Ndërlidhjet

Liberalizohen vizat Shqipëri – Maqedoni


Ka hyrë në fuqi marrëveshja për liberalizimin e regjimit të vizave mes Shqipërisë dhe Maqedonisë, me çka shtetasit shqiptarë tani e tutje në territorin e Maqedonisë do të mund të hyjnë pa viza dhe detyrime financiare. Kjo për Radion Evropa e Lirë u konfirmua nga këshilltari shtetëror për çështje konsullare, Rafet Hajdari.

"Nuk ka më probleme në asnjë pikë kufitare pasi ka filluar të zbatohet marrëveshja e arritur për heqjen e regjimit të vizave. Qytetarët e Shqipërisë që kanë pasaporta shqiptare do të mund të udhëtojnë në Maqedoni pa pasur nevojë për viza; domethënë, vetëm me pasaporta valide mund të qëndrojnë në Maqedoni në kohëzgjatje deri 90 ditë", tha Rafet Hajdari, këshilltar shtetëror për çështje konsullare pranë Ministrisë së Punëve të Jashtme të Maqedonisë.

Hyrja në fuqi e marrëveshjes është mirëpritur në veçanti në zonat kufitare me Shqipërinë, në radhë të parë për shkak të lidhjeve familjare që kanë këto zona, por edhe për shkak të përfitimeve që do të kenë në sferën ekonomike.

"Mendoj se ky është një hap para në drejtim të bashkëpunimit mes dy shteteve dhe kjo me siguri se paraqet kënaqësi për ne - qytetet që jemi afër kufirit, pasi lëvizja e mallrave, qytetarëve e kaiptaleve do të jetë shumë më e madhe.Ne jemi vend turistik dhe interesi i shumë qytetarëve shqiptarë është i madh për të vizituar Strugën dhe kjo do të na mundësojë që Struga në të ardhmen të jetë një vend me më shumë vizitorë nga Shqipëria", tha prefekti i Strugës, Ramis Merko.

Edhe Dibra ka mirëpritur vendimin për haqjen e vizive mes Shqipërisë dhe Maqedonisë.

"Qytetarët, tregtarët, të gjithë janë të gëzuar dhe kemi shpresë se kjo do të respektohet nga të dyja palët. Pra, kjo është pritur me entuziazëm të madh dhe do të ketë impankt edhe në zhvillimin ekonomik të qytetit tonë dhe të palës tjetër. Shkëmbimi i mallrave dhe lëvizja e lirë e qytetarëve i afron dy popujt dhe dy shtetet tona", tha prefekti i Dibrës, Argëtim Fida.

Marrëveshja është arritur në mars të këtij viti, por ka hyrë në fuqi vetëm pas ratifikimit të saj nga parlamentet e të dyja vendeve.
XS
SM
MD
LG