Ndërlidhjet

Kriza e aksioneve zbret vlerën e investimeve të TKPK


Për shkak të rënies së aksioneve në tregjet globale, vlera e investimeve të Trustit të Kursimeve Pensionale të Kosovës ka rënë 10 për qind. Por, kompetentët thonë se kjo është vetëm humbje e parealizuar...

Rënia e tregjeve globale ka ndikuar edhe në rënien e mjeteve të kontribuesve të Trustit të Kursimeve Pensionale të Kosovës, thonë udhëheqës të Trustit dhe ekspertë për çështje ekonomike.

Nga afro 300 milionë euro të Trustit që gjenden në bankat jashtë Kosovës, vetëm gjatë këtij viti vlera e investimeve të Trustit ka rënë për 10 për qind, apo mbi 25 milionë euro.

Adrian Zalli, drejtor menaxhues i Trustit, megjithatë thotë se kjo nuk është humbje e realizuar.

“Nëse një person ka një numër të caktuar të aksioneve në trust, ai ende është pronar i atyre aksioneve, por vlera e atyre aksioneve ka rënë. Prandaj, këtu është dallimi në mes të humbjeve të realizuara dhe të parealizuara. Do të thotë, askush nuk i ka shitur aksionet e këtyre individëve. Këto aksione do të shiten dikur në të ardhmen, kur personi do t'i mbushë 65 vjeç. Shumica e kontribuesve nuk do të bëhen 65 vjeç edhe 20 apo 30 vjetët e ardhshëm“, thotë Zalli.

Adrian Zalli thotë se në bazë të ligjit në fuqi, Trusti është i obliguar që një pjesë të mjeteve t’i plasojë në tregjet globale. Ai tregon se ku janë të investuara këto mjete.

“Këto të holla janë të investuara në instrumente financiare të ndryshme. Afër 55 për qind e të hollave janë të investuara në aksione, nëpër stoqe të ndryshme, mandej 35 për qind janë të investuara nëpër asetet e shteteve të ndryshme, po ashtu në Evropë dhe në Amerikë. Dhe, përfundimisht, kemi edhe pjesën e mbetur të investuar si valutë. Mos të harrojmë se ne kemi bërë investime edhe në Kosovë në prill të këtij viti, përafërsisht 5 për qind, apo 15 milionë të mjeteve totale të Trustit. Kjo shumë ndoshta do të shtohet në të ardhmën e afërt”,
pohon Zalli.

Zalli, ndërkaq, tregon se sa për qind kanë qenë fitimet në vitet e kaluara.

“Vitin e kaluar ka qenë 1.8 për qind; në vitin 2006, ka qenë 8.5; në vitin 2004 ka qenë 8.7; do të thotë, po flasim me shuma neto. Por, nëse nisemi prej fillimit të Trustit, kur njësia ka qenë 1, tash një njësi është 1.10; do të thotë, ne prej fillimit të Trustit, edhe tash me rënien e tregjeve botërore, përsëri jemi në anën pozitive”,
shprehet Zalli.

Ai thotë se nuk ka pasur mundësi për investime më stabile.

“Investimet prej anës sonë - ne kemi marrë qëndrimin afatgjatë, do të thotë mandati i Trustit është 20-30 vjeç. Nëse i shikojmë tregjet financiare botërore afatshkurtra, 6-8 muaj ose një vit, për ne këto janë investime afatshkurtra. Prandaj, nëse i shikojmë se si kanë përformuar tregjet globale për 20 apo 30 vjet, atëherë edhe Trusti, por edhe unë personalisht besoj se e kemi strategjinë e duhur që të ketë kthim dhe një pension të suksesshëm për kontribuesit tanë“, deklaron Zalli.

Shpend Ahmeti, udhëheqës i Institutit për Studime të Avancuara GAP, edhe pse thotë se bordi i Trustit duhet të jetë më i kujdesshëm në investimet e tij, ai nuk beson se në këto kushte Trusti ka mundur të investojë më sigurt.

“Nuk besoj se në këto kushte kanë mundur të investojnë në diçka më të sigurt. Por, unë mendoj se duhet të punojmë në krijimin e kushteve, në mënyrë që një pjesë e atyre parave të investohet në Kosovë”, thotë Ahmeti.

Bordi i Trustit, sipas Ligjit për fondin pensional, është i pavarur në vendimet e tij për investime nga secili institucion tjetër në Kosovë. Mirëpo, vetë ligji ia përcakton spektrin e investimeve të lejuara. Sipas ligjit, shuma e investuar në një institucion financiar nuk duhet të tejkalojë 5% të fondit të gjithëmbarshëm. Sidoqoftë, 260 mijë është numri i kontribueseve në Trust.
XS
SM
MD
LG