Ndërlidhjet

Protesta për arrestimin e Radovan Karxhiqit në Beograd


Pamje e përleshjeve ndërmjet policisë dhe përkrahësve të Radovan Karaxhiqit, 22 korrik 2008.
Pamje e përleshjeve ndërmjet policisë dhe përkrahësve të Radovan Karaxhiqit, 22 korrik 2008.

Partia Radikale e Serbisë ka paralajmëruar një protestë në qendër të Beogradit për të kundërshtuar arrestimin e të akuzuarve të Hagës për krime lufte. Policia serbe ka ngritur masat e sigurisë dhe para ambasadave janë vendosur qindra policë.

Sheshi i Republikës në Beograd do të presë edhe një herë protestues. Partia Radikale e Serbisë ka paralajmëruar protesta lidhur me arrestimin e të akuzuarit të Hagës, Radovan Karaxhiq. Kjo protestë është paralajmëruar të jetë më e qetë. Por, mijëra policë serbë janë stacionuar me autobusë para ambasadave të huaja në kryeqytet dhe presin të intervenojnë shumë shpejt në rast të eskalimit të situatës.

Partitë në pozitë e kanë quajtur këtë protestë si një keqpërdorim politik i situatës, ndërkaq opozita ka paralajmëruar një qëndrim të fortë ndaj politikës së kundërshtarëve të tyre. Protesta pritet të fillojë rreth orës 19:00 dhe është paralajmëruar një siguri për përfaqësuesit e mediave, ndonëse në të gjitha protestat e fundit gazetarët kanë qenë cak i sulmit.

Slobodan Vukoliq, nga policia e Beogradit, ka paralajmëruar një siguri maksimale për qytetarët.

Përfaqësuesit e policisë së Beogradit, së bashku me xhandarmerinë, do të marrin masa të ndryshme dhe një vëmendje e veçantë do t’i kushtohet përfaqësuesve të mediave dhe pjesëmarrësve në protestë, si dhe vendeve ku mund të vijë deri te rrënimi i qetësisë dhe rendit publik”, tha Vukoliq.

Radovan Karaxhiq ende vazhdon të qëndrojë në Beograd dhe para ndërtesës së Gjykatës Speciale për Krime Lufte janë parë avokatët dhe familja Karaxhiq. Por, ende nuk është saktësuar koha e ekstradimit të të akuzuarit, pasi pritet të arrijë ankesa nga pala mbrojtëse.

Ndërkohë, gazetat shkruajnë se Karaxhiq është ndihmuar nga shërbimi sekret dhe se të njëjtit njerëz janë duke ruajtur të akuzuarin tjetër, gjeneralin Ratko Mlladiq, që akuzohet për masakrën e Srebrenicës.

Kjo aferë ka ndikuar në qytetet serbe. Një burrë mbi të 30-at shet kalendarë, kaseta me muzikë folklorike patriotike dhe këngë për të akuzuarit e Hagës. Lajmi për arrestimin e Radovan Karaxhiqit ka ngritur biznesin e tij por edhe nacionalizimin.
“Kemi një shitje të mirë dhe i tërë malli që na arrin, e shesim menjëherë, vetëm për pak ditë. Njerëzit e kanë qejf atë që është e ndaluar”.

Avokatët e Karxhiqit kanë thënë se ai do të dorëzohej para gjykatës, por ka qenë duke përgatitur mbrojtjen e tij dhe se këtë do ta bënte vetëm pas mbylljes së Tribunalit për Krime Lufte të ish-Jugosllavisë, pasi i besonte vetëm organeve vendore.

Policia, gjatë bastisjes, së banesës së tij ka gjetur edhe shumë dokumente ushtarake, e që avokatët i kanë konsideruar si pjesë e përgatitjes për mbrojtjen para gjyqit.
XS
SM
MD
LG