojnë dhe të konkurrojnë me të tjerët në rajon dhe në Evropë“, u shpreh ministri Hoxhaj.

Ndryshe, edhe ekspertë për çështje të arsimit thonë se duke marrë parasysh gjendjen e rëndë në sistemin e arsimit, pas mbajtjes se konferencës duhet të vërehen përmirësime në këtë fushë.

Halim Hyseni, nga Qendra për Arsim e Kosovës, thotë se nëse mjetet e fituara nga Konferenca e Donatorëve menaxhohen në mënyrë të duhur, rezultatet do të jenë të dukshme dhe të shpejta.

“Një komponentë për të cilën unë jam i vetëdijshëm, ka të bëjë me fuqizimin dhe zhvillimin e kapaciteteve të mësimdhënësve. Mendoj se është një komponentë shumë e rëndësishme dhe nëse sigurohen ato mjete dhe menaxhohen mirë, rezultatet do të jenë jo vetëm të mëdha, por do të jenë edhe të shpejta”, thotë Hyseni.

Ndryshe, Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë nuk ka bërë ndonjë vlerësim se sa para nevojiten për zbatimin e projekteve të përgatitura, por dihet se në bazë të Kornizës Afatmesme të Shpenzimeve, Qeveria e Kosovës në Konferencën e Donatorëve do të kërkojë mbi një miliard e 400 mijë euro.
XS
SM
MD
LG