Ndërlidhjet

Punësimi sezonal kërkon kritere


Në vitin e ardhshëm pritet të dërgohet kontingjenti i parë i punëkërkuesve kosovarë për punë të përkohshme në vendet anëtare të Bashkimit Evropian.

Kështu thotë Gjergj Dedaj, zëvendësministër i Punës dhe Mirëqenies Sociale, duke shtuar se menjëherë pas shpalljes së pavarësisë, Qeveria e Kosovës ka filluar të identifikojë tregun e punës në rajon, por edhe në Evropë.

Për punësim sezonal, ai tha se Qeveria e Kosovës është në negociata edhe me vendet që deri më tani kanë njohur shtetin e Kosovës.

“Jemi tepër të përkushtuar që këtë çështje ta përshpejtojmë sa më parë që është e mundshme, sepse kjo nuk varet vetëm nga puna dhe dëshira jonë, si dhe nga nevojat tona, por kjo varet edhe nga pala tjetër, e cila pranon punëtoret sezonalë nga Kosova”, tha Dedaj.

Ai thotë se për të shkuar në ndonjë vend për punësim të përkohshëm, nevojitet plotësimi i disa parakushteve.

“Punëtorët duhet të kenë aftësime profesionale për profesione për të cilat ata konkurrojnë dhe identifikohen, duhet të njohin edhe gjuhën në vendin ku shkojnë. Do të thotë, kjo procedurë kërkon kohë të caktuar dhe ne duhet të përshtatemi me këtë kohë”, pohon Dedaj.

Kushtet e kërkuara nga vendet përkatëse vështirësojnë shumë punësimin e përkohshëm, thonë ekspertë të ekonomisë.

Sefedin Sefa thotë se kjo është vështirë të përmbushet për shkak se afër 60 për qind e të regjistruarave si të papunë, i referohen nivelit të pakualifikuar, ndërkaq, më shumë se 72 për qind e të regjistruarave janë me nivel të arsimit të mesëm. E për aftësimin e tyre, nevojiten mjete materiale dhe kohë, thotë Sefa.

“Këtu është edhe një mangësi e përgatitjes së institucioneve dhe njerëzve që është dashur të merren me këtë çështje, duke pasur parasysh se ka pasur mundësi që të bëhet një lloj parapërgatitjeje edhe nga donatorët, edhe nga disa departamente që kanë qenë në kuadër të institucioneve”, shprehet Sefa.

Me qëllim të aftësimit të punëkërkuesve të regjistruar në zyrat e punësimit, Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale është duke zbatuar një projekt për aftësimin e tyre, thotë Dedaj.

“Ne jemi të gatshëm që nëpër qendrat tona rajonale të aftësimeve profesionale t’i aftësojmë punëtorët për të cilët ata kanë nevojë dhe kërkesa, pasi ka shumë punëtorë që nuk kanë asnjë njohuri për profesionin e caktuar. Ata mund të shkojnë nëpër këto qendra për aftësim profesional dhe të fitojnë njohuri elementare për një profesion të caktuar dhe kështu t’i parapërgatitim”, tha Dedaj.

Ndryshe, 25 mijë të papunë brenda një viti hyjnë në tregun e punës, ndërkaq mbi 335 mijë të papunë janë të regjistruar në zyrat e punësimit në mbarë Kosovën. Por, sipas zyrtarëve të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, ky numër mund të jetë edhe më i lartë, sepse jo të gjithë të papunët regjistrohen në zyrat e punësimit.
XS
SM
MD
LG