Ndërlidhjet

Gjendja e mjerueshme e komunitetit RAE


Komuniteti rom, ashkali dhe egjiptas në Kosovë jeton në kushte mjaft të vështira socio- ekonomike. Përfaqësues të këtij komunitetit thonë se problem kryesor mbetet shkalla e lartë e papunësisë. Sipas tyre, vetëm 2 për qind e përfaqësuesve të këtij komuniteti punojnë nga numri i përgjithshëm i të punësuarëve.

Pozita e komuniteti rom, ashkali dhe egjiptas në Kosovë është e mjerueshme, për shkak të kushteve jashtëzakonisht të rënda socio-ekonomike, thonë përfaqësues të këtij komuniteti.

Osman Osmani, udhëheqës i organizatës joqeveritare “Iniciativa 6”, thotë se komuniteti rom, ashkali dhe egjiptas është i diskriminuar nga shoqëria në përgjithësi.

“Për fat të keq, komuniteti rom, ashkali dhe egjiptas është në një pozitë të mjerueshme, pa marrë parasysh se në cilin rajon të Kosovës jeton. Shumë është numri i madh i atyre që nuk janë të punësuar. Ende ka shumë fëmijë që janë jashtë bankave shkollore, çka nuk të jep shpresë për të ardhmen që të krijohen mundësi dhe kuadro për t’u punësuar”, thotë Osmani.

Haxhi Zylfi Merxha, deputet në Kuvendin e Kosovës, pohon se gjendja e komunitetit rom, ashkali dhe egjiptas është mjaft e vështirë. Ai, ndërkaq, thotë se institucionet vendore nuk kanë punuar shumë në përmirësimin e pozitës së këtij komuniteti.

“Kjo është situata që shumë po i jepet pakicës serbe, e shumë pak po e shikojnë këtë komunitet”, pohon Merxha.

Problemi kryesor me të cilin ballafaqohet ky komunitet, është shkalla e lartë e papunësisë dhe niveli i ultë i arsimimit, thotë Osmani. Sipas tij, vetëm 2 për qind e këtij komuniteti punojnë, nga numri i përgjithshëm i të punësuarave në Kosovë.

“Kur bisedohet me institucionet, të gjithë flasin për një numër të të punësuarëve të komunitetit rom, ashkali dhe egjiptas, edhe pse kjo është 1-2 për qind nga numri i të punësuarëve".

"Shpesh i pyesim këta zyrtarët tanë, se a janë këta persona që kryejnë punët administrative apo vendimmarrëse, apo vetëm në këtë numër të të punësuarëve në këto institucione ku janë të punësuar, janë punëtorë fizikë apo punëtorë teknikë, të pastrimit të atij vendi”, thotë Osmani.

Edhe Haxhi Zylfi Merxha thotë se në institucionet kosovare dhe ndërkombëtare nuk punojnë përfaqësues të komunitetit rom, ashkali dhe egjipas.

“Kurrgjë nuk është bërë. Në 30 komuna të Kosovës nuk punon asnjë rom. Të marrim nga vi unë. Prizreni ka mbi 200 mijë banorë, prej tyre janë 55 mijë romë dhe asnjë rom nuk punon në Komunën e Prizrenit”,
thotë Merxha.

Ndryshe, Osman Osmani thotë se në bazë të normave ligjore, institucionet publike të Kosovës duhet të kenë përfaqësim adekuat për të gjitha komunitetet në Kosovë.

“Janë institucionet ku janë të garantuara për pakicat dhe këto vendime kur merren apo hapet konkuresi për punësimin e komuniteteve, atëherë pjesëtart e pakicave jo RAE çdo herë janë në përparësi dhe në një mënyrë ata e mbulojnë atë pjesën e pakicave. Ndërsa, sa i përket komunitetit RAE, nuk i jepet shumë rëndësi”, thotë Osmani.
XS
SM
MD
LG